Islamisitikë

Bëni zgjedhje të mençura në jetë

309views

(Tregim këshillues)

Para shumë vitesh, me rastin e Bajramit të Kurbanit, një njeri i pasur nga Dubai, i cili nuk kishte grua, fëmijë as anëtarë të familjes, vendosi t’i mbledhë për darkë të gjithë punonjësit e tij.

Ai i thirri dhe i luti që të uleshin në tryezë. Para secilit prej tyre ishte një Kurani dhe një sasi e vogël e parave.

Pasi hëngrën darkë, njeriu i pasur u tha atyre:

“Çka doni të merrni si dhuratë, këtë Kuran apo këto para? Mos u turpëroni, zgjidhni atë që dëshironi!”

Rojtari ishte i pari që reagoi:

“Zotëri, do të doja ta merrja Kuranin, por pasi që nuk di ta lexoj, paratë do të më shërbejnë më shumë”.

Kopshtari foli i dyti.

“Gruaja ime është shumë e sëmurë dhe për këtë shkak kam nevojë për më shumë para, përndryshe unë do ta kisha zgjedhur Kuranin”.

I treti ishte kuzhinieri.

“Sinqerisht, më pëlqen të lexoj, kjo është një nga gjërat që më pëlqen të bëj, por puna ime është shumë e vështirë dhe unë punoj shumë, ashtu që kurrë nuk gjej kohë për t’i shfletuar revistat, e lëre më për Kuran. Unë do të marrë paratë.”

Në fund, rendi i erdhi i djalit që kujdesej për kafshët.

Edhe pse ndërsa njeriu i pasur tashmë e dinte se familja e djalit ishte e varfër, ai iu afrua atij dhe i tha:

“Me siguri edhe ti i do paratë, apo jo? Me to mund të blesh ushqim për një shujtë të mirë në shtëpi dhe një palë këpucë të reja?”

Por djali i befasoi të gjithë me përgjigjen:

“Nuk do të ishte keq nëse do të kisha blerë pulë dhe ushqime të tjera të shijshme, të cilat do t’i ndaja me prindërit, me vëllezërit dhe me motrat. Unë gjithashtu kam nevojë edhe për një palë këpucë të reja sepse këto janë shumë të vjetra. Por, edhe nëse është kështu, unë do ta zgjedh Kuranin, sepse gjithmonë kam dashur që ta kem. Nëna ime më ka mësuar se fjalët e Allahut janë më të vlefshme se ari dhe më të shijshme se mjalti.”

Pas kësaj djali e mori Kuranin dhe menjëherë e hapi. Aty brenda i gjeti dy zarfa.

Në zarfin e parë kishte një çek me sasi mbi dhjetë herë nga shuma e parave në tavolinë.
Kurse në zarfin e dytë, ishte porosia në të cilin ai shpallej trashëgimtar i gjithë pronave të pasanikut.

I ballafaquar me emocionet e djalit dhe me habinë e të tjerëve, njeriu i pasur e hapi Kuranin dhe i lexoi ajetet e mëposhtme, në mënyrë që të gjithë ta dëgjonin:

“Dhe mbështetuni në Allahun, nëse jeni besimtarë!” (el-Maide, 23)

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na dhurojë urtësi për ta zgjedhur gjithmonë atë që është më e mira për ne.

Përshtati: Miftar Ajdini