Besimi dhe kultura islame, pasuri kombëtare e fituar në shekuj

Cili udhëtar, vendës apo i huaj, kur ndër vite ka vizituar qytetin thinjosh të Beratit, nuk është gjendur në befasi, ka ndalur këmbët e ka dihatur në mahnitje nga një panoramë madhështore që i është shfaqur para syve?

Kryekurorën e befasisë e mbajnë xhamitë e bukura e të shumta të këtij qyteti. Të ndërtuara ashtu, me atë shije të hollë e mjeshtërore dhe të ndërtuara në simetri harmonike me zhvillimet urbanistike dhe arkitektonike të qytetit mijëravjeçar të njëmijenjë dritareve, ato janë shpërndarë si të qëndisura me dorë.

Prej së largu, pamjen e udhëtarit e rrëmbenin dy minare që lartoheshin drejt qiellit, ndërsa themelet i kishin të pleksura brenda mureve të fortesës. Njëra nga këto minare është e kuqe dhe tjetra e bardhë; e më tej, në të dyja anët e rrugës që gjarpëronte mes përmes qytetit, të tjera minare lartoheshin drejt qiellit, si për t’i treguar besimtarit musliman se kujt i duhen drejtuar lutjet.

Në të dyja anët e rrugës gjarpërushe, xhami e faltore, ku asnjëra nuk i ngjan tjetrës, por në harmoni, përjetësisht përmbushin të njëjtin mision hyjnor. Dhe kudo, rreth e rrotull tyre njerëz e gjallëri, pazare dhe tregje, dyqane, shkolla e biblioteka, banja, çezma e ujësjellës, konakë për mysafirë e bujtina për udhëtarë, që, mbasi kalonin një natë të qetë e pazar të mbarë në Berat, të nesërmen, niseshin për të vazhduar rrugën edhe më tej.

Xhamitë dhe faltoret e qytetit të moçëm dëshmojnë për një botë e një jetë të hershme, zhurmuese e në vazhdimësi, triumfon një histori epike dhe heroike. Limfa e tyre, ai qytetërim magjiplotë me gjurmë të lëna në rrasa guri. Ato përcjellin ndër breza mesazhe paqeje, vëllazërimi, besimi dhe pastërtie shpirtërore.

Shumë udhëtarë, studiues shkrimtarë e piktorë të huaj që vizituan qytetin, u ndalën, u mahnitën dhe u frymëzuan për të shkruar e krijuar vepra përjetësie.

Gjeografi turk Evlia Çelebiu, i ndodhur dy herë në këtë qytet gjatë viteve 1660-1671, në veprën e tij “Sejehatnamesi” (Libri i shtegtimeve), përmend tridhjetë xhami, faltore, të gjitha plot me xhemat si dhe pesë medresetë. Gjatë shekullit XIX piktorët Lear dhe Croccer do të frymëzoheshin e në telajo do të derdhnin ngjyrat për të përjetësuar pamjet piktoreske të qytetit me shumë xhami.

Qyteti, i ndërtuar në shtatë kodra e në shtatë lugina, në çdo pozicion e nga dritaret e çdo shtëpie për asnjë çast nuk të humbiste nga vështrimi pamjen e një xhamie, që së bashku, në të gjithë shtrirjen e vet e zbukurojnë atë në formën e një kurore. Në krye të kësaj kurore e brenda mureve të fortesës qëndronin krahë për krahë dy xhami, si për t’i dëshmuar udhëtarit se Islami është bashkim dhe vëllazërim.

Më e hershmja quhet “Xhami e Kuqe”, sepse minarja e saj është ndërtuar me tulla të kuqe, duke i dhënë fasadës e masivit të lartë fortësinë dhe dekoracionin.

Sipas traditës ndërtimore është përdorur si material lidhës qargjiri. Sipas studiuesve Gjergj Frashëri dhe Sulejman Dashi mbrohet ideja e të qenit të saj si godina më e hershme e kultit Islam në Shqipëri, me zanafillë që në kohën e Bajazit Hanit (1389-1402).

Çelebiu e cilëson këtë si një xhami të çuditshme, sepse minarja e saj cilindrike dhe e vendosur në krahun e majtë të hyrjes dallohet dukshëm nga ato të mëvonshmet, të ndërtuara gjatë sundimit osman. Edhe fakti që kjo godinë ndodhet jashtë “Akropolit” të kështjellës argumenton ndërtimin e saj disa dekada para ardhjes së osmanlinjve.

Përmasat e kufizuara të kësaj faltoreje lënë të nënkuptosh se ajo ka shërbyer si vend faljesh për një numër modest besimtarësh muslimanë, që mund të kenë qenë përfaqësitë diplomatike të vendosura pranë familjes së Muzakajve.

