Islamisitikë

Cilat mëkate janë më të “preferuara” tek Allahu sesa veprat e mira?

475views

Pyetja nga titulli duket e pazakonshme dhe e çuditshme. Dikush ndoshta mund të mendojë se është në pyetje ndonjë konstatim plotësisht i gabuar, e madje edhe i pamundur.

Megjithatë, është fakt se ndonjëherë mëkatet e bëra, nëse shoqërohen me pendim të sinqertë dhe pranim të dobësisë para Krijuesit Suprem, besimtarit i sjellin më tepër dobi sesa shumë vepra të mira të cilat kryhen pa sinqeritet të mjaftueshëm dhe pa dëshirë për kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm. Pikërisht në këtë kontekst përcillen fjalët e disa dijetarëve të gjeneratave të para, të cilët kanë thënë:

“BESIMTARI NDONJËHERË E KRYEN NJË MËKAT I CILI DO TA ÇOJË NË XHENET, KURSE NGANJËHERË E KRYEN NJË VEPËR TË MIRË E CILA DO TA ÇOJË NË ZJARR.”

Prandaj, nëse në momentet e dobësisë dhe neglizhencës, të cilat janë karakteristikë për të gjithë njerëzit, besimtari kryen një mëkat të caktuar ose disa sosh, mirëpo pastaj:

– është i vetëdijshëm për faktin se i ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar nga Allahu;

– është i pikëlluar dhe i brengosur;

– vazhdimisht e mban në mendjen e tij madhësinë e Atij ndaj kujt ka bërë mëkat, dhe jo “vogëlsinë” eventuale e mëkatit që ka kryer;

– gjithmonë ato mëkate ai i ka para syve të tij;

– për to mendon edhe kur ecë, kur rri ulur, kur rri shtrirë, dhe i sheh si një shkëmb i madh i varur mbi të, i cili e kërcënon se në çdo moment mund të bie mbi të dhe ta shkatërrojë;

– për shkak të këtyre mëkateve ndjehet fajtor, e bren ndërgjegjja dhe pendohet tek Allahu i Plotfuqishëm duke iu lutur që ta falë, sepse e di se pendimi i sinqertë i fshin mëkatet e kryera më parë:

“… Se Allahu i don bamirësit, – dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Allahut? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë.” (Alu Imran, 134-135)

Gjithashtu, sa herë që kujton atë që ka bërë, ai nxiton për të kryer lloje të ndryshme të veprave të mira, duke e ditur se veprat e mira i fshijnë të këqijat, dhe sinqerisht shpreson se ato do të jenë shpengim për neglizhencën e tij, për lëshimet dhe për mëkatet:

“Dhe kryeje namazin në mëngjes dhe mbrëmje dhe me një kohë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (surja Hud, 114)

Megjithatë, ai nuk lejon që mëkati ta sjellë në gjendje të dëshirimit, e ta humbas shpresën për falje, sepse e di se: “Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humbin, përpos populli mohues.” (Jusuf, 87)

NË KËTË MËNYRË, MËKATET QË KA BËRË BËHEN SHKAK I SHPËTIMIT DHE SUKSESIT TË TIJ, QË PASTAJ, ME VULLNETIN DHE MËSHIRËN E ALLAHUT, E QOJNË DIREKT NË XHENET.
*****
Në anën tjetër, besimtari nganjëherë e bën një vepër të mirë, të cilën në thelb edhe e ka bërë sinqerisht për hir të Allahut, mirëpo, pas një kohe tek ai shfaqet një krenari, për shkak të asaj që ka bërë, andaj ndjehet i rëndësishëm, i madh dhe i paarritshëm.

Sa herë që e kujton atë punë të mirë dhe përpjekjet që ka investuar, egoja e tij rritet dhe fillon të mendojë se meriton njohjen dhe respektin e mjedisit.

Me kalimin e kohës, për këtë vepër të mirë të bërë fillon vazhdimisht të mendojë, gjë që ngadalë e çon në arrogancë, andaj mendon se vetëm ai është meritor për atë që ka bërë, duke harruar se ajo në rend të parë ishte një formë e mëshirës dhe mirësisë së Allahut të cilën ia ka dhuruar.

Nëse nuk e lavdërojnë njerëzit publikisht dhe nuk ia përmendin atë që ka bërë, ajo e zemëron dhe e mërzit deri në pikën, sa që fillon t’i akuzojë njerëzit se nuk po e respektojnë sa duhet dhe nuk po e tregojnë vëmendjen e mjaftueshme të cilën ai e meriton.

Në fund të fundit, i kënaqur me vetveten dhe me veprat e tij, bëhet aq kryelartë dhe mendjemadh sa që vëllezërit e tij muslimanë fillon t’i shikojë me përbuzje dhe dyshim, që nuk është asgjë tjetër, pos mendjemadhësi për të cilën Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” Një burrë i tha: Dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? I Dërguari i Zotit (savs), tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogancë ndaj njerëzve.” (Muslimi, 91 nga Abdullah b. Mesudi, r.a.)

Për këtë shkak, besimtari duhet t’i rishikojë nijetet – qëllimet e tij dhe të bëjë vetëllogari.
SINQERITETI ËSHTË KUSHTI THEMELOR QË NJË VEPËR TË JETË E PRANUAR TEK ALLAHU I PLOTFUQISHËM, KËSHTU QË NËSE NË QËLLIM NDËRHYN DIÇKA TJETËR PËRVEÇ DËSHIRËS PËR KËNAQËSINË E ALLAHUT TË PLOTFUQISHËM, KA SHUMË MUNDËSI QË NË VEND TË SHPËRBLIMIT TË PRITSHËM, KRYERËSI I VEPRËS SË MIRË TË PËRJETOJË POSHTËRIM NË KËTË BOTË DHE DËNIM NË BOTËN TJETËR.

Perktheu: Miftar Ajdini