Globus

Dijaneti i Turqisë: Vendimi i SHBA-ve për Jerusalemin, qëndrim i pamatur

Kryetari i Presidencës së Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), Ali Erbaş, e cilësoi si qëndrim të pamatur njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke theksuar se vendimi në fjalë shpërfill njerëzimin, traditën e lashtë dhe të drejtën ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është një qëndrim i pamatur i cili shpërfill njerëzimin, traditën e lashtë dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Erbaş në një mesazh lidhur me vendimin e SHBA-ve, duke vënë në dukje Jerusalemi si kibleja e parë e Islamit po ballafaqohet me një iniciativë të padrejtë.

Duke e vlerësuar Jerusalemin si qytet islam, i cili në vete mban kujtimin e profetëve të shumtë, Erbaş tha se Jerusalemi është shembulli më i mirë i përvojës për bashkëjetesën e kulturave të ndryshme që nga e kaluara.

Ai theksoi se Jerusalemi është qytet të cilin çdo besimtar e sheh si më të shenjtë se jeta dhe prona e vet.

“Jerusalemi nuk është çështje vetëm e muslimanëve të cilët jetojnë në Palestinë dhe përreth Mesxhid-i Aksasë, por e të gjithë muslimanëve të botës. Jerusalemi dhe Mesxhid-i Aksa janë sihariqi dhe amaneti i Profetit Muhamed. Çfarë është Meka dhe Medina për muslimanët, ashtu është edhe Jerusalemi, qytet në të cilin ndodhi mrekullia e Miraxhit. Statusi i Jerusalemit nuk mund të vlerësohet vetëm si çështje politike. Ai nuk është një copë toke e çfarëdo shteti. Sot po dëshirohet të shembet cilësia e të qenit Daru’s-Selam, pra, shtëpia e paqes, e cila u mbrojt me përpikëri nga muslimanët përgjatë historisë islame. Me këtë tentativë po synohet që shtëpia e paqes të shndërrohet në shtëpi konfikti”, tha Erbaş.

– “Goditje kundër kulturës së bashkëjetesës”

Duke potencuar se vendimi i SHBA-ve për Jerusalemin është goditje kundër kulturës së bashkëjetesës, qetësisë, paqes dhe sigurisë, Erbaş tha: “Presidenca e Çështjeve Fetare të Turqisë është dhe do të jetë pranë muslimanëve të pafajshëm palestinezë dhe do të vazhdojë të ofrojë çdo lloj të mbështetjes për ta, të cilët, përkundër çdo lloj pushtimi dhe persekutimi, me vite të tëra kanë ruajtur Mesxhid-i Aksanë”.

Ndryshe, presidenti amerikan Trump të mërkurën deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet dhe aneksimin e Jerusalemit Lindor.