Bajazid Bistamî dhe egoisti, ja si arrihet takvallëku

Një ditë, një njeri shkoi të takonte Bajazidin, mistikun e madh të shekullit IX, me qëllim që ta qortonte.

Njeriu i tha se, kishte agjëruar, ishte lutur dhe se i kishte zbatuar një për një këshillat e tij për plot tridhjetë vite, por pa e mbërritur lumturinë për të cilën Bajazidi i kishte pasë folur dikur.

Bajazidi i tha se edhe nëse do vijonte kështu edhe për treqind vjet të tjera, prapëseprapë nuk kishte për ta mbërritur atë që kërkonte.

-Si është e mundur?-, pyeti njeriu që mëtonte të ndriçohej.

-Sepse krenaria jote të pengon-, u përgjigj Bajazidi.

-Tregomë ndonjë zgjidhje-, iu lut burri.

-Një zgjidhje është, por nuk mund ta realizosh.

-Ma thuaj gjithsesi.

Atëherë Bajazidi tha: -Shko te berberi dhe rruaje mjekrën tënde të adhuruar. Hiqi të gjitha rrobat dhe lidhe belin me një litar. Mbush një trastë me arra, vare në qafë, dhe vërtitu nëpër sheshin e tregut duke thënë: “I jap një arrë çdo çunaku që ma ngjesh me një shpullë qafës”. Në fund, paraqitu në gjyq me qëllim që gjyqtarët të mund të të shohin.

-Por unë nuk mund t’i bëj tërë këto! Të lutem, më jep ndonjë mësim tjetër që mund të ketë të njëjtin efekt.

-Ky është hapi i parë dhe i vetëm,- tha Bajazidi.

Të thashë se nuk do mund ta realizoje. Kësisoj, ti e ke të pamundur të kurohesh.

(Rrëfyer nga: El-Gazali. Sufiu që përmendet në këtë parabolë, duhet të jetë i madhi Bajazid Bistamî.)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply