Globus

Dijetarët muslimanë thirrje për bojkotim të produkteve amerikane

883views

Rreth 300 dijetarë muslimanë, pjesëtarë të shumë organizatave që veprojnë në rajone të ndryshme të botës, u kanë bërë thirrje muslimanëve t’i bojkotojnë produktet amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qindra dijetarë të organizatave si Komiteti i Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit, Shoqata e Dijetarëve Sunitë, Kuvendi Islam i Sirisë, Akademia e Fikhut e Irakut, Këshilli i Djetarëve të Irakut, Komiteti i Dijetarëve të Libisë, Unioni dhe Shoqata e Dijetarëve Sunitë të Turqisë dhe Unioni i Dijetarëve Muslimanë të Australisë, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët me shkrim lidhur me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Kudsit si kryeqytet i Izraelit.

Në deklaratë, dijetarët u bëjnë thirrje muslimanëve të shfrytëzojnë bojkotin ekonomik kundër SHBA-ve, Izraelit dhe të gjitha vendeve që mbështesin vendimin në fjalë.

Dijetarët kanë theksuar nevojën që të gjithë individët, organizatat dhe qeveritë që kanë para në bankat amerikane t’i tërheqin këto para, duke shtuar se qëndrimi i këtillë është reagim praktik që duhet ndërmarrë kundër “sulmit të tentuar të qeverisë amerikane”.

Duke folur për AA, sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit, Muhamed el-Haxh, tha se bojkoti është armë që mund të përdoret në mënyrë të përsëritshme kundrejt “arrogancës së SHBA-ve”.

“Ka një befazi të madhe që e pret qeverinë amerikane, e cila nënvlerëson rolin e popujve arabë dhe muslimanë kundër këtij vendimi. Është e qartë se regresi ekonomik do të shkaktonte presion ndaj qeverisë amerikane. Për këtë qëllim, ne përpiqemi ta sensibilizojmë popullin në lidhje me bojkotin”, tha el-Haxh.

Ndërkohë, Muhamed Hajr Musa, anëtar i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, tha se bota islame përballet me një sulm në rritje nga ana e SHBA-ve, duke shtuar se ky sulm nuk shënjestron vetëm Kudsin, por të gjithë muslimanët.

Musa vlerësoi se bojkotimi i produkteve amerikane është një nga armët më të rëndësishme që mund të përdoret kundër Izraelit dhe Washingtonit, duke theksuar nevojën që të mos nënvlerësohet efekti që do të ketë bojkoti ekonomik nga ana e muslimanëve.

Një tjetër anëtar i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Eshref Devabe, gjithashtu bëri thirrje për bojkotimin e produkteve amerikane dhe mospërdorim të dollarit.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump më 6 dhjetor shpalli njohjen e Kudsit si “kryeqytet i Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës në këtë qytet.