Në atë kohë Muzakajt ishin ndër familjet feudale më të mëdha e më të fuqishme të vendit. Zotërimet e tyre shtriheshin nga Gosa e Kavajës në gjithë Myzeqenë, Tomoricë, Opar, Korçë e deri në Kostur. Kryeqendra e tyre ishte Berati. Djemtë e Teodor Muzakës qenë ndër të parët që përqafuan besimin Islam. Në vitet 1430, siç shkruan edhe historiani turk Halil Inalçik, ata përmenden me emrat Jakup, Kasëm, Sulejman dhe Mehmet.

Në brendësi të Akropolit të kështjellës, ndodhet “Xhamia e Bardhë”, e ndërtuar mbas vitit 1481, në kohën e sulltan Bajazitit të dytë (1481-1512).

Gjykuar nga tipologjia dhe përmasat që i ka më të mëdha, duket se ajo i ka shërbyer garnizonit turk të vendosur në Kala. Quhet e bardhë për minaren e saj dhe për faqet anësore për të cilat është përdorur kryesisht guri i bardhë dhe i skalitur. Çelebiu këtë xhami e quan e Hynqarit, por e Bardha i shkon më përshtat, në harmoni me emrin e qytetit; që nga lashtësia e me shkëmbinjtë e muret e bardhë, por edhe me veshjet karakteristike me preferencën për bardhësinë.

Vetë Krijuesi e ka parzmuar Beratin në lindje me Tomorin legjendar, ndërsa në perëndim me Shpiragun. Midis këtyre dy maleve qëndrojnë krahëqafë dy xhami, dy simbolet më të hershme të fillesës së jetës islame në Berat.

Kështu nisi rrugën një besim i ri e një dukuri e re në botën shpirtërore, që do të ecte krahë dëshirash dhe vullnetit të lirë. Shpejtësia e përhapjes së besimit islam në këtë mjedis traditash e nivelesh qytetarie e kulture lë të kuptuar një dukuri të njohur kohë më parë e për një besim për të cilin ishte krijuar dëshira dhe ideja e pranimit.

Rilindasi i shquar Sami Frashëri në shkrimin e tij “Rreth përhapjes së Islamit në Shqipëri”, si dhe studiues të tjerë mendojnë se besimi islam në vendin tonë është shfaqur para ardhjes së osmanlinjve. Duke u mbështetur në disa toponime si edhe në të dhënat e Mufassal Defterit (Libri i madh) të vitit 1431, rezulton se edhe në Berat kanë ardhur tregtarë e udhëtarë arabë, si dhe misionarë islamë para pushtimit turk. Por, siç thekson Sami Frashëri, shteti turk qe një autoritet i fuqishëm dhe krijoi mundësinë më të madhe të kontaktit dhe të lëvizjes midis Lindjes dhe Perëndimit e për rrjedhojë edhe kushte më të mira për përhapjen e besimit islam.

Në fund të shekullit XV, disa familje muslimane do të dilnin jashtë mureve të Kalasë e do të vendoseshin poshtë, në Varosh, aty ku u ndërtua edhe xhamia “Mbret” ose e Sulltan Bajazitit II. Studiuesi L. Rey në (Guide d’Albanie) e daton atë si të vitit 1492. Përmasat e kësaj xhamie, që e klasifikojnë si më të madhen e vendit, nënkuptojnë praninë e një popullsie të konsiderueshme muslimane.

Në vitin 1832-1834, me urdhër të sadrazemit turk Mehmet Reshit Pasha, xhamia pësoi një rikonstruksion thelbësor, duke ruajtur nga e mëparshmja vetëm minaren e saj të hollë e më të lartën e vendit. Nëpërmjet këtij akti, sadrazemi synonte të qetësonte gjendjen e turbullt dhe revoltuese, të krijuar në gjithë Shqipërinë e Jugut, ku siç dihet, kryeqendra ishte Berati.

Gjatë shekullit XVI, numri i popullsisë muslimane në Berat rritet në mënyrë të ndjeshme. Sipas “Defter mufassal liva Avlinja” janë të regjistruar disa banorë muslimanë me emrat Skënder, Mahmud Oruç që në fillimet e këtij shekulli. Në vitet 1519 ishin islamizuar 0,9% e popullsisë qytetare, ndërsa në fund të shekullit XVI popullsia e islamizuar arrinte në 60%. Në defterin e hollësishëm të Livasë së Vlorës, kryeqendra e së cilës ishte Berati, në vitin 1583 janë regjistruar rreth 650 persona të besimit islam, të shënuar në defter më emrin “Bashkësia e muslimanëve të kalasë së Beratit”.

