Hutbe

Çka na mëson hixhreti?

1.05Kviews

Të dashur vëllezër në Islam!

Falënderimi i takon Allahut i Cili në librin e Tij të shenjtë betohet në kohën dhe i Cili vitin e ka ndarë në 12 muaj. Salavat dhe selam i dërgojmë Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit (a.s.), i cili na paralajmëron duke thënë: “Mos e shani kohën, se vërtetë Allahu është koha.”

Koha është begati por edhe sprovë. Një sasi e caktuar kohore na është vënë në dispozicion për ne, por do të përgjigjemi për secilën sekondë. Koha kalon dhe lë gjurmë, ndërsa gjurma më e mirë është një vepër e mirë. Pjesën më të madhe të kohës që ka kaluar, ne në fakt, nuk e mbajmë mend. Mbahen në mend vetëm disa gjurmë, disa momente, disa vepra, disa personalitete, disa ngjarje … Mbahen në mend për shkak të diçkaje që ka mbetur e paharrueshme.

Para nesh sivjet është me radhë viti i ri hixhrij 1440. Me këtë rast muslimanët në mbarë botën e kujtojnë Hixhretin. Hixhreti është shpërngulja e Muhamedit (a.s.), së bashku me muslimanët e tjerë nga Meka në Medinë. Hixhreti është dalje nga tortura, nga pushtimi dhe nga shtypja në liri. Sipas Hixhretit muslimanët, me iniciativën e halifit Omer (r.a.), e llogarisin kohën dhe e përdorin kalendarin hixhrij. Çdo gjë në fenë tonë të bukur është mësim, dhe çdo ngjarje, madje edhe ngjarja më e vogël në të kaluarën tonë të ndritshme është mësim më i vlefshëm sa ari. Kështu është edhe me Hixhretin. Mësimet dhe mesazhet e tij janë të shumta. Përmes kësaj hutbeje ne do të kufizohemi vetëm në disa prej tyre, më saktësisht në tri.

1. Nuk ka derë pa çelës – nuk ka problem pa zgjidhje

Në suren et-Talak (2-3), Allahu i Plotfuqishëm porosit: “… e kush ia ka dronë Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, – dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret…”

Si të përshkruhet ndryshe situata e rëndë dhe gjendja e padurueshme e muslimanëve në Mekë para se të kryhej Hixhreti, pos me fjalët: problem i pazgjidhshëm?! Muslimanët ishin plotësisht pa të drejta, pa mundësi të praktikimit të lirë të fesë, pa liri të lëvizjes dhe të pjesëmarrjes në jetën publike. Madje në periudha të caktuara ata ishin plotësisht të izoluar, pa ushqim, pa ujë dhe pa asnjë kontakt me pjesën tjetër të botës. Problemi me të vërtetë dukej i pazgjidhshëm.
E pazgjidhshme dukej edhe situata në të cilën armiqtë e kishin rrethuar shtëpinë ku e kishte kaluar natën Muhamedi (a.s.), me qëllimin e vetëm – që ta vrasin atë. Dukej se për Pejgamberin (a.s.) nuk kishte rrugëdalje.

Rrugëdalje nuk pati edhe atëherë kur Suraka, i etur për shpërblimin e madh, i cili iu premtua atij që e sjell kokën e Muhamedit, e arriti Pejgamberin (a.s.), si dhe e vringëlloi shpatën e vet mbi kokën e tij.

Rrugëdalja nuk shihej as në shpellë, kur mushrikëve ju mjaftonte vetëm të përkuleshin dhe nëpër vrimë të shikonin në brendësi të shpellës, në të cilën ishin Muhamedi (a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.).

Të gjitha këto situata ishin të pashpresa. Mirëpo, me besimin e vërtetë dhe mbështetjen tek Allahu, Ai dha u dha zgjidhje dhe rrugëdalje.

Le ta analizojmë pak edhe jetën tonë. Besoj se secili prej nesh do të gjejmë të paktën një detaj apo situatë të jetës tonë, në të cilën kemi menduar se nuk ka rrugëdalje. Hixhreti na mëson se, sikur që nuk ka derë e cila nuk ka çelës, po ashtu nuk ekziston asnjë problem, për të cilin Zoti ynë nuk ka lënë zgjidhje, me kusht që sinqerisht t’i besojmë Atij dhe me të vërtetë t’i mbështetemi.

Le ta kemi ndërmend edhe këtë hadith të Pejgamberit (a.s.): “Sikur ju të gjithë me të vërtetë të mbështeteni në Allahun, Ai do t’ju furnizojë sikur që i furnizon zogjtë: në mëngjes ata shkojnë të uritur, kurse në mbrëmje kthehen të ngopur.” (Tirmidhiu)

2. Bashkësia është para individit

Muhamedi (a.s.) shprehimisht ka kërkuar që të respektohet e drejta e çdo individi, por gjithmonë i ka dhënë përparësi bashkësisë. Është e njohur se ai në fillim e liroi një të verbër nga ardhja për ta falur namazin me xhemat, natyrisht, për shkak të vështirësive që i shkaktonte ardhja në xhemat një personi të verbër. Mirëpo, kur mësoi se ai i verbëri e dëgjonte ezanin, atëherë nuk e liroi nga detyrimi i ardhjes në xhemat.

Në të njëjtën linjë është edhe Hixhreti. Muhamedi (a.s.) nuk e bëri atë për vete apo për ndonjë individ tjetër, por Hixhretin ai bëri ekskluzivisht për ruajtjen e xhematit. Ai u nis rrugës për në Medinë – Jethribin e atëhershëm, vetëm pasi që edhe muslimani i fundit u largua nga Meka dhe bëri Hixhret. Para kësaj, ai u bind se kushtet e jetës dhe praktikimit normal të besimit në mjedisin e ri, ishin shumë më të mira.

Për ta ruajtur bashkësinë, për ta mbajtur xhematin të bashkuar, ai u detyrua t’i eliminojë të gjitha dallimet klasore dhe sociale në mes të besimtarëve. Këtë ai e bëri duke i vëllazëruar muhaxhirët nga Meka dhe ensarët e Medinës. Në këtë mënyrë, e cila nuk ishte shënuar kurrë deri atëherë, i afroi zemrat e besimtarëve dhe e forcoi xhematin si kurrë më parë.

Përveç kësaj, Muhamedi (a.s.), i respektoi dhe pranoi të drejtat e komuniteteve të tjera në Medinë. Marrëdhëniet me ta i rregulloi me Kartën e famshme e Medinës, e cila ishte shumë e rëndësishme si për vetë muslimanët, ashtu edhe për të gjithë banorët e Medinës.

3. Miku i vërtetë është begati e madhe

Hixhreti na dërgon mesazh të fortë edhe për rëndësinë e miqësisë, jo asaj nga interesi, por miqësinë e pastër dhe të sinqertë. Sahabët praktikisht garonin se cili më parë do t’i vijë në ndihmë tjetrit. Kjo veçanërisht ishte e dukshme kur bëhej fjalë për raportin ndaj Muhamedit (a.s.). Kështu, Aliu (r.a.), e rrezikoi jetën e tij dhe ra në shtratin e Muhamedit (a.s.), të cilit i ishte përgatitur kurthi dhe vrasja. Tregim i veçantë i Hixhretit është i nderuari Ebu Bekri (r.a.), të cilin edhe Kurani e përmend si shokun e Muhamedit (a.s.) në shpellë.

Ebu Bekri ishte ndër të parët që e pranoi Islamin dhe qysh atëherë ishte bërë mik i ngushtë i Muhamedit (a.s.), të cilit i besonte me bindje. Në fakt, besimi ishte i ndërsjellë. Kur Pejgamberi (a.s.), në një pjesë të natës bëri Isra dhe Miraxh, që edhe për kushtet e sotme është një distancë pothuajse të pakalueshme në një periudhë kaq të shkurtër, dhe ai në lidhje me të foli publikisht, mbretëroi mosbesimi. Një shumicë këtë lajm e karakterizuan si gënjeshtër. Një shumicë tjetër ishin të dyshimtë. Por, jo edhe Ebu Bekri (r.a.). Ai kishte besim të pakufizuar tek miku i tij dhe e dinte se ai e flet vetëm të vërtetën, andaj si të tillë edhe e pranoi lajmin e çuditshëm. Ai e fitoi pseudonimin es-Siddik – i Sinqerti. I tillë mbeti deri në fund të jetës së tij.
Ai i besonte Muhamedit (a.s.), ndërsa miqësinë e tij e dëshmoi edhe gjatë Hixhretit, kur ishte si një hije e besueshme e Pejgamberit (a.s.) në udhëtimin e gjatë mes Mekës dhe Jethribit. Ata së bashku i përballuan vështirësitë e rrugës dhe së bashku u strehuan në shpellë, ku Ebu Bekri me duart e tij e mbrojti Muhamedin (a.s.) nga kafshimi i gjarprit.
Së fundi, Ebu Bekri ishte i denjë që Muhamedi (a.s.) ta përshkruante në këtë mënyrë: “Nëse imani i Ebu Bekrit do të vendosej në njërën anë të peshores, kurse në tjetrën imani i gjithë umetit, do ta rëndonte imani i Ebu Bekrit!”

Miku i nevojitet secilit prej nesh dhe ne të gjithë dëshirojmë që të kemi sa më shumë të atillë, tek të cilët mund të mbështetemi dhe tek të cilët kemi besim të pakushtëzuar. Shkurtimisht, të gjithë duam miq. Mirëpo, për të pasur me të vërtetë miq, duhet edhe ne të jemi miq. Është e çmendur të presësh besimin e dikujt, nëse ai (besimi) nuk është nga ana jonë. Është e pamundur t’u kërkohet të tjerëve që të jenë të sinqertë ndaj nesh, ndërsa vet të mos jemi të tillë.

Prandaj sinqeriteti dhe besimi i Ebu Bekrit është një nga mësimet më të mëdha të Hixhretit.

Së fundi, le ta themi edhe këtë:

Besimtarin e vërtetë Allahu i Plotfuqishëm, kurrë nuk do ta lërë vetëm.

E drejta e xhematit është më e rëndësishmja.

Nëse duam miq të sinqertë, atëherë edhe vetë duhet të jemi të tillë.

O Zot, na bëj që vetëm Ty të shërbejmë, që fenë tonë ta duam dhe sipas saj të jetojmë, kur të na vesh në probleme dhe vështirësi, na e trego zgjidhjen dhe rrugëdaljen, forcoje xhematin tonë dhe na stolis neve me miq të sinqertë. AMIN!

Burimi: Safet Pozder, Imam.ba

Perktheu: Miftar Ajdini