Globus

“Arka e Nuhut ndodhet në rajonin Agri në Turqi”

706views

Vendndodhja e Arkës së Nuhut (Noa), përfundimisht është në krahinën turke Agri, pohon Erkan Kosedag, autor i librit “Arka e Nuhut, Zbulimi i Shekullit”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Libri i botuar në turqisht, sjell një dimension të ri lidhur me vendndodhjen e Arkës, e cila nuk është përcaktuar përkundër studimeve të shumta nga shkencëtarë të ndryshëm të botës.

Kosedag thotë se interpretimi që ia kanë bërë Kuranit, flet se përmbytja e Nuhut ka qenë rajonale dhe jo një ngjarje globale, dhe se ka ndodhur 4.000 vjet më parë.

“Rrëfimi për përmbytjen e madhe dhe Arkën e Nuhut përmendet në të gjitha fetë qiellore, në hebraizëm, krishterim dhe islam”, thotë ai për të shtuar se në Kuran, qëndron se Allahu e ka informuar Nuhun për përmbytjen e madhe e cila do ta kaplojë botën, për të strehuar në arkë të gjithë ndjekësit e tij.

Pas kësaj Nuhu ka filluar ndërtimin e një lundrakeje në të cilën ka mbajtur pjesëtarët e familjes së tij bashkë me nga një çift kafshësh dhe shpendësh.

Për shekuj me radhë është bërë përpjekje për të gjetur arkën, por deri më sot, nuk ka gjurmë fizike të saj.

Megjithatë, pas një tërmeti i cili kaploi fshatin Telceker në qarkun Dogubeyazit të krahinës Agri në vitin 1949, dolën në sipërfaqe mbetjet e një anijeje, të cilat tërhoqën vëmendjen e shumë shkencëtarëve nga e mbarë bota, të cilët kryen një hulumtim në periudhën e viteve 1965-1979.

“Dimensioni i mbetjeve përshtaten në tërësi me ato të dhëna në librat e shenjtë”, rrëfeu për Anadolu Agency (AA) Kosedag, i cili sqaron se libri i tij sjell informacione nga monumentet sumeriane, Epi i Gilgameshit dhe nga tre librat e shenjtë.

Në libër, sqaron ai, janë përfshirë edhe studimet e kryera nga shkencëtarët John Wanderman dhe Dr. Salih Bayraktutan nga universiteti Erzurum Ataturk në Turqi.

“Raporti i Bayraktutanit nxjerrë në dritë se analizat laboratorike flasin se (në mbetjet e anijes) janë zbuluar materiale të ngjashme me hekurin”, tha Kosedag.

“Pohojmë se përfundimisht, Arka ndodhet në rajonin Agri. Studimet do të duhet të përqendrohen në këtë rajon”, shtoi ai.