Për t’iu përgjigjur ritmeve të shpejta të përhapjes së besimit islam, në vitet 1553-1554 ndërtohet xhamia e Plumbit ose e Uzgurliut, për të cilën Çelebiu shkruan: “Ajo ka një kube kryesore, të mbuluar me plumb dhe një minare të bukur që i gjendet shoqja vetëm në xhaminë e Melek Gaziut, në qytetin Nikhisar të Sivasit. Hajati i kësaj xhamie është i mbuluar me shtatë kube të mbuluara me plumb, që mbështeten në shtatë shtylla prej mermeri të bardhë e të ndritshëm.”

Lagjja Murat-Çelepi e ka marrë emrin nga një farë Kara Murat Çelepi, feudal shqiptar dhe mytesarif i sanxhakut të Vlorës, qendra e së cilës ishte Berati. Në mesin e shekullit XVII, në këtë lagje ndodheshin gjashtëdhjetë e pesë shtëpi vetëm muslimanësh dhe historikisht popullsia autoktone ka qenë kurdoherë e besimit islam.

Që herët në këtë lagje u ndërtua Xhamia e Hysen Pashës, e cila në vitet ‘70 të shekullit XIX fillon e quhet Xhamia e Sahatit, sepse para saj u ndërtua kulla me sahat e që u shkatërrua në vitin 1967.

Rreth viteve 1870 xhamia pëson një rikonstruksion tërësor, duke ruajtur të paprekur minaren e saj që u shkatërrua në vitin 1967 dhe u rindërtua në vitin 1994.

Aty ku fillon lagja muze e Mangalemit ngrihet Xhamia e Beqarëve, që aq bukur harmonizohet e përshtatet me arkitekturën e kësaj lagjeje, në rrafsh të pjerrët dhe që njëkohësisht simbolizon harmoni shpirtërore besimesh si dhe pranim vullnetar të besimit islam.

Xhamia mbulohet nga një çati druri e me strehë shumë të gjerë, duke qenë në unitet arkitektonik me lagjen në të cilën ndodhet, por edhe në harmoni me tiparet e banesës tradicionale beratase. Në muret e brendshme, si edhe në fasadën e jashtme janë të pikturuara afreske që paraqesin ornamente floreale, pamje natyrore ekzotike të Lindjes. Aktualisht ngjyrat e ruajnë freskinë e tyre, kompleksi pikturor tërheq vëmendjen dhe ngjall interesimin e çdo vizitori.

Terreni mbrapa xhamisë është i pjerrët dhe shtëpitë e ndërtuara aty duket sikur qëndrojnë në shpinë të njëra- tjetrës, ndërsa dritaret e shumta përbëjnë motivin që Berati të quhet edhe “qyteti i njëmijenjë dritareve”.

Në Beratin e dikurshëm, e madje edhe gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, funksiononin edhe xhami të tjera, që u shkatërruan nga lufta dhe të shumtat nga revolucioni ideologjik komunist.

Në sheriet e Beratit gjendet një dokument, që flet për xhaminë e Ali Begës, ndërtuar në vitin 1675 me kontributin e disa familjeve të kësaj lagjeje. Më vonë, për shkak të ndryshimit të emrit të lagjes në Delibegë dhe xhamia që ndodhje aty njihet nga të moshuarit me emrin e Delibegës. Kjo xhami, e vendosur në hyrje të qytetit, në krahun e djathtë të rrugës, thuhet se qëndronte vazhdimisht e hapur, ku, përveç banorëve të lagjes, gati për katër shekuj ajo ka shërbyer si vend faljeje për udhëtarët e shumtë që koha e namazit i zinte në të hyrë të qytetit.

Të moshuarit e qytetit kujtojnë rrënojat dhe fragmentet e minares së një xhamie që ndodhej afërsisht 300 metra para arritjes te xhamia e Beqarëve. Në regjistrat osmanisht “Daimi” dhe “Jokllama” e në disa tapi të vjetra pronarësh ajo përmendet me emrin “Xhamia e Karakasëmit”. Çelebiu flet edhe për xhaminë e Gazi Murat Pashës, duke thënë për të se ishte një faltore e thjeshtë dhe e hijshme.

Mbrapa Pallatit të Kulturës, deri në vitet 1950 ekzistonte xhamia e Zybës me gjysmëminaren e saj. Kjo xhami ishte ndërtuar prej një feudali nga fshati Starovë me emrin Zyber Hoxha dhe për këtë arsye ajo u bë e njohur si xhamia e Zybës. Mbasi kalonte xhaminë e Zybës, më tej rruga linte majtas xhaminë Mbret, e disa hapa përtej medresesë, përballë gjykatës (Mehqemesë) së dikurshme, ngrihej një tjetër xhami. Rrënojat e godinës dhe gjysmëminarja e saj ekzistonin deri në vitet ‘50. Çelebiu e përmend atë me emrin e “Mushkës” dhe afër gjykatores, e cila ndodhej dikur në krahun e djathtë të godinës së Salepajve. Në kohën e përfshirjes së Beratit në pashallëkun e Janinës dhe duket për një rikonstruksion që pësoi ajo, me urdhër të Pashait u quajt xhamia e Ali Pashë Tepelenës. Gjatë shek. XIX dhe në të gjithë dokumentacionin e mëvonshëm, e në regjistrat “Daimi” dhe “Jokllama” përmendet me emrin xhamia e Mehqemesë. Në përdorim të përditshëm ka qenë edhe emri “Xhamia e Thyer” sepse kujtesa qytetare ruan minaren e saj të thyer përgjysmë ndoshta nga ndonjë tërmet.

Jo më shumë se 200 metra larg xhamisë së Mehqemesë ndodhej xhamia e Sulejman Pashës. Nga emri që ajo mban, kuptohet se është ndërtuar me urdhër të këtij pashai në vitet 1820-1830, kur ai ka qenë mytesarif i Beratit. Në zhargonin popullor ajo është quajtur (ende quhet sot) edhe e Telelkave, sepse, duke pasur hapësirë boshe rreth saj e duke qenë njëkohësisht qendër qyteti, aty gabët e dikurshëm ushtronin tregtinë e tyre. Pranë kësaj xhamie ka qenë edhe hani i Skraparit, si edhe një shkollë turke, që në vitin 1909 u kthye në shkollë shqipe. Edhe minarja e bukur e me gurë të skalitur, në vitin 1967 rrëzohet përtokë, në kuadrin e lëvizjeve të mëdha “revolucionarizuese”, në përgjigje të një fjalimi diabolik që Shqipëria të ishte i vetmi vend në botë pa institucione fetare e pa kurrfarë besimi.

Mësuesi i hershëm i shkollave shqipe në Berat, Shyqyri Lakra, në ditarin e tij “Berati në vitin 1908” shkruan edhe për dy xhami në lagjen Vakëf. Njëra prej tyre ndodhej në krahun e djathtë të rrugës së sipërme të lagjes Vakëf. Sipas këtij autori, por edhe mbështetur në rrëfimet e besimtarëve të kësaj lagjeje, Rexhep Nallbani dhe Petrit Mino, kjo ka qenë xhamia e Ymer Pashës. Nuk dihet se kur është ndërtuar me ekzaktësi, por dihet se ka qenë shumë e frekuentuar edhe gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX.

Falja e namazit me xhemat, si një nga rekomandimet e besimit islam si dhe pjesëmarrja masive e besimtarëve muslimanë në namaz, pavarësisht moshës e gjendjes fizike e shëndetësore, kushtëzuan ndërtimin e faltoreve sa më pranë qendrave të banuara. U ndërtuan xhami të vogla (mesxhide), posaçërisht për të moshuarit dhe ku faleshin të gjitha ditët e javës, me përjashtim të ditës së premte. Mesxhidet kishin minare prej druri dhe të ulëta sepse nuk ndihej nevoja që ezani të dëgjohej larg.

Në sejjahatnamenë e Çelebiut përmenden mesxhidi i lagjes Vakëf, tre në lagjen Murat Çelepi, mesxhidet në lagjen Baba Kadi, Pasmakçi, në lagjen e bardhë (Goricë), Jazellisë dhe tetë mesxhide të tjerë. Prania e shumë mesxhideve, edhe në mëhallët më në thellësi e në periferi të qytetit, u mundësonte të gjithë besimtarëve myslimanë pjesëmarrjen në veprimtaritë dhe në jetën aktive fetare.

Ndërtimi i një numri të madh xhamish në qytet e në fshatra dëshmon për rritjen e vazhdueshme të popullsisë myslimane në këtë trevë, argumenton pjesëmarrjen në namaz, thuajse të të gjithë besimtarëve, pavarësisht moshave, gjinisë e niveleve.

Shpërndarja dhe historiku i ndërtimeve të godinave të kultit islam në Berat na krijon mundësinë për të gjykuar mbi zhvillimet urbanistike të këtij qyteti. Rregullisht këto objekte nuk janë ndërtuar shpateve, apo majë kodrave e në vende të veçuara, por sa më afër vendbanimeve dhe aty ku kishte përqendrime të mëdha popullsie, në kushtëzim me faktorin xhemat.

Bedri Telegrafi

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply