Bajrami i një jetimi …!

Ishte ditë feste dhe gëzimi. Atmosfera nëpër rrugët e Medinës ishte shumë e këndshme. Të gjithë njerëzit, të rinj e të moshuar, ishin veshur me rrobët më të mira të tyre për këtë ditë të veçantë të Bajramit.

Meqë ishte koha për të falur namazin e Bajramit, secili shkonte në vendin e caktuar për faljen e tij. Pejgamberi s.a.v.s. arriti dhe udhëhoqi namazin. Pasi mbaroi namazi, të gjithë e përshëndetën njëri-tjetrin dhe e uruan, si dhe vazhduan për në shtëpitë e tyre. Fëmijët vraponin dhe loznin me hare, qeshnin e gëzonin, pa mos pasur kurrfarë shqetësimi.

Derisa Pejgamberi s.a.v.s. po ecte rrugës për në shtëpi, ai rastësish pa një djalosh të vogël (Zuhejr ibn Sagirin) të ulur vetëm në skaj të një rruge. Djaloshi po qante dhe dukej shumë i pikëlluar. Pejgamberi s.a.v.s. u përkul dhe e përkëdheli në shpatulla duke e pyetur se pse po qante.

“Më lër të qetë, të lutem!” – tha djaloshi duke dënesur. Ai as që e kishte parë se kush po e pyeste.

Pejgamberi s.a.v.s. ia përkëdheli flokët dhe sërish, me butësinë dhe ëmbëlsinë e tij pejgamberike, e pyeti se pse po qante.

Këtë herë djaloshi u përgjigj: “Babai më ka rënë dëshmor në luftë dhe tashmë nëna ime është martuar sërish e njerku im nuk do që unë të jetoj më në shtëpi me ta. Sot është Bajram dhe secili është i lumtur. Të gjithë fëmijët kanë veshur rrobe të reja dhe kanë gjëra të shijshme për të ngrënë, ndërsa unë, përveç rrobave që kam veshur, s’kam më të tjera. S’kam ushqim për të ngrënë, madje as vend për të jetuar”.

Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “E di se si ndihesh, o djalosh, meqë unë e humba edhe babain edhe nënën time derisa isha i vogël”.

Djaloshi u befasua kur dëgjoi se një jetim po qëndronte para tij dhe kur e ngriti kokën e i fshiu lotët, u befasua edhe më, meqë pranë po qëndronte Pejgamberi s.a.v.s., dhe menjëherë kërceu në këmbët e tij nga dashuria e respekti që kishte për të.

Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Nëse unë do të bëhesha babai yt i ri, Aishja nëna jote e re dhe Fatimja motra jote, a do të bënte kjo gjë që ti të ndiheshe më mirë”?

“Padyshim se po, kjo do të ishte gjëja më e mirë në botë”! – ia ktheu djaloshi duke buzëqeshur.

Pejgamberi s.a.v.s. e mori në shtëpi, i dha rrobe të reja dhe ushqim të shijshëm, në këtë ditë të bukur Bajrami. Djaloshi, vërtet, e kaloi për mrekulli këtë ditë Bajrami.

Mesazhi:

Ne duhet të mendojmë edhe për të tjerët që kanë më pak fat sesa ne në festimin e ditëve të Bajramit. Jo të gjithë kanë mundësinë të kalojnë mirë e këndshëm. Ato janë ditë feste e gëzimi, por ndaje një moment që të ndalesh e mendosh për ata që nuk kanë fatin tonë. Allahu i Lartmadhërishëm na mëshiroftë të gjithëve, Amin!

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply