Islamisitikë

Cila sadaka është më e mirë

242views

Vëllezër të nderuar!

Dëshira e të gjithë neve do të duhej të jetë që në këtë botë kalimtare dhe mashtruese të arrijmë sa më shumë të mira dhe në këtë mënyrë të përgatitemi për botën e ardhme, për botën më të mirë dhe të përjetshme. Në këtë drejtim është e rëndësishme të dimë se si të arrijmë vlerë sa më të lartë të mundshme për të gjitha veprat tona të mira, pra, edhe për sadakën. Këtë in sha Allah sot do ta mësojmë përmes ajeteve kuranore dhe thënieve të Pejgamberit, savs:

Vëllezër të nderuar! Sadaka më e mirë është:

1. Ajo që jepet fshehtas:

Allahu i Madhërishëm, në ajetin 271 të sures el-Bekare, thotë:
“Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. Allahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.”

Kurse në një transmetim unanim të hadithit të Pejgamberit a.s. thuhet se ata që e japin sadakën në mënyrë të fshehtë do të jenë nën hijen e Allahut në Ditën e gjykimit:

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shtatë veta Allahu do t’i vendos nën hijen e Tij në Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër… 6. Njeriun i cili jep sadakë fshehtas, ashtu që dora e majtë e tij, nuk di çka ka dhënë e djathta…” (Muttefekun alejhi)

Kur ne japim sadakë në fshehtësi, ne e tregojnë nijetin tonë të pastër se e japim në emrin e Allahut të Madhërishëm, i Cili do të na shpërblejë me një shpërblim të veçantë. Përndryshe, djalli të mallkuar mund të ndërhyjë dhe të na përziejë formalizmin (që dikush na sheh), e kjo e shlyen veprën e mirë, sepse Allahu i Madhërishëm, i pranon vetëm veprat që njeriu i bën sinqerisht në emër të Tij.

2. Atëherë kur njeriu është i shëndoshë dhe i aftë të fitojë:

Transmeton Ebu Hurejre r.a.: “Erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, cila sadakë është më e mirë?” Ai tha: “Nëse japësh sadakë derisa je i shëndetshëm dhe derisa e don pasurinë dhe i frikësohesh varfërisë! Mos e shtyjë – mos e vono, kështu që kur të vjen shpirti në fyt të mos thua: “Kjo është për këtë, e kjo për këtë!” Po a nuk i mbetët krejt dikujt?!” (Buhariu)

Ibn Mesudi r.a. ka thënë: “Një dërhem të cilin e ndanë dikush nga ju duke qenë me shëndet dhe me lakmi, është më i mirë se 100 dërhemë me të cilët e lënë testamentin në prag të vdekjes tënde.”

3. Dhënia e sadakës në pajtim me mundësitë:

Sadaka e vogël mund ta peshojë sadakën e madhe siç thuhet në hadithin vijues: Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një dërhem i ka tejkaluar 100 mijë dërhemë!”

Ata thanë: “Si kështu?” Ai tha: “Një njeri kishte 2 dërhemë dhe si sadakë e dha një, kurse një tjetër njeri shkoi në pronat e tij të mëdha dhe mori 100 mijë dërhemë dhe i dha si sadakë.” (En-Nesai)

I pari ka dhënë gjysmën e asaj që posedonte, ndërsa tjetri dha vetëm një pjesë të pasurisë së tij dhe pa marrë parasysh që dallimi është për 100 mijë dërhemë, i pari me një dërhem e ka tejkaluar në shpërblim.

4. Për mbajtjen e familjes:

Pejgamberi a.s. në hadithin që shënon Buhariu thotë: Transmeton Ibn Mesudi r.a. se i Dërguari i Allahut savs, ka thënë: “Kur një njeri shpenzon diçka për familjen e tij, me nijet të sadakës, do t’i llogaritet si sadakë!” (Buhariu)

Në një transmetim tjetër thuhet:
Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një dinar të cilin ia jep një të varfëri, një dinarë të cilin e jep për çlirim nga robëria, një dinar të cilin e shpenzon në rrugën e Allahut dhe një dinar që ia jep familjes tënde – dinari më i mirë është ai që ia jep familjes tënde!” (Muslimi)

5. Sadaka për të afërmit:

Ebu Talha ka qenë ensariu më i pasur në Medine, kurse pasuria më e dashur për të ishte një arë me emrin Bujreha, e cila ishte në drejtim të xhamisë, dhe Pejgamberi a.s. pinte ujë prej saj. Tregon Enesi r.a.: “Kur u shpall ajeti 92 i sures Ali Imran, ku thuhet:

“Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), Allahu atë e di.”

