Hutbe

Dijetari është mjeku i fesë…

1.05Kviews

Një hutbe në vigjilje të ditës së mësuesit

DIJETARI ËSHTË MJEKU I FESË,
KURSE PARAJA ËSHTË SËMUNDJE E FESË

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim.

Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: Dijetari është mjeku i fesë, kurse paraja është sëmundje e fesë

Pejgamberi savs ka thënë: Imani përbëhet nga gjashtëdhjetë e disa pjesë… (Buhariu)

Në kuadër të atyre 60 e disa pjesëve, edhe kërkimi i shkencës është pjesë e besimit, e po ashtu edhe përhapja e shkencës është pjesë përbërëse e besimit.

Një nga veprimet më të nderuara dhe më të vlefshme tek Allahu është të jesh mësues. Mësues do të thotë ta përcjellësh diturinë tek njerëzit tjerë. Islami na urdhëron që ndaj mësuesve të kemi respekt, dhe mos t’i nënçmojmë, siç po bëjmë ne sot. Transmetohet se Aliu r.a. ka thënë: Kush ma mëson një shkronjë, i detyrohem t’i bëhem rob i tij!

Të dashur vëllezër;

Çdonjëri që ka një dituri në cilëndo fushë, është i obliguar që t’ua mësojë të tjerëve. Nëse në ndonjë mënyrë ai e fsheh atë dituri, atëherë ai ka bërë mëkat. Prandaj, vëllezër të dashur, kur të shkojmë në shtëpitë tona, nga shkolla, nga xhamia, apo nga ndonjë vend tjetër ku kemi mund të mësojmë diçka të dobishme dhe të këndshme, t’ua përcjellim atë edhe familjarëve tonë, sepse disa gjëra ndoshta ata i kuptojnë edhe më mirë se ne.

Ajo që është shumë e rëndësishme në përhapjen e dijes, është se ajo duhet të bëhet vetëm në emër të Allahut, e jo për interesa të tjera, sepse vetëm ajo dituri që është në emër të Allahut i sjellë dobi bashkësisë dhe individit, ndërsa dituria që fitohet për qëllime tjera mund të jetë shumë e dëmshme.

Në Tevrat shkruan: Dijetar i vërtetë është ai që i mposht dëshirat dhe pasionet e tij.

Çka do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se nuk është e mjaftueshme vetëm të dimë, sepse ai që di por atë nuk e praktikon ai do të dënohet, pasiqe në hadith thuhet:
Njeriu nuk do të lëvizë në Ditën e Gjykimit derisa t’u përgjigjet katër pyetjeve, dhe njëra nga ato pyetje është se a ka vepruar sipas asaj që ka ditur.

Vëllezër të respektuar;

Ne të gjithë e dimë mirë se namazi me xhemat është obligim.
Ne të gjithë e dimë mirë se alkooli është i ndaluar.
Ne të gjithë e dimë mirë se bixhozi është i ndaluar.
Ne të gjithë e dimë mirë se derri është i ndaluar.
Ne të gjithë e dimë mirë se ne jemi të obliguar t’i respektojmë prindërit tonë.
Ne të gjithë e dimë mirë se ne jemi të obliguar të sillemi mirë me fqinjët.
Me pak fjalë, ne të gjithë e dimë mirë se çka është e lejuar dhe çka është e ndaluar.
Dhe duke i pasur parasysh të gjitha këto dituritë tona, duhet ta pyesim veten, si do t’i përgjigjemi Allahut kur të na pyes se pse nuk kemi ardhur në xhami për namaz, pse e kemi përdorë alkoolin, pse kemi lozur bixhoz, pse e kemi ngrënë mishin e derrit, pse kemi qenë të padëgjueshëm ndaj prindërve, pse fqinji ynë nuk ka qenë rahat nga ne?

Vëllezër të dashur, çka mendoni a do të kemi arsyetim?

Unë mendoj se jo, sepse njeriu nuk do të përgjigjet vetëm për atë që nuk e ka ditur, për atë që e ka vepruar nën presion apo pavetëdije.

Prandaj, le ta praktikojmë atë që dimë, ndërsa për atë që nuk dimë askujt asgjë.
Në lidhje me këtë, Pejgamberi savs ka thënë:

O pjesëtarë të umetit tim, unë nuk kam frikë për ju, për shkak të asaj që nuk e dini, por shikoni se si e praktikoni atë që e dini.

Muhamed bin Fadl ka thënë: Islamin do ta prishin këto katër veprime të njerëzve:

1. Njerëzit kur nuk punojnë sipas asaj që e dinë;
2. Njerëzit kur punojnë sipas asaj që nuk e dinë;
3. Njerëzit kur e studiojnë atë që nuk ju sjell përfitim; dhe
4. Njerëzit kur i pengojnë të tjerët nga kërkimi i dijes.

Nëse ende pyesim se pse muslimanët janë sot në nivel kaq të ulët, na mjafton t’i shikojmë këto katër gjëra të sapo theksuara dhe do të na bëhet e qartë.

Vetëm te ne muslimanët është e mundur që njeriu pa asnjë ditë të shkollës ekonomike vendoset në krye të ekonomisë. E kështu është edhe në fushat tjera…

Vetëm te ne muslimanët është e mundur që të shkollojmë kuadro për 30 vjetët e ardhshme.

Vëllezër, ne jemi në një kohë kur kemi shumë dijetarë të ashtuquajtur.
Asnjëherë më parë te ne nuk ka pasur kaq shumë njerëz të ditur.
Asnjëherë te ne nuk ka pasur kaq ligjërata e vaze në gjuhën shqipe. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, te ne imoraliteti dhe mos praktikimi i fesë është në nivelin më të ultë të mundshëm.
Pse është kjo kështu?
Pse të gjitha këto ligjërata nuk po arrijnë në veshët dhe zemrat e atyre që i dëgjojnë.

Mendoj se përgjigjen më të bukur e ka dhënë dijetari Hamud el-Kassar, kur ishte pyetur:

Pse fjalimet e brezave të mëparshëm ishin më efektive se fjalimet tona?

Ai ishte përgjigjur: Sepse ata kanë folur për prosperitetin e Islamit, për shpëtimin e shpirtit dhe për kënaqësi të Allahut, ndërsa ne po flasim për prosperitet personal, për kërkim të dynjasë dhe për hatër të njeriut.

Sufjan ibn Ujejne ka thënë: Dijetari është mjeku i fesë, kurse paraja është sëmundje e fesë. Nëse mjeku vetvetes ia sjell sëmundjen (fillon të merr para), kur do të gjejë kohë për t’i trajtuar të tjerët!

Transmetohet se Ibrahimi a.s. ka thënë: Grupi i xhenetlive do t’i shohin disa njerëz në xhehenem të cilëve do tu thonë: Çka ju ka sjellë juve në xhehenem, e ne kemi hyrë në xhennet sepse ju na keni edukuar dhe mësuar? Ata do të thonë: Ne juve ju kemi urdhëruar që ju të punoni vepra të mira, por ne vetë nuk kemi punuar!

Pejgamberi savs e lexonte këtë lutje, andaj ju ftoj që edhe ne sot ta lexojmë:

O Allahu ynë, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga dija e cila nuk na sjellë dobi, nga zemra në të cilën nuk ka devotshmëri, nga shpirti i cili nuk ngopet dhe nga lutja e cila nuk pranohet!

O Allahu ynë, ne kërkojmë mbrojtjen Tënde nga këto të gjitha! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)