MendimeOpinione

Dexhalli dhe fukarenjtë pa dinjitet

1.32Kviews

Meho Shljivo

Se a e ka pushtuar Dexhalli shpirtin tonë, është një pyetje të cilës, përveç fukarenjve pa dinjitet, përgjigje duhet t’i japin edhe pasanikët lakmitarë.

Mendimtari i shkëlqyer Muhamed Asad thoshte se civilizimi modern teknologjik i ka të gjitha karakteristikat dhe cilësitë e Dexhallit. Dexhalli është i verbër në njërin sy. Gjithashtu edhe civilizimi teknologjik modern. Jashtë progresit material Dexhalli nuk sheh ndonjë qëllim dhe kuptim të jetës. Civilizimi teknologjik modern nuk pranon dhe nuk njeh vlera dhe parime jomateriale. Njohuritë e tij shkencore disponojnë fuqitë e Dexhallit,  sepse mundësojnë rënien e shiut dhe rritjen e bimëve, ndërsa mjekësia e saj ringjall ata që janë afër vdekjes. Progresi material i civilizimit teknologjik modern është i shkëlqyer dhe monumental dhe, në të njëjtën kohë, është aq i  qartë, sa që  njerëzit me besim të dobët të fillojnë ta admirojnë si një Zot. Vetëm ata që janë të vetëdijshëm për Krijuesin e tyre e dinë se të adhurosh Dexhallin do të thotë të mohosh All-llahun.

Ndërsa Dexhalli, siç na mëson edhe feja jonë, nuk kënaqet me një sukses të përgjysmuar. Derisa shpirti i njeriut i kundërvihet joshjeve të Dexhallit dhe derisa qëllimet e jetës dhe jetën në përgjithësi e shohim me të dy sytë, me syrin e shpirtit dhe materies, Dexhalli nuk e ka kryer punën e tij plotësisht. Për atë, Muhamed Asad, me pyetjen për lirinë e shpirtit tonë, lë hapësirë për një lloj shpresë se në luftën me Dexhallin me një sy nuk është gjithçka e humbur: A thua vallë, Perëndimi e ka pushtuar shpirtin tonë apo vetëm se është afruar tek veshët tanë?!

Si duket  pyetjes së Muhamed Asadit duhet secili për vete t’i përgjigjet, sepse çdokush e di se çfarë fshihet në shpirtin e tij. Sa i përket autorit të këtyre rreshtave, moti kohë e ka vërejtur se ndikimi i joshjeve të Dexhallit, tanimë, ka depërtuar thellë në ndërgjegjen, kriteret dhe shprehitë tona. Mjafton që si ilustrim ta përmendim raportin tonë ndaj varfërisë.

Edhe pse Islami varfërinë nuk e kupton dhe nuk e sheh si ndonjë virtyt apo cilësi, Profetit Muhamed a.s. i përshkruhen fjalët  فًهْرىٍ  – varfëria është krenaria ime. Dhe në të vërtetë kush e mbajti  me shumë krenari dhe dinjitet varfërinë e tij sikur Muhamedi a.s.? A ndodhi që Muhamedi a.s. për shkak të urisë që  e vuajti shpesh apo për shkak të skamjes që kaplonte në shumë raste shtëpinë e tij, të  tradhtojë apo braktis ndonjë nga parimet e tij për të cilat jetoi?A ka në varfërinë dhe gjurmët e tij një ndjenjë të tillë të inferioritetit dhe humbjes së vlerave për shkak të pamundësisë që të posedojmë të mirat e kësaj bote? Krenarinë e  Pejgamberit a.s. në varfëri,  sahabët e tij e kuptuan në formën e drejtë etike: ishin të kënaqur me nafakën dhe urryen çdo lloj shtrirje të dorës, sepse lypja apo shtrirja e dorës të varfrin e bën edhe më të varfër.  E bën më të varfër për nga krenaria dhe dinjiteti dhe me këtë bëhet i verbër ndaj pasurisë dhe vlerave shpirtërore.

Varfëria është bërë turp edhe pse gjigantët e shpirtit jetuan modest. Për fat të keq sot është më turp të mos kesh se sa të fitosh pasurinë në mënyrë të dyshimtë dhe të ndaluar. Në vend që të varfrit krenarë tek  ne të kenë një nderë dhe respekt të veçantë sepse siç thotë Kurani me lypjen e tyre nuk i bezdisin njerëzit, ata pak a shumë janë bërë të padukshëm për ne. Atëherë, pse na vjen çudi kur shohim se si te fukarenjtë ka humbur krenaria dhe dinjiteti?! Kush është ai që asnjëherë nuk iu është servilosur të pasurve apo të pushtetshmëve për të përmirësuar statusin e tij social? Në anën tjetër sa ka prej nesh që për herë të fundit kanë pas dëshirë apo nevojë që të afrohen me njerëz më të varfër se vetja? Nëse  bisedon me njerëz të thjeshtë thonë se më shumë preken nga dhimbja e  njerëzve të cilët ankohen se janë të margjinalizuar vetëm për shkak të statusit të dobët material. Dhe bën gjithçka si dhe  duron çdo gjë për t’u larguar nga ajo varfëri, pa marrë parasysh çmimin që largimi nga varfëria nënkupton , duke përfshirë edhe sakrificën e krenarisë dhe nderit. Për t’u larguar nga margjinalizim i dhimbshëm do ta shkel fjalën e dhënë, do ta humb fytyrën, do ta harrojë familjen dhe prindërit.

Sot të varfrit pa dinjitet lënë gjithçka që kanë arritur, duke shpresuar se do të arrijnë edhe më tepër. I lënë vendet e punës dhe rrogat e mira në vendlindje dhe largohen për në provincat evropiane të punojnë punë më të vështira dhe nënçmuese, për të cilat do të paguhen më mirë. Në anën tjetër, po në vendlindje jepen paga të mjerueshme dhe shkelen punëtorët, andaj  njerëzit e ndershëm, për shkak të krenarisë së tyre, nuk punojnë një punë të tillë skllavërie. Dhe ndodhë që,  në një konkurs të një firme lokale të paraqiten tre kandidatë. Përndryshe firma kishte hapur 400 vende të lira pune…

A e ka pushtuar Dexhalli shpirtin tonë është një pyetje që përveç varfanjakut  pa dinjitet duhet t’i përgjigjet edhe i pasuri lakmitar. Edhe njëri edhe tjetri kanë simptomat e shikimit të botës me një sy. Për shkak të këtij shikimi humb vizioni i drejtë për jetën. Dhe, çka është më e keqja, humb edhe feja.

Përktheu: Arsim Dauti

(Breziiri)