Fikh

Betimet dhe shpagimi

265views

BETIMET DHE SHPAGIMI

Betim është përmendja e Allahut Fuqiplotë për të pohuar apo mohuar vërtetësinë e diçkaje ose për të premtuar se do ta kryej një veprim apo nuk do ta kryej.

Betimi apo beja bëhet duke thënë p.sh. vallahi apo bilahi apo tallahi, e kështu të ngjashme.

Sipas dijetarëve hanefi beja apo betimi mund të jetë tre llojësh, edhe atë:

1. BETIM I RREJSHËM

Betimi i rrejshëm apo në terminologjinë islame “jemin el-gamus” është kur betohemi për diçka të kaluar apo të tashme dhe që realisht jemi të sigurtë se gënjejmë.

P.sh. të thuash vallahi nuk i kam borxh atij, ndërsa shumë mirë e di se i ke borxh. Apo të thuash vallahi nuk ia dhashë apo nuk ia thashë, etj, ndërsa ti shumë mirë e di se ia ke dhënë apo ia ke thënë. Apo të thuash vallahi s’kam, ndërsa ti shumë mirë e di se ke, etj.

Ky betim është një gjynah prej gjynaheve të mëdha dhe për këtë s’ka shpagim, por nevojitet istigfar (kërkim falje te Allahu Fuqiplotë) dhe teubeh (pendim i sinqertë). Si dhe kthim të hakut nëse i ke hyrë dikujt në hak me këtë betim.

2. BETIM JOEFEKTIV

Betimi jo i efektshëm apo në terminologjinë islame “jeminu’l-legv” është atëherë kur betohemi për diçka duke menduar se është ashtu, mirëpo në realitet jemi gabim.

P.sh. të thuash vallahi të thashë kështu dhe në vete mendon se i ke thënë, ama pastaj të del se nuk i ke thënë. Apo vallahi erdhi filani duke menduar se vjen ai, mirëpo pastaj del se paska ardhur dikush tjetër, etj.

Njashtu në këtë lloj betimi futen edhe betë e betarit të madh, i cili çdo të dytën fjalë e ka be, si p.sh. vallahi po, vallahi jo, vallahi erdha, vallahi shkova, etj.

Ky betim nuk merret për llogari dhe nuk ka efekt, ngase nuk bëhet qëllimisht. Për këtë arsye shpresohet të falet nga Allahu Fuqiplotë dhe s’ka nevojë për shpagim.

3. BETIM I SHKELUR

Betimi i shkelur apo në terminologjinë islame “jeminu’l-mun’akideh” është atëherë kur betohemi për diçka të ardhme se do ta bëjmë apo nuk do ta bëjmë dhe pastaj e shkelim betimin me veprim apo mosveprim.

P.sh. të thuash vallahi nuk shkoj më në atë vend dhe pastaj shkon. Apo të thuash vallahi do të ta jap filan gjënë dhe dhe pastaj nuk ia jep, etj.

Për shkeljen e këtij betimi ka shpagim apo arabisht “kefaret”.

Kefareti i tij është:

a) Njëra prej këtyre tri mundësive:

– Mundësia e parë: lirimi i një robi (sot nuk ekziston kjo mundësi),
– mundësia e dytë: veshmbathja e 10 fukarenjve me nga 1 veshje të plotë ose
– mundësia e tretë: ushqimi i 10 fukarenjve me nga 2 racione ngopëse edhe atë për secilin prej tyre.

b). Pastaj nëse je njeri fukara dhe s’ke mundësi për njërën prej këtyre tri mundësive të mësipërme, atëherë duhet të agjërosh tri ditë radhazi. E nëse nuk je fukara, atëherë nuk lejohet agjërimi, por vetëm njëra prej tri mundësive të lartpërmendura.

—-

Shkurtas nga veprat “El-Lubab” e imam Mejdanit dhe “El-Xheuherah” e imam Hadadit.

Pershtat: Hazir Selmani