Globus

Arabia Saudite ndalon fotot dhe videot në dy vendet më të shenjta islame

Arabia Saudite ndalon vizitorët që të marrin foto dhe video në dy xhamitë më të shenjta të Islamit, u tha në një deklaratë të lëshuar të enjten.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit dhe Informacionit saudit, vendimi për të ndaluar fotot dhe videot në xhaminë e Mekës dhe në atë të Medines, e njohur si “Xhamia e Profetit”, u mor nga Ministria e Jashtme saudite më 12 nëntor 2017.

Ndalimi, i cili zbatohet pavarësisht nga qëllimi dhe përfshin edhe përfaqësuesit e medias, u imponua për të mbrojtur dhe ruajtur vendet e shenjta, thuhet në deklaratë. Ndalimi vlen edhe për zonat përreth xhamive.

Autoritetet saudite përmendën shqetësimin e adhuruesve në xhami si një arsye tjetër për futjen e masës.

“Në rast të shkeljes së ndalimit, të vendosur për të siguruar kryerjen e adhurimit në mënyrë më të shëndetshme, mjetet e përdorura për fotografi dhe video do të konfiskohen dhe do të merren veprime ligjore”, thuhet në deklaratë.

Më parë këtë javë, një fotografi e një shtetasi izraelit në “Xhaminë e Profetit” shkaktoi bujë në mediat arabe dhe muslimane.

 

(tesheshi)