Trashëgimi

Aspekte të qëndresës islame në Kosovë

171views

Hyrje

Islami në Kosovë është njëri ndër elementet kyçe të ruajtjes së kombit, andaj pushtuesi serb prej kohësh tentoi ta eliminonte nga skena këtë element.
Strategjitë e projektuar mirë për këtë fenomen realizoheshin edhe përmes ligjeve të ashtuquajtura urbane, agrare e progresive. Në anën tjetër edhe trysnia dhuna, shantazhi e etiketimi ndaj hoxhallarëve i shkuan për shtati kësaj politike gjenocidiale, duke tentuar që përmes këtyre trysnive të shuante frymën kombëtare dhe të atdhedashurisë. Por hoxhallarët ishin të vetëdijshëm se me qëndrimin e palëkundur dhe besimin në Zotin herëdo kur do të ngadhënjenin pavarësisht se kjo u kushtonte me jetë. Në popull ngriheshin edhe më tej dashuria dhe respekti ndaj tyre e kjo mbante të gjallë dëshirën për bashkim e liri.

Politika propaganduese serbe uzurpoi tokat vakëfnore

Që nga shekulli! 14-të, territoret shqiptare kanë qenë të sunduara nga mbretëria e serbëve, të cilët nuk kishin shumë kohë që kishin zbritur nga viset e ftohta të Rusisë. “Në viset shqiptare ishte në fuqi kanuni i Car Dushanit, i cili parashihte se çdo banor i mbretërisë serbe duhej të ishte serb dhe ortodoksë sllav. Sipas këtij kanuni kushdo që refuzonte të ishte i tillë do të duhej të damkosej në ballë me hekur të nxehtë, në mënyrë që të njihej dhe të dëbohej nga komuniteti serb. Atë kohë identiteti shqiptar ishte vënë seriozisht në dyshim dhe kishte rrezik të madh asimilimi i tij.”(1)
Propaganda serbo-sllave me pretendimet për posedim të tokave shqiptare vinte përmes shpalljes se shenjtërisë së tokave të Kosovës, si “Stara Serbi” – “Serbia e vjetër”. Nacionalizmi në viset e kombeve të ndryshme të sllavëve të jugut nuk është thjesht çështje politike. Ai ka marrë edhe forma ekonomike, fetare, kulturore e ideologjike.”(2)
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të sapoardhurit populluan fshatra të braktisura (selishte) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.(3)
Pas ardhjes së Perandorisë Osmane elementi islam te shqiptarët ishte identifikues dhe dallues nga fqinjët. Por, pas largimit të saj politika serbe rifilloi me avazin e vjetër.
Me 1918 kur Kosova definitivisht mbetet nën Serbi, pason fushata famëkeqe e ndërrimit të fesë me dhunë. Mësimet islame së bashku edhe me ndërtimet që ishin në këto anë përjetuan një dhunë me tendencën për shkatërrim, kështu më 1918, shumë xhami u shndërruan në stalla, ndërsa varrezat myslimane u shkatërruan, qëllimisht nga regjimi serb. Nuk ishte në interesin serb që të mbesin edhe më tutje dëshmitë e autoktonisë shqiptare ndër shekuj.
Dokumentimi i këtyre shkatërrimeve bëhet edhe nga një raport sekret i komandantit të Armatës së Tretë Jugosllave (me bazë në “Serbinë e Jugut”) të vitit 1922, në të cilin thuhet se shndërrimi i xhamive në stalla për kuaj ose në depo municioni, ishte një mënyrë trysnie mbi shqiptarët myslimanë për shpërngulje.

Tendenca për eliminimin e elementit islam

Me qëllim të mbajtjes nën kontroll të zhvillimeve islame në vitet e tridhjeta, me kërkesën e Myftinisë Kryesore të Beogradit dhe mbështetur në urdhëresën e saj I.II.1928, në rrethin e Graçanicës brenda disa muajve u formuan, në vend të imamateve, të ashtuquajturat xhemate. Në rrethin e Graçanicës u formuan 15 xhemate, të cilat kishin prej 250 deri 300 shtëpi myslimane dhe rrallëherë edhe më shumë. Xhematet u formuan edhe në fshatrat dhe morën emrat varësisht nga fshati ku ndodheshin. Kjo bëhej me qëllim të ndarjes e copëtimit të fuqisë unike të Bashkësisë Islame.
Një segment tjetër i politikës antiislame e antishqiptare i praktikuar nga qarqet jugosllave është edhe likuidimi i pasurive vakëfnore islame. Duke i rrënuar tempujt fetarë, duke i nacionalizuar tokat dhe pronat e vakëfeve(4), plani urbanistik i vitit 1953 dëmtoi gati gjithçka çka ishte e vjetër dhe si rrjedhojë edhe jetën fetare dhe në veçanti xhamitë. Ky plan i hartuar nga arkitektë beogradas kishte paraparë rrënimin e xhamisë Junus Efendi (Lokaçit) që ishte ndër xhamitë më të vjetra dhe më të bukura të Prishtinës, po ky plan parashihte edhe rrënimin e çarshisë dhe në kuadër të saj edhe të dy mesxhideve që gjendeshin në të. Mbi 192000 ha u shpronësuan në Kosovë. Reforma goditi mbi 62000 familje, toka të cilat kaluan në duart e elementit ortodoks sllav,vendas e kolon.(5) Me ligje gjoja për zbatimin e reformës agrare u shpronësuan sipërfaqe të tëra toke që u përkisnin vakëfeve islame.(6) Ne jemi varfëruar shumë me marrjen e pasurisë vakëfnore dhe sigurisht që kjo ka qenë edhe politikë e sistemit komunist-ateist që bashkësitë fetare t’i kthejë në lypsarë.(7)
Në vitin 1947 mbyllen të gjitha shkollat fetare-medresetë, rrënohet një numër i madh i xhamive. Uzurpohet mbi 95% e pasurisë vakëfnore, . Mbi 3 milionë shqiptarë myslimanë detyrohen të largohen nga Kosova, shumica prej tyre në Turqi. Mbi një milion e gjysmë myslimanë burgosen nëpër burgjet serbe. Mbi 500 mijë myslimanë bien dëshmorë gjatë kësaj periudhe 90-vjeçare.(8)
Në qershor të vitit 1954, me vendim të “Këshillit Popullor të Rajonit Autonom të Kosovës”, u formua “Enti për Mbrojtjen dhe Hulumtimin Shkencor të Monumenteve të Kulturës të RAK-ut”. Me këtë institucion do të duhej të vendoseshin themelet për punë sistematike dhe të përhershëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturo-materia le e shpirtërore të popullit shqiptar, si dhe të tjerëve në Kosovë.(9)
Edhe puna e këtij institucioni sikurse edhe të tjerëve qe e politizuar dhe nuk solli rezultat për trashëgiminë islame të Prishtinës dhe Kosovës. Në vitin 1977, u miratua Ligji për Monumentet e Kulturës dhe më 1978 miratohet Ligji për Entin Krahinor për Mbrojtjen dhe Rregullimin e Monumenteve të Kulturës. Ligjet e tilla ishin në fuqi deri më 1990, kur Kosovës iu suprimua autonomia dhe filluan të zbatoheshin ligjet e Serbisë.(10)

Hoxhallarët shtylla e kombit

Në institucionet arsimore siç qenë mejtepet që funksiononin pranë xhamive, ku vërtet jepeshin mësime feje dhe parimet e moralit islam, në to përgatiteshin dhe kali te shin nxënësit për një karakter të fortë e qëndrestar, me të cilin t’i kundërviheshin komunizmit. Normat kuranore e hadithet i shpjegoheshin publikut nëpër xhami e shtëpi, sidomos sa i përket higjienës, personalitetit, besës, trimërisë e moralit. Gjithnjë me pretekstin se duhet “me u dallu prej shkaut”. Vazhdimësia e aktiviteteve nga burrat që sakrifikuan për mbajtjen e lidhjes kombëtare vinte nga imamë të spikatur që radhiteshin në radhët antikomuniste siç ishin Balli Kombëtar e NDSH-ja. Atyre u rrezikoheshin jeta e familja, si edhe përjetuan ndjekje, etiketime e burgje, por ishin shkëndijë e frymës kombëtare. Pushtuesi nuk arriti ti joshë hoxhallarët e pozicionuar kundër tij dhe që ishin për bashkimin kombëtar. Ata shfrytëzuan trazimin e kufijve dhe forcuan lidhjet mes tyre dhe një pjesë e literaturës nga Shqipëria depërtoi në trojet shqiptare dhe do të luante rol të rëndësishëm në pikëpamje kombëtare.(11) Nga Hoxhallarët e spikatur të kohës dokumentohen shumë ligjërime, që, në kuadër të fesë, bënin thirrje për përkujtimet dhe realizimet e amaneteve të dëshmorëve. “Njerëzit përkujtojnë heronjtë dhe ditët heroike, i përkujtojnë dëshmorët me vargje të thurura prej poetëve më të mirë,u shprehin mirënjohje duke ngacmuar ndër të tjera ndjenja patriotike,duke zgjuar ndjenja morale shpirtërore.”(12)

_______________
(1) Edvin, Jasques, Shqipëria, një histori e shkurtër, f. 249.
(2) Marenglen Verli,” Kosova, Sfida Shqiptare në Historinë e Një Shekulli “, Tiranë, 2001, f. 18.
(3) Shukri Rrahimi,” Çështja shqiptare gjatë viteve 1903-1904″, në: Gjurmime, nr. 49-f. 63.
(4) Dr. Zekeria Bajrami. Marrëdhëniet e muslimanëve shqiptarë me laicizmin postmodern, F.M.5h.”Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim”, Tiranë, 2008, 153.
(5) M. Verli, Gazeta, Drita Islame, Tiranë shkurt 1993, nr.13.
(6) Dr. Ramiz Zeka ,Zhvillimi i kultures islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Tiranë 2002, f.31.
(7) Naim Tërnava, Ligjerime për fe e atdhe, 2, Prishtinë 2015, f.131. Fjalim i Myftiut Tërnava, në takimin e Liderëve Fetarë të Ballkanit, Shkup, 29 mars 2011.
(8) Naim ef. Tërnava, Ligjërime për Fe e Atdhe, 2, Prishtinë 2015, f.136, Fjala e Myftiut mr. Naim Tërnava, në Konferencën e Lidhjes Botërore Islame (Rabita) Mekë, Arabia Saudite, 18 korrik, 2011.
(9) Fejaz Drançolli, Në: Monumentet e Kosovës 1998- 1999. IMMK. Prishtinë, 1999.
(10) Baki Svirca, Politika drejtuese në fushë të trashëgimisë. Në: Monumentet e Kosovës (ikmmk). Prishtinë, 2004, f.31.
(11) Dr. Ramiz Zeka, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Tiranë, 2002, f.44.
(12) Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime islame”, cit. f.379,380.

Refik Gerbeshi
Dituria Islame 237