Histori islame

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë

Nëse bota e qytetëruar do të kërkonte për një ditë simbolike në promovim të tolerancës, humanizmit, shpirtmadhësisë e drejtësisë, pa dyshim ajo ditë do të ishte dita kur, babai i drejtësisë botërore, Hz. Omeri r.a. hyri çlirimtar në Kudsi Sherif.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, jo për nënçmimin e të krishterëve, as për poshtërimin e tyre, as për faktin e pushtetit që kishte në dorë, as për një ndjenjë të fshehur paragjykimi ndaj tyre, jo!

Atë ditë, ai nuk pranoi të shkelte pragun e kishës, që çdo mysliman në botë të mësonte dhe të shihte në praktikë se kishat, sinagogat e krejt objektet e kultit të kujtdo qofshin, nuk preken, as lihet shteg për nënkuptime të mundshme tek ata që pasojnë, për respekt të të zotëve legjitimë të këtyre faltoreve!

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, edhe pse mund ta gjente një vend të veçuar, për t’u falur nga drejtimi i kibles së tij, por jo, nuk e bëri një gjë të tillë.

U trashëgua ndër breza ky veprim i mbështetur në burimet e së mirës për mbarë njerëzimin, saqë, kur myslimanët hynin çlirimtarë a triumfues në një vend, nuk i digjnin kishat, as i shkatërronin, as u digjnin kambanoret, as i hidhnin në erë, përkundrazi; i shfrytëzonin për vendadhurime, për xhami e faltore, në rast se ato nuk përdoreshin më nga të krishterët, a boshatiseshin natyrshëm, siç ndodh sot, në Evropë e Amerikë, kur shumë e shumë kisha nxirren në shitje për shkak të mosfrekuentimit, lëvizjeve demografike, etj.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, që t’ia ruante kishën të krishterëve të Kudsi Sherifit deri në kiamet. Që të ruante çdo kishë nga kompleksi a frika ndaj myslimanëve, edhe pse myslimanët nuk frikësojnë, nuk shkatërrojnë e nuk dëmtojnë pronën, jetën, shenjtëritë e tjetrit, kushdo qoftë tjetri.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë. Në fakt, po atë ditë, ai shënoi me shkronja të arta termin: TOLERANCË, që buron nga pjekuria e besimit, nga vetëpërmbajtja, siguria dhe drejtësia, nga frika e Zotit dhe dashnia e Tij.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë. Po atë ditë, emri OMER BIN EL-HATTAB, hyri në histori nga një derë e madhe, prej ku mbarë bota duhet të mësojë madhështinë e tolerancës dhe mosabuzimit me shenjtëritë e tjetrit; myslimanët, të krishterët, hebrenjtë dhe të gjithë ata, që besimin e ndjejnë si një forcë e brendshme që frymëzohet dhe ushqehet nga Drita e Udhëzimit dhe që e nxit njeriun dhe e mëkon në vazhdimësi, të jetojë ndërtues urash e vlerash, sidomos në një botë plot diversitet.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë. Po atë ditë, ajo kishë dhe xhamia e tij bri saj, mbetën gurra të pashtershme të një historie, mesazhet dhe përkujtimi i së cilës na ftojnë të respektojmë njëri-tjetrin, duke respektuar shenjtëritë përkatëse. Tejkalimi i këtij pragu qytetërues, është i barasvlershëm me kafshimin e mollës së ndaluar, që e nxjerr individin dhe shoqërinë nga mirëqenia e harmonisë dhe tolerancës, drejt anarkisë dhe të papriturave që pasojnë shfrytëzimin e situatave pandershmërisht.

Kush mbështetet në Zotin dhe thërret drejt Tij, jeton dhe vdes me nder e dinjitet. E kundërta ndodh me shfrytëzuesit e politikave të djallëzuara selektive, që nuk marrin parasysh se, sado pushtet që të kenë, janë të përkohshme, kalimtare, jo absolute.

Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë. Allahu e lartësoftë kujtimin e tij të mirë dhe e dritësoftë emrin e tij, bri Mësuesit dhe Udhërrëfyesit të tij, Hz. Muhamed Mustafasë! Amin!

Muhamed B. Sytari /dritaislame/