Arabia Saudite shpall përfundimin e Haxhit, bilanci i sivjetshëm i suksesshëm

Zyrtarët në Arabinë Saudite kanë deklaruar fundin e suksesshëm të Haxhit të sivjetshëm, i cili ka mbledhur rreth 2.3 milionë myslimanë nga e gjithë bota.

Princi Khalid al-Faisal, i cili ka udhëhequr komitetin e qeverisë për mbikëqyrjen e Haxhit, tha se rituali ka tërhequr njerëz për 30 përqind më shumë se vitin e kaluar dhe se ngjarja pesëditëshe ka kaluar pa probleme, njofton “REL”.

Në vitet e fundit, Haxhin e kanë përcjellë trazira, zjarre dhe rrëmuja vdekjeprurëse të turmave.

Në vitin 2015, rreth 2,300 besimtarë kanë vdekur nga ikja e turmave në Mekë.

Ja edhe disa të dhëna shtesë, sa i përket Haxhit 2017:

Sipas të dhënave të sakta, në këtë vit Haxhin e kanë kryer 2.352.122 haxhilerë, kurse prej tyre 1.018.042 kanë qenë gra.

Nga Evropa ka pasur 84.894 haxhilerë, kurse vetëm nga Azia 1.042.335.

Ajo që bie në sy është numri i rritur i grave që vendosin të kryejnë Haxhin. Për ta haxhi konsiderohet me vlera të veçanta, sepse Muhammedi a.s. ka thënë se haxhi për gratë është xhihad.

Përndryshe, Haxhi njihet si shtylla e pestë e Islamit dhe është një detyrë fetare për të gjithë besimtarët, burra dhe gra, që mund ta përballojnë udhëtimin, si në aspekt ekonomik, ashtu edhe në atë fizik.

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply