AktualiteteGlobus

BBC: Dyqanxhiu musliman në Skoci, ushqim falas për nevojtarët

Me rritjen e kërkesës për bankat ushqimore, Rehman Afzal, një tregtar musliman nga Paisley, Skoci vendosi të mbushë një frigorifer të tij me ushqim falas për personat në nevojë. Sipas BBC, ai beson se këta frigoriferë të komunitetit mund të zëvendësojnë bankat e ushqimit, për të plotësuar nevojën në rritje për ushqim për nevojtarët.

Konsumatorët kanë mundësi të dhurojnë artikuj ushqimorë direkt në frigorifer ose të sponsorizojnë me para në dorë. Rehman sigurohet që personat të cilët përdorin frigoriferin të marrin ndihmë nga qeveria përpara se t’i lejojë ata të marrin dy ushqime në ditë. Ai preferon përdorimin e këtyre frigoriferëve të komunitetit më tepër sesa të bankave ushqimore.

“Njerëzit ndjehen më rehat kur shkojnë në dyqan sesa në ndonjë bankë ushqimore. Ata mund të mos pëlqejnë që të tjerët të dinë gjendjen e tyre”, thotë ai.

“Një nga problemet kryesore është orari i punës së këtyre bankave. Banka ushqimore në Paisley është e hapur vetëm tre ditë në javë. Çfarë do të bëjnë njerëzit ditët tjera? Orari i punës në dyqanet komunitare është më i gjatë se në bankat ushqimore. Këto dyqane janë gjithmonë të hapura. Vizioni im është që të mbyllim bankat ushqimore, pikë! Nëse bankat ushqimore janë të hapura vetëm gjatë orëve të kufizuara, atëherë ato nuk janë duke i shërbyer qëllimit të tyre si duhet”, thotë Afzal.

Ide shumë e veçantë e cila do të ishte mirë të pasohet edhe nga dyqane tjera, në mënyrë që më shumë njerëz që kanë nevojë të kenë mundësi të përfitojnë nga frigoriferët komunitarë gjatë kohëve të vështira.

(Tesheshi)