Dhjetë ditët e muajit Dhul-Hixhxheh

Nëntë ditët para Kurban Bajramit dhe e dhjeta dita e Kurban Bajramit, janë ditët më të vlefshme të të gjithë vitit para Allahut të lartëmadhëruar.

Këto dita fillojnë nga dita e nesërme më 23 gusht e mërkurë dhe deri në ditën e kurban Bajramit më 1 shtator ditë premte.

Allahu i lartëmadhëruar është betuar në këto dita, që nënkupton vlerën e tyre të madhe, e që besimtarët musliman ti shfrytëzojnë dhe të mos dalin të humbur nga kjo vlerë e madhe.
Allahu në Kuran thotë: “ Betohem për muzgun e agimit, dhe për dhjetë netët ( e para të muajit Dhul Hixhxheh )”. (Kur’an, 89: 1 – 2

Ndërsa Pejgamberi Muhamedi a.s. nga shumë hadithe që flet për këto dita, në këtë hadith thotë:
“Nuk ka ditë, që vlera e punëve tek Allahu është më e dashur se në këto dhjetë dita. I thanë Sahabet: As lufta në rrugë të Allahut, i Dërguar i Allahut? Tha: As lufta e shenjtë për hirë të Allahut, përveç se një person që ka dalur në luftën e shenjtë duke sakrifikuar veten dhe pasurine e tij, dhe i ka humbur të dyjat.” (Transmeton Buhariu)

Këto, pra, janë ditët më të vlefshme të vitit, ku Muhamedi a.s. thotë: “Ditët më të vlefshme të dunjasë janë këto dhjetë dita.” (Sahih elxhamiu sagir).

Allahu i madhëruar i nderoi robërit e Tij me këtë dhuratë të madhe, që ata ta shfrytëzojnë dhe të përfitojnë prej kësaj dhurate me adhurime, bamirësi, lutje etj.

Shkaku i vlerësimit të këtyre ditëve është se, në këto dita është: Dita e arafatit, kryerja e haxhit me të gjitha veprimet që përmban, dita e Kurban Bajramit, therrja e Kurbanit etj.

Vlera e adhurimeve dhe veprave të tjera të mira, shumëfishohet me shpërblime të mëdha nga Zoti.
Andaj të jemi të vëmendshëm që këtë dhuratë të madhe të Allahut tonë të madhëruar, ta e marrim me shumë seriozitet dhe shumë sinqeritet, që përmes adhurimeve dhe angazhimeve tona, të përfitojmë nga të mirate Zotit, si në këtë botë, por në veçanti për botën pas vdekjes.

ÇFARË DUHET TË BËJMË NË KËTO DITË?

Nga veprimet kryesore që duhet të mundohemi të bëjmë në këto dita:
1. Pendimi nga të gjitha mëkatet, duke kërkuar nga Zoti që të na falë mëkatet, duke i theksuar ato. Dhe gjithashtu përmes KËRKIMFALJES ( ESTAGFIRULLAH ), e që duhet ta themi sa më shumë dhe sa më shpesh.

2. Tu kërkojmë falje njerëzve që i kemi bërë zullum ( padrejtësi ), qoftë përmes fjalës, apo ndonjë veprimi, apo kthimin e borxhit, apo pagesave të veresive etj.

3. Ti kryejmë Namazet Farze me rregull, sepse lënia e namazit farz konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha në raport mes njeriut dhe Zotit.

4. Bamirësia ndaj prindërve. Gjithashtu edhe ndaj farefisit tënd të familjes së afërt.

5. Të largohemi nga të gjitha mëkatet. Qofshin ato edhe të voglat sipas mundësive, sepse mëkatet në këto dita janë shumë më të mëdha se në ditët tjera.
6. Agjërimi vullnetar i 9 ditëve, apo edhe ndonjë dite të veçantë nga këto dita. Muhamedi a.s. thotë: “”Kush agjëron një ditë për hirë të Allahut, atij Allahu do t’ia largon fytyrën nga zjarri për 70 vite ““. Transmeton Buhariu dhe Muslimi

7. Sadakë për çdo ditë nga këto dita. Sadaka ka një vlerë të madhe tek Allahu, andaj regjistrojeni veten tuaj në rgjistrin e Allahun, se ishin nga sadakadhënësit për çdo ditë të këtyre ditëve.

8. Namazet nafile, qofshin synetet e 5 farzeve, namazi i natës, namazi i paraditës etj.

9. Leximi i Kur’anit, sepse përmes leximit të Kuranit përfiton ndriçim në varr dhe shpëtim nga zjarri në ditën e gjykimit.

10. Përmendja e shumtë e Zotit. Është ndër adhurimet më të lehta dhe me vlerë shumë të madhe.
Muhamedi a.s. thotë: “.. Thuani sa më shumë në këto dita: La ilahe il-lallah, Elhamdulilah, dhe Allahu ekber “. Transmeton Ahmedi

11. Agjërimi i ditës së Arafatit, për të cilën Muhamedi a.s thotë: “” Agjërimi i ditës së arafatit duke e llogaritur për Allahun, i shlyen mëkatet (e vogla) e vitit që po kalon dhe vitit të ardhshëm “”. Transmeton Muslimi, Termidhiu etj.

12. Mundohu që të hulumtosh një familje që ka nevojë, dhe ta gëzosh atë familje, duke i përgatitur ( finansuar ) sofrën e Bajramit dhe duke ia gëzuar fëmijët me veshje për Bajram.

13. Mos rri neglizhent në këto dita duke të ikur koha, por aktivizohu në maksimum me të gjitha format e adhurimit dhe bamirësisë.

14. Të mundohet gjithkush që ta aktivizon familjene tij në këto dita, përmes adhurimeve të përbashkëta dhe lutjeve për mirësi, dashuri dhe harmoni familjare.

15. Bëhu shkaktar që ta tërheqësh dikë në këto të mira, dhe mos lejo që dikush të të tërheq ty nga këto të mira të mëdha të Zotit.

Përshtati:
RAGMI DESTANI

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply