Islamisitikë

Çka duhet ta këshillojmë personin që agjëron, por nuk falet?

510views

Njeriu nuk falet, dhe nëse i themi atij që edhe të mos agjërojë, sepse agjërimi pa namaz nuk do të pranohet, atëherë e kemi dorëzuar në duart e armikut tij dhe tonin më të madh – shejtanit.

A nuk është më mirë t’i thuhet atij le të agjërojë, dhe kështu ta mbajë një lidhje me Zotin, dhe ndoshta për shkak të kësaj porte Allahu do t’ia hapi edhe portën e namazit. Kurrë nuk i dihet.

Këtë e konfirmon edhe tregimi vijues …

Transmetohet se Imam Ahmedi (r.h.), e kishte parë një njeri duke vjedhur, dhe pastaj të njëjtin njeri, vjedhësin, e kishte parë në xhami. Ai e kishte pyetur, pse po vjen ti në xhami kur edhe po vjedh? Kurse ai ishte përgjigjur se namazi ishte porta e vetme që kishte mbetur midis tij dhe Allahut. Kur i dëgjoi këto fjalë, imam Ahmedi shkoi në punën e vet.

Disa vjet më vonë, kur imam Ahmedi ndodhej në haxh, e sheh një njeri që ishte ngjitur për Qabe dhe qante. Iu afrua dhe pa se ky ishte ai njeriu, të cilin e kishte parë më parë duke vjedhur. E pyeti se çka kishte ndodhur me të, kurse ai duke qarë i tha se ishte penduar tek Allahu dhe ishte kthyer plotësisht në fe, dhe shtoi: “A po sheh, miku im, unë e kam ruajtur atë portën mes meje dhe Allahut, pastaj Allahu mi ka hapur edhe portat tjera.”

Gjithsesi, njerëzve duhet t’ua mësojmë se namazi është në shkallë më të madhe të detyrimit dhe është para agjërimit, në çdo kuptim, dhe se agjërimi pa namaz është i gjymtë dhe i mangët. Megjithatë, personin e tillë nuk duhet ta shtyjmë në dëshpërim dhe pashpresë, nëse nuk e zbaton këshillën tonë aktuale në praktikë – për shkak të (mos)kuptimit tij të fesë, për shkak të mjedisit të keq, për shkak të ndonjë dobësie, apo për ndonjë arsye tjetër,.

Duhet ta dimë se truri i tij nuk është i kthjellët sikur i yni, dhe se ai në shpirtin e tij dhe në kokën e tij ka 1000 justifikime, pengesa dhe dilema. Për këtë arsye, duhet të përpiqemi që në një mënyrë të bukur, t’ia sqarojmë dhe ta udhëzojmë në rrugë të drejtë.

Përshtati: Miftar Ajdini