Arabia Saudite duhet të fillojë nga Ibn Tejmijje

Bota muslimane do të merr frymë vetëm kur të ndalet lufta e ftohtë sektare e cila tash e katër dekada po e shkatërron në mënyrë kaotike Lindjen e Mesme.

Këto ditë nga Arabia Saudite ka arritur një lajm i pa presedan. Sipas dekretit të Mbretit Selman, në Medine – qytetin e pejgamberit Muhamed, do të krijohet një organ global i elitës së dijetarëve islamikë me mandatin që t’i  çrrënjosin dhe eliminojnë tekstet e rreme dhe ekstremiste.  Siç ka njoftuar Ministria e Kulturës dhe Informacionit, Kompleksi Mbreti Selman do të bëhet burimi konfidencial i haditheve të sakta dhe autentike – kurse hadithet, thëniet e pejgamberit Muhamed, pranë Kuranit janë burimi i dytë themelor i Islamit. Sipas dekretit mbretëror, kryetar i Kompleksit është emëruar Shejh Muhamed bin Hassan Alu Shejh, anëtar i Këshillit të Lartë të Dijetarëve, ndërsa iniciativën e Mbretit e ka mirëpritur edhe Muftiu suprem aktual Shejh Abdulaziz bin Abdullah Alu Shejh.

Sado që i vonuar, ky vendim i Mbretërisë është i guximshëm, mirëpo, për çfarëdo efekte të tij, është e nevojshme që të investohen edhe më shumë përpjekje dhe të holla, që bota muslimane, e veçanërisht kjo pjesa e saj sunite e cila është (ishte) nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Arabisë Saudite, të kthehet në binarët e duhur prej të cilëve ka rrëshqitur 40 vjet më parë. Sepse, për paqe dhe çfarëdo të ardhme kuptimplote të Islamit në zonën e tij qendrore, është e nevojshme, krahas frenimit të doktrinës reduksioniste vehabite të Arabisë Saudite, të ndalet edhe prozelitizmi revolucionar shiit i Iranit. Bota muslimane do të merr frymë vetëm kur të ndalet lufta e ftohtë sektare e cila tash e katër dekada po e shkatërron në mënyrë kaotike Lindjen e Mesme, pasojat e së cilës mund të shihen në gjithë globin.

Presioni ndërkombëtar

Ende nuk është e qartë se çka do të përfshijë ky hap i ri i Arabisë Saudite, përveçse që është e qartë se ky është rezultat i presionit ndërkombëtar, ashtu edhe i ballafaqimit me pasojat e ideologjisë toksike në sjelljen e së cilit ka marrë pjesë vetë Mbretëria, por edhe vendet e tjera të Gjirit të cilat tradicionalisht i janë prirur modelit saudit… Gjatë gjithë historisë, e sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të deri në ditët e sotme, të gjithë ata aktorë politikë të cilët ishin akrepë të ekstremizmit fetar, u përpoqën të mobilizoheshin për qëllimet e tyre politike, në fund u gjetën të pickuar nga thumbi i tyre helmues.

Për fillim, Projekti Saudit do të duhej të fillonte me disa figura kyçe dhe me dijetarët kryesorë, autoriteti i të cilëve u ngrit në mënyrë të panevojshme në piedestal të pagabueshmërisë, të cilat u konsideruan reformatorë dhe përtrirës, dhe paradoksalisht u bënë autoritetete që ndiqen verbërisht (taklid), gjë që rezultoi në një botëkuptim të ngurtë, mënyra kryesore e veprimit të të cilit ishte “etiketimi me mosbesim” (tekfir).

Sipas dr. Muhamed Habeshit, profesor sirian i interpretimit të Kuranit, dijetar i orientimit reformist, etiketimi me mosbesim është origjina e “kulturës së urrejtjes” e cila sot po i rrënon shoqëritë muslimane, është origjina e gjakderdhjes anarkike nën justifikimin e së cilës sot në vendet muslimane po bëhen gjërat më të tmerrshme. Dr. Habeshi në këtë kontekst e ka rishikuar Ahmed Ibn Tejmijjen (1263 – 1328), i cili ishte ndër të parët që i etiketoi me mosbesim ose i „tekfiroi“ një grup të muslimanëve të cilët u deklaruan se janë besimtarë. Në fakt, Ibn Tejmijje në epokën e pushtimit mongol nxori ​​vendim ligjor (fetva), duke deklaruar se ata, pavarësisht nga konvertimi i tyre në Islam, janë pabesimtarë mongol, për shkak se i përmbahen kodit të tyre ushtarak Jasa, në vend të Sheriatit, kështu që shtetasit e tyre muslimanë nuk janë të detyruar t’u binden. Muslimanët tradicionalisht kanë qenë shumë të kujdesshëm rreth gjykimit të vëllezërve muslimanë si renegatë, sepse ata besonin se vetëm Zoti mund të di se çka ka në zemrën e njeriut. Praktika e tekfirit, e shpalljes se një njeri musliman ka bërë apostazi apo braktisje të fesë, është ringjallë përsëri në kohën tonë. Praktika e tekfirit do të bëhet jashtëzakonisht vdekjeprurëse sidomos kur ajo përdoret për qëllime politike dhe kur kundërshtarit politik tentohet t’i mohohet legjitimiteti i tij fetar.

Në esenë e tij të botuar vitin e kaluar: “Ibn Tejmijje dhe 428 fetva, me shënimin “do të kërkohet që të pendohet, përndryshe ai do të ekzekutohet”, dr. Muhamed Habeshi, guximshëm bën thirrje për përballje me të kaluarën dhe ndërprerje të heshtjes për temat dhe interpretimet, të cilat kanë bërë që sot të kemi gjakderdhje anarkike dhe etiketime për mosbesim, prerje të qafave, heqje të kokave, të gjitha këto në përputhje me fetvatë për braktisje të fesë dhe etiketim me mosbesim, të cilat fetva sot i lexojnë mizorët „njerëz të Zotit“ nën flamujt e zi duke lejuar kështu vrasjen e njerëzve dhe atakimin e nderit dhe pronës së tyre.

Dr. Habeshi bëri një shqyrtim eksperimental mbi fetvatë e Ibn Tejmijjes, të cilin prozelitizmi vehabt e ngriti në nivelin e redaktorit përfundimtar të krejt traditës islame, i cili u bë autoriteti suprem i lëvizjeve xhihadiste selefiste. Dhjetëra miliona muslimanë e konsiderojnë atë si autoritetin më të rëndësishëm fetar në Islam duke e titulluar me ‘Shejhul Islam’, një titull me të cilin askush as para tij e as pas tij nuk është titulluar, thotë dr. Habeshi, duke theksuar se ai la pas veti një trashëgimi të madhe të shkruar, e cila ishte e shpërndarë nëpër librat e verdha, për sa kohë që Arabia Saudite dhe institucionet e saj zyrtare fetare nuk iu qasen botimit të mendimeve dhe librave të tij, në të cilat mund të gjendeshin këto fetva. Nuk është qëllimi ynë ta gjykojmë Ibn Tejmijjen, por mbi stolin e të akuzuarit ta vendosim mendimin arsimoro-edukativ, i cili këtë kulturë të helmuar me etiketim për mosbesim ua ofron njerëzve të sotëm si Islam – si fe të Allahut, thotë ky dijetar sirian në esenë e tij.

Dr. Habeshi në bibliotekën online (të cilat sot janë shumë) ka shkruar determinimin „Veprat e Ibn Tejmijes” ku ka konstatuar se sintagma do të kërkohet që të pendohet, përndryshe ai do të ekzekutohet  në librat e Ibn Tejmijjes shfaqet 428 herë, prej të cilave 200 herë vetëm në Përmbledhjen e fetvave të tij (Mexhmū’u fetava Ibn Tejmijje). Sipas dr. Habashit, fatkeqësia qëndron në faktin se etiketimi për mosbesim (tekfir) nuk lidhet me ndonjë sjellje të keqe, por vetëm me bindjet dhe interpretimet të cilat janë imanencë e mendjes së lirë.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e numrit të madh të fetvave
të diskutueshme të Ibn Tejmijjes:

  • Ai që nuk thotë se Allahu gjendet në Fronin e Tij mbi shtatë qiejt e Tij – prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Ai që i thotë dikujt: “Unë mbështetën te ti”, ose “Ti mua më mjafton”, ose “Unë të jam dorëzuar ty“ – prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Ai që beson se cilido i preferuar i Zotit (evlija) ka qenë me Muhamedin ashtu siç ka qenë Hidri me Musain – prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do t’i pritet qafa;
  • Njeriu moshërritur i cili e lëshon vetëm një namaz nga pesë namazet e obliguara, ose e lëshon ndonjërin nga veprimet e detyruara në namaz (një farz të namazit) rreth të cilave nuk ka mosmarrëveshje mes muslimanëve – prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe ai do të ekzekutohet;
  • Ai i cili nuk pohon se Allahu është mbi shtatë qiejt e Tij, ai nuk beson në Të dhe lejohet derdhja e gjakut të tij: prej tij do të kërkohet që të pendohet, ndërsa nëse këtë nuk e bën, do t’i pritet qafa e tij dhe do të hidhet në deponi;
  • Kush thotë se Kur’ani është i krijuar, ai sipas këtij gjykimi është xhehmi: prej tij duhet të kërkohet që të pendohet, përndryshe do t’i pritet qafa;
  • Kushdo që thotë se ndonjëri sahabij, tabi’in apo dikush nga radhët e brezit të ardhshëm ka luftuar me jobesimtarët, ai është i humbur dhe ka devijuar nga Rruga e drejtë; për më tepër ai është mosbesimtar dhe prej tij do të kërkohet që të pendohet për të, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Kushdo që beson se të gjitha këto hadithe janë të besueshme ai është jobesimtar, është obligim që prej tij të kërkohet të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Kushdo që e mohon lejueshmërinë e disa gjërave që dukshëm janë të lejueshme, lejueshmëria e të cilave është përcjellë në mënyrë krejtësisht të besueshme, si buka, mishi dhe martesa, ai është jobesimtar, renegat, dhe prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Nëse, megjithatë, ai këtë e mban të fshehur në vetvete (dmth. që mishi, buka apo martesa janë gjëra të ndaluara) ai do të jetë jobesimtar dhe hipokrit, sipas shumicës së dijetarëve, prej tij nuk do të kërkohet të pendohet, por duhet të ekzekutohet pa të, nëse diçka të tillë e bën publike;
  • Një person i cili nuk vepron në përputhje me këtë fetva ose merr qendrim negativ ndaj saj, apo e lejon dikënd që të dalë nga ajo, prej tij do të kërkohet që të pendohet për të, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Kush pohon se ka ndonjë rrugë tjetër që e çon atë gjer te kënaqësia e Allahut, te nderi dhe shpërblimet e Tij, përpos fesë me të cilën Zoti e ka dërguar pejgamberin e Tij, edhe ai, gjithashtu, është jobesimtar: prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do t’i pritet qafa;
  • Ngrënia e gjarprit dhe akrepit është rreptësisht e ndaluar, sipas qëndrimit unik të muslimanëve, kështu që nëse dikush i han duke i konsideruar të lejuar, prej tij do të kërkohet të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Kush thotë: “Kur’ani është i krijuar”, prej tij do të kërkohet që të pendohet, përndryshe do të ekzekutohet;
  • Kush thotë se Allahu nuk ka folur drejtpërdrejt me Musain, prej tij do të kërkohet të pendohet, por nëse nuk do të pendohet, ai do të ekzekutohet;
  • Kush beson se tekbiri është pjesë përbërëse e Kuranit, prej tij do të kërkohet të pendohet, por në qoftë se nuk don të pendohet, ai do të ekzekutohet;
  • Kush e shtynë namazin për shkak të ndonjë prodhimi, gjuetie apo për dëgjim të mësuesit etj, deri sa dielli nuk ka perënduar, patjetër duhet të dënohet, përkatësisht, të ekzekutohet – sipas mendimit të shumicës së dijetarëve – dhe atë pasi të kërkohet prej tij që të pendohet;
  • Kush thotë se udhëtari është i obliguar ta agjërojë muajin ramazan, të dy prej tyre do të jenë në gabim, sepse kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin unik të muslimanëve, kështu që i tilli do të thirret që të pendohet, dhe nëse nuk do të pendohet, do të ekzekutohet!

Pas kësaj pasqyre të shkurtër të disa fetvave të diskutueshme të Ibn Tejmijjes, atëherë në përgjithësi, çfarë kuptimi ka parimi kuranor: “Në fe nuk ka dhunë!”

Pikërisht, për shkak të këtij paradoksi, që është vetëm një prej shumë shembujve (të personaliteteve, temave, çështjeve) me të cilat duhet të merret, veprimi i fundit i Arabisë Saudite meriton mbështetje. Pasiqë kurrikulat në universitetet fetare në të gjithë botën muslimane kanë nevojë për një vlerësim shumë serioz, kontekstual dhe kritik.

Arabia Saudite le të fillojë nga Ibn Tejmijje – ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë i ballafaqimit me gabimet e së kaluarës, ndërsa shembuj të ngjashëm ka për të gjithë! Vetëm atëherë do të mund të flasim për mendjen e lirë, si parakusht, si për Islamin ashtu edhe për çdo fe në përgjithësi.

Shkruan: Mirnes Kovaç

Burimi: Al Jazeera

Përktheu: Miftar Ajdini

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm: