Kuran

Aspekti tefsiror i kiraeteve

437views

hfz. prof. dr. Xhevad Shoshiq

Hyrje[1]

Kiraeteve të Kuranit myslimanët u kushtonin vëmendje të madhe që nga koha e Pejgamberit s.a.v.s., dhe sahabëve të tij e deri në ditët tona. Gjatë historisë, numri i madh i dijetarëve mysliman punoi me zell në kërkimin e të gjitha aspekteve të fjalimit kuranor duke lënë pas vete libra të shkruara me të cilat do të dalin gjeneratat e nxënësve, studentëve, kërkuesve dhe dijetarëve, librat (veprat) të cilat myslimanët i ruajnë me xhelozi dhe me të cilat mund të mburren. Njëri prej aspekteve i cili ka qenë në fokus të interesimit të tyre gjithsesi është edhe çështja e leximit të ndryshëm të tekstit kuranor – kiraeteve, si dhe implikimet e tij në kuptimin dhe domethënien e fjalëve të caktuara, përkatësisht fjalive. Me zdritjen e aspektit tefsiror të kiraeteve zbulohet fshehtësia e ndryshueshmërisë së tyre, shfaqet roli i tyre në dinamizmin, ndarjen dhe zgjerimin e kuptimit semantik të tekstit kuranor, arrihet bindja rreth rendit dhe harmonisë së ndërlidhjes së të gjitha komponentëve të strukturuara në nazmin kuranor dhe përjashtohet çfarëdo pretendimi ose dyshimi në pikëpamje të autenticitetit të kiraeteve për të cilat ekziston konsensusi se sipas tyre mund të lexohet Kurani.

Shkenca e tefsirit në kuptim metaforik mund të përshkruhet si “nëna” e shkencave kuranore. Komentimi i Kuranit filloi me shpalljen e tij, e qëllimi primar ishte të kuptuarit e domethënies, kuptimit dhe mesazheve të tekstit kuranor, përkatësisht arritja përmes përpjekjes intelektuale e shpirtërore deri te thesaret e fshehura të urtësisë së tij. Në nivelin e legjislacionit islam, tefsiri ka luajtur një rol të rëndësishëm në konkretizimin teorik të normave të Sheriatit të përfshira në tekstin e Kuranit, si dhe në krijimin e parimeve metodologjiko-ligjore me të cilat bëhej derivimi (prejardhja) i tyre.

Aspekti tefsiror i kiraeteve të Kuranit

Tradita e marrjes me tefsir në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., i cili ishte interpretuesi ligjor dhe legjitim i Kuranit, sahabëve të tij dhe gjeneratave të mëvonshme, na tregon se mufesirët janë shërbyer me pesë burime primare[2]në interpretimin e Kuranit:

  1. Kuran-i kerim – Është e njohur se në Kuran, janë të paraqitura stilet e ndryshme e të shprehurit. Në disa seksione të veçanta tematika është theksuar shkurtimisht, ndërsa në pjesët e tjera tematika e njëjtë është demonstruar me bollëk. Në disa ajete mendimi i caktuar vetëm është përmendur e që në ajete të tjera ajo është e shpjeguar më në detaje. Në disa ajete apo sure gjejmë përgjithësim dhe mos përcaktim, ndërsa në ajete tjera gjejmë specifikim dhe konkretizim, etj. Prandaj, ishte e nevojshme që teksti kuranor të shihet dhe interpretohet si një tërësi integrale pjesët e së cilës janë në vartësi të planit të përgjithshëm semantik të Kuranit.
  2. Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. – Është e logjikshme se atij të cilit i është zbritur Kurani më së miri e kupton dhe interpreton Kuranin. Muhammedi s.a.v.s., nuk u shpjegonte sahabëve të tij kuptimin e çdo ajeti ose të çdo sureje, por, duke gjykuar me atë çfarë mund të gjejmë në koleksionet e haditheve dhe veprave të tefsirit, i tha shumë hadithe në këtë drejtim. Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s., ka qenë dhe mbetet një thesar i çmuar i tefsirit pa të cilin shkenca e tefsirit nuk do të ishte ajo që është.
  3. Mendimet dhe qëndrimet e gjeneratave të para – Sahabët, të cilët jetonin me Pejgamberin s.a.v.s., përpiqeshin të kuptojnë dhe mbajnë mend çdo fjalë të tij, çdo lëvizje; morën pjesë në veprimtari me rastin e të cilave janë zbritur ajete të caktuara ose tërësi, e dinin shkëlqyeshëm gjuhën e vetë, kështu që fituan legjitimitet të konsiderueshëm në të kuptuarit dhe interpretimin e Kuranit. Sigurisht, në mënyrë të veçantë duhet theksuar emrat e komentuesve të famshëm nga ajo gjeneratë siç ishin: Abdullah b. Abbas, Abdullah b. Mes’ud, Ubej b. Ka’b, katër kalifët etj. Nga shkollat e ​​sahabëve doli një plejadë e tërë e komentuesve të Kuranit nga gjenerata e tabiinëve e cila la pas një trashëgimi të madhe të tefsirit.

4 Israilijjatët – Këto janë transmetimet e pasuesve të Shpalljeve të mëparshme, të krishterëve dhe hebrenjve, të cilat i përdorën me të madhe mufessirët klasik me dëshirë që të zbardhin (sqarojnë) ngjarjet ose identifikojnë personalitete, qytete, vende të famshme të së kaluarës, për të cilat Kurani flet në mënyrë të papërcaktuar dhe koncize. Por, duke pasur parasysh se transmetime të tilla përmbajnë mitologji të shumta, legjenda dhe shpifje, janë përdorur vetëm sa për të shuar kureshtjen e njerëzve, dhe jo si një burim relevant i informatave.

  1. Ixhtihadi – Ky është, sigurisht, një burim të cilin e përdornin të gjithë mufesirët, në masë të madhe apo më të vogël. Ky burim nënkupton kapacitete intelektuale dhe shkencore të cilat janë “përderdhur” në të gjitha aspektet e njohura të trajtimit të tekstit kuranor: tradicional, gjuhësor, juridik, historik, filozofik, shkencor, letrar, sociologjik, pedagogjik, modernist etj. Ixhtihadi është instrumenti primar për interpretimin e Kuranit. Ai mundëson që Kurani të kuptohet dhe interpretohet sipas kohës, nevojave dhe rrethanave në të cilat jetojnë myslimanët. Kuptimi i tij veçanërisht theksohet në komentimet moderniste dhe post moderniste të interpretimit të Kuranit në lidhje me sfidat dhe trendët bashkëkohore të zhvillimit dhe përparimit të qytetërimit njerëzor.

Në varësi të burimit që preferojnë, tefsirët mund të ndahen në: tradicional, tradicional-racional dhe racional. Nëse merret në konsideratë tematika, aspektet ose metodat e interpretimit të tekstit kuranor, tefsirët mund të cilësohen si: gjuhësor-stilistik, ligjor, dogmatik, sufist, filozofik dhe shkencorë.

Kiraetet e Kuranit, të paktën sa i përket komenteve klasike, kanë qenë një burim i rëndësishëm dhe metodë e interpretimit të Kuranit. Pozita e tyre në tefsir duhet të shihet kryesisht nga pikëpamja e autenticitetit të tyre. Që ndonjë kiraet të jetë i klasifikuar si autentik, duhet të  përmbushte tre kushtet e përcaktuara nga dijetarët islam.[3] Është fjala për kushtet e mëposhtme:

  1. transmetimi mutavatir – një term që nënkupton jo vetëm që një kiraet i caktuar të jetë transmetuar me sened të duhur, por edhe të jetë transmetuar nga një numër i madh i transmetuesve në mënyrë që të mos mund të dyshohet autenticiteti i tij;
  2. pajtueshmëria me drejtshkrimin e mushafeve të Othmanit – d.m.th. se realizimi i artikulimit të versioneve të ndryshme të kiraeteve është në përputhshmëri me matricën e konsonanteve të drejtshkrimit kuranor të harmonizuar gjatë kohës së kalifit Othman r.a., kur edhe është bërë kodifikimi dhe shumëzimi i Mus’hafit.
  3. pajtueshmëria me normat e gramatikës së gjuhës arabe, qoftë edhe në variantin e një prej shkollave gjuhësore të njohura.

Sipas kritereve të përmendura, mund të përcaktohet edhe vlera tefsirore e kiraeteve. Nëse ndonjë kiraet plotëson që të tre kritere, pranohet si kiraet autentik dhe përdorimi i tij në tefsir mund të vendoset si kategori në interpretimin e Kuranit me Kuran. Nëse senedi i tij është i besueshëm, dhe realizimi i tij është i papajtueshëm me ortografinë kuranore, konsiderohet si kiraet shaz, kështu që përdorimi i tij në tefsir mund të vendoset në kategorinë e interpretimit të Kuranit me hadithe autentike ose thënie të sahabëve, shokëve të Pejgamberit s.a.v.s. Megjithatë, kur të përcaktohet se një kiraet është transmetuar me transmetim jo të besueshëm apo të dyshimtë, atëherë edhe përdorimi i tij tefsiror humb vlerën dhe besueshmërinë.[4]

Çdo diferencë midis kiraeteve nuk implikon edhe interpretimin e diferencuar të ajeteve ose fjalëve kuranore. Në këtë kuptim, kiraetet mund të ndahen në dy lloje: 1) kiraetet të cilat nuk posedojnë karakteristika tefsirore, dhe 2) kiraetet që posedojnë karakteristika tefsirore.

1) Kiraetet të cilat nuk posedojnë karakteristika tefsirore

Është e kuptueshme se dallimet në mes kiraeteve që ndërlidhen me prononcimet e ndryshme të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve, të tilla si: gjatësitë themelore dhe të nxjerra (meddet), imalet (artikulimet specifike të fet’has), artikulimi i dobësuar i hemzes (teshil), artikulimi i plotë i bashkëtingëlloreve (tahqiq) asimilimi reciprok i bashkëtingëlloreve të ngjashme ose identike (idgami), etj, nuk kanë asnjë ndikim në kuptimin e fjalëve, dhe, në përputhje me këtë, nuk kanë asnjë ndikim as në tefsir. Bëhet fjalë për dallime fonetike dhe të nuancave të bartura prej dialektet të atëhershme në gjuhën e Kuranit nëpërmjet kiraeteve. Në këtë kontekst, mund të flitet për pasurinë dhe gjerësinë e gjuhës arabe, karakteristikave dhe cilësive të saja, rreth melodisë dhe muzikalitetit të nazmit kuranor, e që është një degë shumë interesante gjuhësore.

2) Kiraetet të cilat posedojnë karakteristikat tefsirore

Dallimet mes kiraeteve që ndryshojnë strukturën e fjalës, fleksionin ose formën e saj, gjithsesi ndikojnë edhe në kuptimin e saj. Këto dallime, kur është fjala për tefsirin, mund të klasifikohen në dy kategori të përgjithshme: a) ndryshimet në formën dhe kuptimin e fjalëve ndërmjet të cilave ka një marrëdhënie semantike, dhe b) dallimet në formën dhe kuptimin e fjalëve që nuk mund të unifikohen nën një “çati” të përbashkët semantike, por ato mund të lidhen me një aspekt tjetër që nuk kërkon kontradiktë.[5] Ne do të përmendim nga një shembull për të dy kategori.

Shembulli për kategorinë e parë:

Në suren el-Bekare, në ajetin që flet për hipokritët, Allahu i Lartësuar thotë:[6]

يَكْذِبُونَ كَانُوا بِمَا أَلِيمٌ عَذَابٌ وَلَهُمْ مَرَضًا اللهُ فَزَادَهُمُ مَرَضٌ قُلُوبِهِمْ فِي

 “Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e Allahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm.”

Folja يَكْذِبُونَ, në fund të ajetit të cituar, u lexua në dy kiraete: Nafi’u, ​​Ibn Kethiri, Ebu Amri dhe Ibn Amiri foljen e përmendur e lexonin në formën tjetër – يُكَذِّبُونَ. Asimi, Hamzai dhe Kisaiu e zbatonin formën e parë të kësaj folje -يَكْذِبُونَ. Kiraeti në formën e parë do të thotë se hipokritët gënjyen në adresimin e tyre ndaj Pejgamberit s.a.v.s., dhe besimtarëve, ndërsa kiraeti në formën e dytë do të thotë se ata shfaqnin shpifje dhe gënjeshtra ndaj Pejgamberit s.a.v.s., dhe Shpalljes. Pra, edhe përshkrimi parë edhe i dyti është i qenësishëm për hipokritët, dhe për këtë arsye meritojnë dënimin e përmendur në ajetin e cituar. Siç shohim, edhe pse bëhet fjalë për kiraete dhe kuptime të ndryshme, këto kuptime janë komplementare për shkak se janë të përfshira në prezantimin e të njëjtit realitet.[7]

Shembulli për kategorinë e dytë:

Si shembull të kiraeteve që sjellin kuptime të ndryshme të fjalisë kuranore dhe që nuk mund të nënshtrohen në një kuptim të përbashkët mund të shërbejnë ajetet e sures El-Isra’.[8] Në to paraqitet takimi i Musait a.s., dhe faraonit, dhe dialogu i tyre reciprok. Duke debatuar me faraonin dhe duke i paraqitur atij argumente të qarta për misionin e vetë pejgamberik, Musai a.s, tha si në vijim:

والأرض بصائر[9] السماوات رب إلا هؤلاء أنزل ما علمت قال لقد

 “Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës, i zbriti të dukshme…”

Sipas kiraetit të cilin e transmeton imam Kisa’iu folja علمت lexohet me damme në bashkëtingëlloren “t” i (علمتُ), e që ajetit i jep kuptim të ri: “Unë e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës, i zbriti të dukshme…”

Në versionin e kiraetit të shumicës së imamëve, Musai a.s., duket, për ironi thekson se faraoni e di se mrekullitë e Zotit të cilat ai i tregoi janë të dukshme e të qarta, edhe pse faraoni i mohoi dhe i konsideroi ato si magji. Sipas versionit të kiraetit të Kisa’iut, Musai a.s., përpiqet që ta bind faraonin në besimin e tij të patundur dhe dijes se dëshmia e pejgamberllëkut të tij ka origjinë Hyjnore.[10] Siç mund të shohim, dy kiraete të ndryshme mund t’i japin një ajeti dy kuptime krejtësisht të ndryshme, në mënyrë që të fitohet përshtypja se këto janë dy ajete të veçanta. Por, ndërmjet tyre nuk ka kontradikta dhe kundërshtime. Për këtë arsye, kiraetet mund të kërkojnë interpretime të ndryshme të përmbajtjes kuranore dhe kuptimin më të plotë të qëllimeve të tyre, duke i bërë si një metodë e rëndësishme në interpretimin e Kuranit. Mufessirët më të famshëm tradicional, si Taberiu, Ibn Atijje dhe Kurtubiu, nuk hezituan që të përfshijnë në komentet e tyre pothuajse të gjitha transmetime të kiraeteve me reflektimet semantike, duke përfshirë karakteristikat e tyre stilistike, gramatikore dhe morfologjike.

Në tekstin në vijim do të paraqiten aspektet më të rëndësishme me të cilat  mund të shihet ndikimi i kiraeteve në interpretimin e Kuranit.[11] Është fjala për aspekte vijuese:

  1. Zgjerimi i kuptimit të fjalëve – Për shembull, Fjalët e të Plotfuqishmit: [12]

يَا أَيُّهَا الرسول بلغ ما أنزل إليك من ربك وإن لم تفعل فما بلغت رسالته

“O ti i dërguar! Komunikoju atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen)…”

Fjala رسالته përmban dy kiraete: Nafi’u, ​​Ibn Amiri, Šu’be, Ebu Xhaferi dhe Ja’kubi e këtë fjalë e lexonin në shumës (رسالاته), kurse imamët e tjerë në njëjës (رسالته). Kiraeti në shumës ka një kuptim më të gjerë, sepse ai i referohet faktit se para Muhammedit s.a.v.s., jetonin dhe vepronin të dërguarit e Zotit dhe se secili prej tyre ka pranuar kumtesën, si burim i besimit, udhëzimit, ligjeve dhe parimeve morale. Ritet dhe ligjet fetare ndryshonin nga njëri prejgamber deri tek pejgamberi tjetër, por matrica e tyre ishte po ajo, e njëjtë. Kiraeti në njëjës merr parasysh matricën e theksuar (teuhidin) si bazë mbi të cilën mbështetet besimi dhe bindja në një Krijues.[13]

