Histori islame

Allahu është furnizues i vetëm

287views

Në kodrat e Libanit jetonte një asket, larg njerëzve, i vetmuar. Jetën e kalonte në shpellë. Ditën agjëronte e natën falej. Për çdo ditë, me urdhrin e Allahut, para akshamit i vinte një bukë. Gjysmën e hante për iftar e gjysmën tjetër në syfyr.

Një ditë buka nuk i erdhi në kohën e caktuar dhe ai u brengos pak dhe pasi kaloi akshami dhe jacia atë e kapi uria. Posa agoi, doli nga shpella dhe shkoi te një fshat, duke kërkuar diçka për ta shuar urinë. Një plak i dha dy bukë elbi.
Posa u largua, iu vërsul një qen dhe asketi u detyrua t’i jepte një bukë të cilën ai e hëngri menjëherë. Pastaj qeni iu vërsul përsëri, kështu që ai u detyrua t’ia jepte edhe bukën tjetër.

– Subhanallah! Asnjëherë nuk kam parë qen më të paturp se ky! – tha asketi.
Me urdhrin e Allahut qeni foli:

– Nuk jam unë i paturp dhe i pafytyrë! Dije që unë jam rritur në shtëpinë e këtij fshatari që t’i dha dy bukë. Gjithmonë kam qenë besnik ndaj tij. Ia kam ruajtur shtëpinë dhe bagëtinë. Gjithmonë kam qenë i kënaqur me të kur më jepte një kockë ose pak bukë, e ndonjëherë edhe nuk më ka dhënë asgjë. Ka pasur ditë kur ai edhe për vete nuk ka pasur çka të hante, e lëre më për mua. Por, pa marrë parasysh asnjëherë nuk e kam lëshuar shtëpinë e tij. Nëse më ka dhënë, kam qenë falënderues ndaj tij, e nëse nuk më ka dhënë, unë kam duruar! Ndërsa ti një natë mbete pa bukë dhe nuk munde të duroje, por u largove nga dora e Furnizuesit të të gjitha krijesave dhe shkove e trokite në derën e një fshatari për të të ushqyer ai. A thua cili prej nesh duhet të turpërohet?”

Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi

(Islamgjakova)