Globus

Biznesmeni algjerian do të paguajë edhe “gjobat e burkës” në Danimarkë

714views

Biznesmeni algjerian Rachid Nekkaz, i njohur për kundërshtimin e tij ndaj dënimeve për burkën që kanë hyrë në fuqi në disa vende të Evropës, njoftoi se përveç 1.538 gjobave që ka paguar deri tani në gjashtë vende do të paguajë edhe gjobat për ndalesën e burkës në Danimarkë.

Biznesmeni algjerian i cili deri tani ka paguar edhe gjobat për ndalesën e burkës dhe mbulesës si rroba plazhi (burkini) në Francë ka shpjeguar për Anadolu Agency (AA) iniciativën e tij në lidhje me gjobat që ndërhyjnë ndaj ambienteve jetësore dhe lirive të muslimanëve.

– “Kam ardhur për të mbrojtur lirinë”

Ai tha se ka vizituar Iranin më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me qëllim mbështetjen e lirisë së 29 grave të arrestuara për shkak se nuk dëshironin të mbanin burka, dhe se këtë herë ka mbërritur në Danimarkë për të kundërshtuar dënimet, gjobat kundër burkës. “Qëllimi i ndodhjes sime këtu nuk është të mbroj fenë, por të mbroj lirinë. Parimi i lirisë është një e drejtë globale. Për këtë arsye unë mbroj të drejtat e atyre të cilët në Evropë dëshirojnë të mbajnë burkën dhe të drejtat e atyre në Iran që nuk dëshirojnë ta mbajnë burkën. Është shumë e rëndësishme që qeverisë së Danimarkës t’i shpjegohet se gratë mbajnë burkën me dëshirën e tyre të lirë”, theksoi Nekkaz.

Rachid Nekkaz, i cili ka formuar një fond prej 1 milion euro për të paguar “gjobat e burkës”, ka deklaruar se “Deri tani kam paguar 1.538 gjoba për burkën në 6 vende si Francë, Belgjikë, Zvicër, Holandë, Austri dhe Gjermani. Do të paguaj gjithashtu edhe gjobat në Danimarkë. Së shpejti edhe gjobat në Bullgari. Për mua është shumë e rëndësishme që t’iu jap mesazhin qeverive në Evropë se ‘nuk mund të bëni çfarë të dëshironi’ në çështjen e kufizimeve të lirive. Nëse një vend nxjerr ligj për gjobitje kundër atyre që dëshirojnë të mbajnë burkën, unë do të jemi personi i cili do të paguaj këto gjoba”.

“Për muslimanët që jetojnë në Evropë, situata do të jetë shumë më e keqe”, është shprehur Nekkaz, duke shtuar më tej se “Sepse qeveritë në Evropë nuk ofrojnë zgjidhje që muslimanët të përshtaten në Evropë. Komuniteti musliman në Evropë për këtë arsye duhet të jetë shumë më i fortë për të mbrojtur interesat e tij. Nëse situata vazhdon siç është tani, e ardhmja e muslimanëve në Evropë nuk është shumë e ndritshme”.

– “Nuk jemi më shumë se 50 persona”

Nga ana tjetër, Sara, një vajzë turke 30-vjeçare, e cila është lindur dhe rritur në Danimarkë dhe po përgatitet për universitet, mori pjesë në një protestë para parlamentit danez për të treguar se është kundër ndalimit të burkës. Duke vënë në dukje se nuk do të kenë mundësinë as të dalin në rrugë me vendosjen e ndalesës së burkës në Danimarkë, Sara tha se në vendin që ka një popullsi prej 5.7 milionë banorë nuk ndodhen më shumë se 50 gra që veshin burkën.

“Ka një qëndrim negativ ndaj muslimanëve në Danimarkë dhe Evropë, ashtu sikurse qëndrimi negativ ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore” është shprehur Sara. Ajo tha se gjobat e vendosura ndaj saj për shkak të burkës nuk janë të rëndësishme për të dhe se këtë pjesë as që e ka menduar.

“Ndalesa e burkës e cila pritet të hyjë në fuqi në Danimarkë është vetëm një fillim. Aktualisht nuk e ndalojnë burkën për arsyen se nuk duket fytyra, por e ndalojnë sepse ne jemi muslimanë. Do të vijë një ditë që do të ndalojnë edhe shaminë mbulesën. Ndërsa më pas do të ndalojnë mishin hallall. Do të ndalojnë çdo gjë që u përket muslimanëve”, tha Sara për AA.

Më tej duke bërë të ditur se me ndalesën do të kufizohen liritë, Sara ka theksuar “Ne nga këtu dëshirojmë t’i japim një mesazh politikanëve danezë. Ne atyre duam t’iu shprehim se ata flasin kaq shumë për liritë, por ku janë liritë tona? Ku është liria jonë fetare? Përse ne nuk mund të mbulojmë fytyrën ashtu si dëshirojmë? Danimarka është një vend aq i ftohtë saqë të gjithë ata që kanë ardhur sot këtu e kanë fytyrën e mbuluar me shall, ndërkohë që mbulesa e fytyrës sonë të cilën e bëjmë për Allah-un bëhet problem”.