Ebu Talha erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, Allahu në Librin e Tij po thotë: “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj…”, kurse unë pasurinë më të dashur e kam Bujrehan, andaj po jap si sadakë në emër të Allahut. Përfitimin dhe frytet nga ajo unë i dua te Allahu, andaj jepe ku të duash!” Pejgamberi a.s. thotë: “E kjo është e mirë, është pasuri fitimprurëse. Unë dëgjova çfarë the, por unë po të propozoj që t’ua japësh të afërmve!” Ebu Talha tha: “Do të bëj ashtu, o i Dërguari i Allahut!” Dhe kështu, Ebu Talha ua ndau të afërmve dhe kushërirëve të tij! (Buhariu)

6. Sadaka për fqinjët:

Në hadithin që e shënon Imam Maliku, transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk është besimtar ai i cili është i ngopur, kurse fqinji i tij i uritur!” (Maliku)

Vëllezër të nderuar!

Le të mendojmë rreth këtij hadithi! A janë fqinjët tanë të uritur, kurse ne të ushqyer, pa marrë parasysh kush janë ata, sepse hadithi nuk vlen vetëm për muslimanët, por për të gjithë fqinjët? Nëse janë të uritur, sipas hadithit ne nuk jemi besimtarë. Atëherë çfarë jemi ne? Sikur secili prej nesh të kujdeset për të afërmin e tij, nuk do të kishte asnjë të uritur në Kosovën tonë të bukur …

7. Sadaka për xhihad:

Dhënia për xhihad kundër kafirave dhe munafikëve, bën pjesë në format më të larta të sadakës, për të cilën Allahu i Madhërishëm flet në shumë ajete kur’anore, në të cilat xhihadi me pasuri është vendosur para xhihadit me jetë. Ndër këto ajete është edhe ajeti 41 i sures et-Tevbe, ku thuhet:

“Dilni (në luftë), le t’ju vijë (lufta) e lehtë ose e rendë, luftoni për hire të Allahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj; kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni.”

Kurse në transmetim të Zejd ibn Halidit r.a. i Dërguari i Allahut, savs, ka thënë: “Kush e pajis një luftëtar në rrugën e Allahut edhe ai është luftëtar, dhe kush e jep një luftëtar në rrugën e Allahut edhe ai është luftëtar!” (Buhariu)

8. Sadaka e përhershme-vazhdueshme:

Kjo është një sadakë të cilën njeriu e jep dhe ajo vazhdon edhe pas vdekjes së tij, kështu që edhe pas vdekjes së tij i shkruhen veprat e mira. Në këtë kuptim, është edhe hadithi i Pejgamberit savs: Transmeton Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i Allahut savs, ka thënë: “Kur njeriu vdes, i ndërpritet shkrimi e veprave të mira, përveç në tre raste: sadaka e vazhdueshme, dituria me të cilën njerëzit shërbehen, dhe një fëmijë i mirë i cili lutet për të!” (Muslimi)

Vëllezër të nderuar!

Të bëhemi prej atyre që japin lëmoshë fshehurazi, dhe të cilët në mënyrë hallall i mbajnë familjet e tyre, dhe të cilët u ndihmojnë të afërmve, dhe të cilët e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Allahut të Madhërishëm, duke shpresuar vetëm shpërblimin e Tij!

I lutemi Allahut të Madhërishëm, të na ndihmojë ta ruajmë dritën e Islamit, të na bëjë prej atyre që e pasojnë Sunetin e Pejgamberit savs, të na bëjë prej atyre që japin sadakën vetëm në emër të Allahut, të na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë, që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë gëzimin e syve dhe zemrave tona, që të ketë mëshirë për ne në Ditën e gjykimit, dhe të na nderojë në xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë! Amin!

Nezim Haliloviq Muderris;

Përshtati: Miftar Ajdini