  1. Eliminimi i paqartësisë në kuptimin e ajetit – Për shembull, Fjalët e të Plotfuqishmit: [14]

مائدة من السماء علينا ينزل أن ربك يستطيع هل مريم ابن عيسى يا الحواريون إذ قال

Foljen يستطيع imam Kisa’iu e lexonte në vetën e dytë (تستطيع), kurse fjalën ربك në kallëzore me fet’han në bashkëtingëlloren “b”, si objekt i foljes.  Sipas këtij kiraeti, ajeti e ka kuptimin e mëposhtëm:

 “Dhe (përkujto) kur Havarijjunët thanë: “O Isa, bir i Merjemes, a mund të e lusësh Zotin tënd të na zbresë një tryezë nga qielli? – ai tha: ‘Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë.’”

Imamët e tjerë foljen e përmendur e lexonin në vetën e tretë, dhe fjalën ربك në rasën emërore, si subjekt i foljes, e që ajetit i jep kuptimin si vijon:

“Dhe (përkujto) kur Havarijjunët thanë: “O Isa, bir i Merjemes, Zoti yt a mund të na zbresë një tryezë nga qielli? – ai tha: ‘Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë.’”

Mund të na duket sikur kiraeti i shumicës së imamëve tregon dyshimin e ndihmësve të Isait a.s., në fuqinë absolute të Allahut, e që do të ishte në kundërshtim me thëniet e tjera kuranore në të cilat konfirmohet sinqeriteti në besimin e pasuesve të Isait a.s. Kiraeti i Kisa’iut e heq atë paqartësi me shpjegimin se është në pyetje kërkesa me të cilën kërkohet shikimi i fenomenit  mbinatyror – tryezës nga qielli – e kurrsesi dyshimi në fuqinë e Allahut.[15]

  1. Diferencimi i kuptimit të veçantë nga ai i përgjithshëm – Disa fjalë kuranore kanë kuptimin e përgjithshëm, d.m.th. i referohen një shumëllojshmërie të karaktereve, gjërave apo fenomeneve, por në Kuran janë përdorur me kuptim të veçantë. Në raste të caktuara kiraetet mund të shërbejnë si një metodë efektive e zbulimit të përdorimit të tillë. Për shembull, ajeti kuranor:[16]

ومن آياته خلق السماوات والأرض واختلاف ألسنتكم وألوانكم إن في ذَلِكَ لآيات للعالمين

“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëz.”

Fjala العالمين, me fet’han lam, është kiraet i të gjithë imamëve përveç Hafsit, raviju i Asimit[17]. Kjo fjalë e ka kuptimin e përgjithshëm. U referohet të gjitha krijesave të Allahut, në të gjitha llojet e botëve, të njohura dhe të panjohura, që ekzistojnë në botën fizike. Kiraeti i Hafsit العالمين, me kesrenlam, nga ai gjeneralitetet ndan domethënien e veçantë. Është fjala për të zotët e mendjes, njerëzve të ditur, të cilët dinë leximin, kërkimin, studimin e shenjave të Zotit, dëshmive, ndër të cilat bëjnë pjesë dëshmitë e përmendura në ajet.

  1. Kufizimi i thënieve absolute në ajete të caktuara kuranore – Në disa ajete kur’anore ekzistojnë shprehjet absolute përmbajtja konceptuale e të cilave, në bazë të argumentit valid, përkufizon në një veti të caktuar, numër, gjendje etj. Në këtë kuptim, variantet kur’anore mund të shërbejnë si argumentim valid. Për shembull:[18]

أما السفينة فكانت لمساكين يعملون في البحر فأردت أن أعيبها وكان وراءهم ملك يأخذ كل سفينة غصبا

Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e do të varfërve, që veprojnë në det, e unë desha të bëjë atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije.”

Ajeti është cituar sipas versionit të cilin e zbatojnë imamët e dhjetë kiraeteve mutavatir. Ndryshe nga ky version, është evidentuar versioni i (kiraetit shazz) Ibn Abbasit[19], i cili nuk përputhet me drejtshkrimin e mus’hafit, e që është:

“…E unë desha të bëjë atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije të aftë – pa të meta.”

Në versionin e parë, mutavatir, shprehja كل سفينة – çdo anije – konceptualisht është e pakufizuar, kështu që mund të kuptohet se sunduesi i lartpërmendur merrte çdo anije, pavarësisht nga madhësia, pamja dhe gjendja e saj. Megjithatë, atributi صالحة në kiraetin e Ibn Abbasit e kufizon termin “anije” në një tipar shumë të rëndësishëm – aftësinë (pa të meta), që do të thotë se sunduesi i morri vetëm “anije të afta (pa të meta)”. Por, edhe pa sqarimet tefsirore që i ofron kiraeti i Ibn Abbasit, nuk do të ishte e vështirë të konkludohet se është fjala për “anijen e aftë (pa të meta)”, sepse deklarata e Hidrit në ajetin – E unë desha të bëjë atë me të meta – tregon qartë për faktin se sunduesi i merrte vetëm “anije të afta (pa të meta)”.

  1. Qartësimi i shprehjeve koncize kuranore – Më parë u tha se shprehjen kur’anore, ndër të tjera, e stolis konciziteti stilistik. Kuptimi i ajeteve koncize kuptohet nga vetë konteksti ose, nga ana tjetër, shpjegohet nga ajete të tjera të treguara rreth së njëjtës temë në formë të përgjithësuar. Dallimet e kiraeteve mund të jenë në një funksion të shpjegimit të tillë. Të marrim, si shembull, ajetin:[20]

فأزلهما الشيطان عنها فأخرجهم مما كانا فِيهِ

Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose xhenetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në te…”

Folja فأزلهما u lexua në dy kiraete: me elif pas bashkëtingëllores “z” pa teshdidlamفأزال – sipas kiraetit të Hamzës. Imamët e tjerë në kira’ete zbatuan versionin e kundërt nga ai i cekur, d.m.th. pa elif, me teshdidlam, si në ajetin e cituar.

Folja فأزال do të thotë: heqje, largim …[21] Në përputhje me këtë kuptim, Iblisi e “largoi” Ademin dhe Havën nga vendi i tyre në Xhennet. Në këtë thënie ka koncizitet nga i cili nuk mësohet se si ka ndodhur kjo. Folja فأزل, kiraeti i shumicës së imamëve, me kuptimin: të bërit të rrëshqet, të bërit të gabojë, të sjellit në mëkat…,[22]shpjegon se si Iblisi kishte arritur qëllimin e dëbimit të Adamit dhe Havas nga Xhenneti. Sipas këtij kiraeti, Iblisi e bindi Ademin a.s., dhe Havën në aktin e mëkatit dhe mosbindjes ndaj Krijuesit, e që rezultoi me dëbimin e tyre nga Xhenneti. Shembulli i përmendur flet që dallimet ndërmjet kiraeteve ndonjëherë bëjnë komplementaritet në ofrimin e një vizioni më të qartë të asaj që thotë Kur’ani.

 

Përfundimi

Është e njohur se parimi i parë dhe themelor i interpretimit të Kuranit – është interpretimi i Kuranit me Kuran. Mendimin kuranor është e mundur për të kuptuar dhe interpretuar siç duhet vetëm me njohuri të mjaftueshme në integralin e tij të nazmit, në gjuhën dhe stilin e shprehjes së tij. Në disa sure dhe ajete, mendimi i caktuar, mesazhi ose rregulli janë të përmendur shkurtimisht, ndërsa në vende tjera janë të përmendur gjerësisht; diku vetëm janë të përmendur, e diku janë të shpjeguara në detaje; diku gjejmë përgjithësimin dhe paqartësinë, e diku specifikimin dhe kufizimin, etj. Për këtë arsye është e patjetërsueshme që tekstin kuranor ta shohim dhe interpretojmë si një tërësi integrale, pjesët e së cilës janë në varësi të planit të përgjithshëm semantik të Kuranit.

Kiraetet, me veçoritë dhe dallimet e tyre morfologjike, gramatikore, stilistike dhe semantike, formojnë një disiplinë të veçantë të tefsirit. Kur përdoren versionet autentike të kiraeteve për qëllime tefsirore, tefsiri është në nivelin e interpretimit të Kuranit me Kuran. Dhe kur interpretohet Kurani me kiraete jo autentike (shazz), tefsiri është në nivelin e hadithit apo etherit.

Duke pasur parasysh veçantitë tefsirore, kiraetet në krahasim me tekstin kuranor mund të kenë disa funksione: a) zgjerimin e kuptimit të fjalëve; b) eliminimin e paqartësive në kuptimin e ajetit; c) diferencimi i të veçantës nga kuptimi i përgjithshëm; d) kufizimi i thënieve absolute në ajete të caktuara kuranore; e) qartësimi i shprehjeve koncize kuranore.

Teksti i përmendur vë theks përfundimin, se si është e gabuar që kiraetet të kuptohen vetëm si diversiteti fonetik i fjalës kuranore, sidomos e theksuar gjatë leximit të Kuranit. Kiraetet janë shumë më tepër se kaq. Rëndësia e tyre teorike, të cilën shkurtimisht e paraqitëm, është e shënuar dhe shtypur në faqet e panumërta të veprave më të njohura të tefsirit.

 

Përktheu dhe përshtati nga boshnjakishtja:

Azmir Jusufi

___________________________________

[1]  Kurra hfz. Dževad Šošić, “Tefsirski aspekt kira’eta”, Zbornik radova FIN-a, 2005, nr. 10. Teksti i shkëputur nga Tema e disertacionit të doktoratës: “Kira’eti u tefsiru imama El-Kurtubija”.

[2] Më shumë në lidhje me këtë shih: Dr. Muhammed Husejnn Edh-Dhehebiu, Et-Tefsiru we’l-mufessirun, pa vend dhe datë botimi, vëll. I, f. 37-62.

[3] Shih, p.sh: Ebu Abdullah Abdu’l-Qajjim b. Abdu’l-Gafur el-Sindi,Safehat fi ‘Ulum al-qira’at, El-Mektebe el-‘imdadijje, Makke, 1415. v. H., f. 56-68.

[4] Shih: Abdu’s-Settar Fethullah Seid, El-Qira’at we ‘etheruha fi et- tefsir we’l-‘ahkam, Daru’l-Hixhra, Riad, 1996, vëll. I, f. 376.

[5]El-Qira’at we ‘etheruha fi et-tefsir we’l-‘ahkam,v. e cit., vol. I, f. 379-380.

[6]El-Bekare, 10.

[7]Shih:. Nasr b. ‘Alijj esh-Shirazi, i njohur si Ibn Ebi Merjem El – Mudah fi wuxhuh el-qira’at we’ ileliha, Mekë, 1993, vol. I, f. 246.

[8]El-‘Isra’, 101-103.

[9]  El – ‘Isra’, 102.

[10]  Shih:. Abdu’r-Rahman b. Muhammed b. Zenxhele, Huxhxhetu’l-qira’at, Mu’essese er-Risala, Bejrut, 1997, f. 411.

[11] Më gjerësisht për këtë shih:El-Qira’at we etheruha fi et-tefsir we’l-‘ahkam,v. e  cit., vëll. II, f. 455 – 734.

[12] El – Maide, 67.

[13] Shih: Huxhxhetu’l-qira’at, v. e cit.. f. 232.

[14] El-Maide, 112.

[15]Ebu Abdullah Muhammed b. Ahmed el-Qurtubi, El-Xhami’li’ Ahkam el-Qur’an, Dar el-Hadith, Kajro, 1996, vëll. V-VI, f. 341-342.

[16]  Er-Rum, 22.

[17] Ebu Bekr Ahmed b. el-Husejn el-Asbehani, El-Mebsut fi el-qira’at el-ashr, Xheddah, 1988, f. 294.

[18] El-Kehf, 79.

[19]Shih: El-Xhami’li’ Ahkam el-Qur’an, v. cit., vëll. XI-XII, f. 39.

[20] El-Bekare, 36.

[21] Teufik Muftić, Arapsko-srpskohrvatski rječnik, Sarajevë, 1973, vëll. I, f. 1419, rrënja: z – w – l.

[22] Ibid., vëll. I, f. 1389, rrënja: z – l – l.