Globus

Banorët e bllokuar të Gutës Lindore të uritur prej ditësh

511views

Banorët e Gutës Lindore në Siri të bllokuar nga regjimi i Asadit, kanë zbritur në strehimoret nëntokësore të cilat janë shansi i tyre i fundit për të shpëtuar jetën, shkruan Anadolu Agency (AA).

Si pasojë e sulmeve që vazhdojnë edhe përkundër armëpushimit, popullata e cila frikësohet të dalë jashtë, pret që të përfundojnë sulmet në bodrumet pa drita dhe pa ushqim.

Guta Lindore vazhdon të bombardohet pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shpalljes së armëpushimit nga ana e Rusisë.

Meqenëse jashtë nuk ka mbetur asnjë mundësi strehimi, civilët janë strehuar në mundësinë e fundit që u ngelet, bodrumet.

Në tavanet e disa bodrumeve njerëzit hapin vrima në mënyrë që të zbusin frikën e fëmijëve dhe për hyrjen e ajrit të pastër dhe dritës.

Familjet që jetojnë në një bodrum të xhiruar nga AA, treguan vështirësitë me të cilat përballen.

Um Muhammed, e cila ka humbur bashkëshortin në njërin nga sulmet e mëhershme të regjimit, tha: “Jam nëna e 9 fëmijëve. Betohem se ka 10 ditë që fëmijët janë të uritur. Dal dhe përpiqem që atyre t’u gjej majdanoz apo marule”.

“Nuk mund të gjej asgjë për t’iu ngopur barkun atyre. As nuk mund t’i pastrojë meqë nuk mundem t’i nxjerr prej këtu”, u shpreh Um Muhammed e cila theksoi se duan që sulmet të ndalen sa më parë.

“Ata që dalin prej këtu e di vetëm Allahu se a kthehen prapa ose jo”

Babai i 5 fëmijeve, Ebu Velid, tha se: “Këtu kemi përjetuar çdo lloj krize dhe i kemi përballuar të gjitha. Megjithatë, nuk përshkruhen ato që kemi parë dhe përjetuar në ditët e fundit. Këto sulme nuk i durojnë dot as të rriturit e as fëmijët”.

Ai më tej pohoi se forcat e regjimit në këto sulme përdorin të gjitha llojet e armëve dhe shtoi: “Fëmija në prehrin tim është një muajsh. Si të duroj? Fatkeqësisht nuk mund të dalim prej këtu dhe të marrim diçka. Edhe nëse del, jashtë gjithçka është shumë e shtrenjtë”.

“Jetojmë një jetë jonormale. Jetojmë në strehimore. Ata që dalin prej këtu, vetëm Allahu e di se a do të kthehen ose jo. Jetojmë një jetë tragjike”, u shpreh ai.

Guta Lindore, me një sipërfaqe prej 104 kilometra katrorë e cila përfshin disa qarqe dhe lagje në lindje të Damaskut, përjetoi fatkeqësinë më të madhe të luftës qytetare. Afro 400 mijë civilë, gjysma e të cilëve janë fëmijë, për afro 5 vite u bëjnë ballë sulmeve intensive, pa ushqim dhe ilaçe.

Rajoni ishte shpallur zonë e deeskalimit në marrëveshjen në Astana, por edhe përkundër kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vend garantues i të cilit është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar ka intensifikuar rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore përkeqësohet me kalimin e ditëve ndërsa mijëra civilë kanë nevojë të evakuohen në mënyrë urgjente, shumica prej të cilëve janë fëmijë dhe persona të sëmurë nga kanceri.

Krahas kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë për qasje në barna.

Ndryshe, regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij, vazhdojnë me sulmet edhe përkundër vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shpalljes së Rusisë për armëpushim 5 orësh për çdo ditë.