Shoqëri

Algjeria – Përhapja e fesë islame në Algjeri

340views

Të dhëna statistikore(1):

– Emri ndërkombëtar në anglisht: Algeria.
– Emri zyrtar: Algjeria.
– Sistemi i qeverisjes: Republikë.
– Sipërfaqja: 2,381,741 km.
– Numri i banorëve: 35,700,000 (2009).
– Dendësia: 13.3 (banorë në 1 km-).
– Muslimanë: 99%, 1% katolikë.
– Kryeqyteti: Algjeri.
– Grupet etnike: 99% arabë (prej tyre 14% berberë), 1% europianë.
– Gjuhët kryesore: arabe (zyrtare), berbere dhe frënge.
– Njësia monetare: Dinari algjerian 1 DZD = O. 00943563 EUR.
– Viti i pavarësisë: 1962.
– Festë kombëtare: 1 nëntori – Dita e revolucionit.

Pozita gjeografike:

Algjeria është shtet afrikan, i cili shtrihet në pjesën veriore të kontinentit dhe kufizohet nga perëndimi – me Marokun në një gjatësi 1559 km dhe me Saharën Perëndimore 42 km; nga lindja – me Libinë 982 km; nga verilindja – me Tunizinë 965 km; nga juglindja – me Nigerinë 956 km; nga jugperëndimi – me Malin 1376 km dhe me Mauritaninë 463 km. Ka dalje në detin Mesdhe, me një gjatësi 1622 km. Për nga madhësia, zë vendin e dytë, menjëherë pas Sudanit dhe në botë renditet e dhjeta(2).

ALGJERI: Si kryeqytet, shtrihet në bregdetin mesdhetar, mu në mes të rrugës bregdetare, e cila nga lindja e lidh Tunizinë me Marokun, që gjendet në perëndim të vendit. Algjeri konsiderohet prej qyteteve më të bukura të bregdetit mesdhetar, përkatësisht të pjesës jugore të Mesdheut. Gjithashtu në rajon konsiderohet qendër kulturore, ekonomike dhe politike. Ka një popullsi prej rreth 3.917.000 banorësh, afërsisht një e dhjeta e popullsisë së republikës. Njihet edhe me emrin Algjeri i Bardhë, për shkak të mbizotërimit të ngjyrës së bardhë nëpër ndërtesat e qytetit(3)

Algjeria ka afërsisht 20 universitete, përveç instituteve dhe fakulteteve të Tjera, që funksionojnë të pavarura(4).

Algjeria ka gjithsej 136 aeroporte, 28 prej të cilave funksionojnë për udhëtime të rregullta, 24 për udhëtime të parregullta dhe 84 aeroporte të tjera janë të paasfaltuara. Po ashtu ka edhe porte detare dhe rrugë hekurudhore(5).

Historia e Algjerisë

Algjeria në kohët e vjetra ishte e banuar nga fiset berbere, të cilat konsiderohet se të parat banuan Afrikën Veriore. Berberët konsiderohen me të drejtë autoktonë, si banorët më të lashtë të vendit. Romakët kishin pushtuar tokat berbere në vitet 46-44 para erës sonë. Pas ndarjes së Kishës së krishterë në vitin 395 të erës sonë dhe ekzistimit të Perandorisë Romake në dy kontinente – në atë perëndimore në Romë dhe lindore në Kostandinopojë – sundimi i romakëve në Afrikën Veriore u reduktua. Kurse, me shkatërrimin e Perandorisë Romake në shekullin V, berberët arritën të pavarësoheshin në një pjesë të madhe të territorit të tyre. Mirëpo gjendja e berberëve qe vështirësuar me ardhjen e vandalëve, të cilët okupuan vendin e tyre. Rrethanat e berberëve ndryshuan me shkatërrimin nga ana e vandalëve dhe nga ndërhyrja ushtarake e romakobizantinëve. Sundimi i këtyre të fundit në tokat berbere përfundoi me çlirirnin e myslimanëve në shekullin Vll, gjegjësisht në kohën e halifit të tretë të myslimanëve – Uthman ibn Af-fanit r.a., në vitin 26h/646m ..

Pastaj, pasuan çlirimet në periudhën e sundimit emevit (41h/661m -132h/750m), për të vazhduar sundimin e tyre abasitët (132h/750m – 656 h/1258 m). Mandej fisi Benu ziri në tokat e Algjerisë së sotme ngriti shtetin e tij, të cilin e pasuan fatiminjtë, murabitët dhe muvehidinët deri në vitin 669h/1270m, kur fisi Benu Zian mbizotëroi kundër muvehidinëve.

Fisi Benu Zian u përqendrua me seli në Tilimsan – qytet në Algjerinë e sotme. Pas rënies së Andaluzisë (1492m), luftërat detare dhe ato tokësore të myslimanëve kundër spanjollëve, nuk pushuan. Mirëpo, komandanti i forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, Hajrud-din Barbarosi, në vitin 918h/1512m, në një luftë të vështirë kundër spanjollëve, arriti t’i dëbonte ata dhe t’i shpëtonte tokat e Algjerisë së sotme. Pra, që nga viti 1518m këto toka u bënë pjesë e Perandorisë Osmane, dhe ashtu qenë deri në vitin 1830m, kur trupat ushtarake franceze filluan okupimin ei Algjerisë. Pushtimi francez i Algjerisë u kurorëzua në vitin 1871, kur i tërë territori algjerian ra nën kontrollin dhe varësinë e Francës. Pavarësinë nga Franca Algjeria e fitoi më 5 korrik 1962. Që nga viti 1954, 1 Nëntori konsiderohet festë kombëtare e vendit, dita e Revolucionit, që shënon fillimin e luftërave guerile me synimin për pavarësinë e vendit nga francezët(6).

Historia e përhapjes së islamit në algjeri:

Në vitin 26h/646m halifi i myslimanëve, Uthrnan ibn Af-fani shkarkoi Amër ibn Asin – mëkëmbësin e Egjiptit, dhe në vend të tij emëroi Abdullah ibn Sa’din. lbn Sa’ di filloi dërgimin e disa grupeve ushtarake nëpër vendet e Afrikës Veriore – territore të paçliruara, ashtu siç kishte vepruar Amri më parë. Ato grupe ushtarake bënin vëzhgimin e atyre territoreve nga të gjitha anët, për t’u siguruar nga vendet përreth. Kur Ibn Sadi mbodhi informacione të mjaftueshme rreth e përqark vendit, kërkoi leje nga halifi i myslimanëve, Uthmani r.a., për të depërtuar në zonat e tjera, në mënyrë që të përhapte fenë islame, e halifi i kishte dhënë leje për atë veprim(7).

Pra, që nga koha e Uthmanit r.a. kishte filluar të përhapej feja islame në mënyrë të pjesërishme në disa pjesë të territorit të Algjerisë së sotme. Por, në këto vende feja islame vazhdoi të përhapej me përmasa të mëdha vetëm në kohën e sundimit të Muaviut r.a. – halifit të parë të dinastisë Emevite.

Muaviu r.a. në vitin 55h/674m, në vend të Ukbe ibn Nafi-ut, caktoi mëkëmbës të Afrikës Veriore Ebu -l- Muhaxhir Dinarin. Sundimi i Ebu Muhaxhirit konsiderohet fillimi i depërtimit të rregullt të ushtrisë myslimane nëpër ato zona, ngase të tjerët para tij nuk qëndronin gjatë në zonat ku depërtonte ushtria myslimane, po sulmonin dhe pastaj ktheheshin në Fusfat. Ebu Muhaxhiri filloi çlirimet në Algjeri dhe qytetin Mila – qytet në Algjerinë e sotme – mori për qendër të ushtrisë së tij.

Andaj, Ebu Muhaxhiri llogaritet i pari që shkoi nëpër ato zona me ushtrinë myslimane dhe qëndroi aty me synimin për t’i vendosur myslimanët nëpër ato vise. Pra, Ebu Muhaxhiri, me të drejtë konsiderohet i pari që vendosi këmbët e tij në Magribin e Mesëm – kështu quhej asokohe Algjeria. Me politikën e tij të drejtë afatgjatë, Ebu Muhaxhiri, me butësi dhe dashamirësi, arriti të përfitonte zemrat e berberëve. Ajo politikë e tij solli rezultate pozitive, kështu që prijësi i berberëve Kusejle dhe një numër i madh i popullit të tij, përqafuan fenë islame. Pas këtij depërtimi të Ebu Muhaxhirit me ushtrinë islame, ai vazhdoi me çlirime të tjera dhe me përhapjen e fesë

islame, kësaj radhe me ndihmën edhe të myslimanëve të rinj nga radhët e berberëve, derisa arriti përgjatë periferive të Tilmasit – qytet në Algjerinë e sotme(8).

Klima

Klima e shkretëtirës në Algjeri është klimë dominuese, që zotëron në më shumë se 80% të vendit, kryesisht e shtrirë në jug të vendit. Gjatë dimrit në disa pjesë të vendit, me reshje të pakta atmosferike, klima është e butë dhe e ngrohtë. Përgjatë bregdetit mbisundon thatësira, kurse në rrafshnalta të vendit dimri i ftohtë. Vera është e thatë dhe tepër e ashpër, me temperatura të larta, të cilat arrijnë më shumë se 32 gradë celsius. Në veri të vendit, pranë zonës bregdetare, shtrihen malet Atlas, si vargmale paralele, të cilat bëjnë ndërprerjen e rripit bregdetar të detit Mesdhe. Lumi kryesor në vend është lumi Kelif (Shelif), i gjatë 724 km, i cili buron nga malet Atlas dhe derdhet në detin Mesdhe. Në brendësinë e territorit të vendit, mbrapa maleve Atlas, klima është tepër e thatë dhe me temperatura të larta, që arrijnë deri në 49 gradë celsius gjatë ditës dhe 10 gradë celsius gjatë natës. Pika më e lartë e reliefit është në pjesën jugore në brendi të Saharës së vendit; ajo arrin lartësinë mbidetare 3.003 metra.Pika më e ulët është -40 metra nën nivelin e detit(9)

Gjendja ekonomike

Ekonomia e Algjerisë bazohet më shumë në bujqësi, ngase kjo llogaritet dega më e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Mirëpo, shumica e tokës së vendit është joprodhuese, prandaj edhe bujqësia është e mundshme të funksionojë dhe të zhvillohet vetëm në pjesët bregdetare dhe në zonat e rrafsheve të vendit.

Në Algjeri mbillen kryesisht drithëra, panxharsheqer, patate, dhe fruta-këto

të fundit kryesisht përdoren për eksport në vende më të zhvilluara – si portokalli, grejpfruti, limoni, rrushi, hurmat dhe ullinjtë. Kurse, për sa i përket blegtorisë, kultivohen dele, dhi dhe gjedhë. Nevojat ushqimore të vendit përmbushen kryesisht me prodhime vendore, përafërsisht deri 40%. Algjeria është e anëtarësuar në OPEC dhe në Afrikë renditet e treta për rezerva të naftës. Nafta dhe gazi natyror (renditet e dyta në botë), të cilat i siguron sahara që gjendet në jug të Algjerisë, kanë ndihmuar shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Pasuri të ljera natyrore të vendit konsiderohen edhe hekuri, fosfati, urani, plumbi dhe zinku(10).

Literatura e konsultuar.

(1) – Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, fq:. 6. Dasara 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, fq:. 33. Logos-a, 2009, Shkup. ATLAS islarnskoga svijeta / redakcija i autori tekstova Ahmet Alibasiç …; fq: 26, 29. Sarajevo, 1001
(2) – Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, fq: 6. Dasara 2007, Tirane, http://ar.wikipedia orglwiki. http://sq.wikipediaorg/viki/Algjeria.
(3) – http://ar.wikipediaorg/wiki.
(4) – http://www. khayrna.com/education-tedmo/ogy/un-aljariahtm.
(5) – Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, fq: 33. Logos-a, 2009, Shkup.
(6) – http://sq.wikipedia.org/wiki/Algjeria Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, fq:. 6. Dasara 2007, Tiranë, Dr. Shevki Ebu Halil; Atlesu Duveli -1- Alerni -1- islami, fq:. 51. Botimi i parë. Darul Fikr; 1422 h /2001 m, Damsk.
(7) – Dr. Ali Muhammed Es-sal-labi, UtlunanibnAf-fanir.a,fq:. 217. Botimi i parë. DarulFexhr lit-turath, 1425h/2004m, Kajro.
(8) – Dr. Abdul Hamid Husejn Ham-mude; Tarihu d-develeti -l- arabij-jeti -l- islamij-jeti, fq:. 617, 618. (libër elektronik, i huazuar nga interneti). Grup autorësh; Tarihu -l- Kuruni -l- vusta fi sh-sherki ve-l- Carbi, fq:. 123, 124. 19834, Algjeri.
(9) – http://sq.wikipedia.org/wiki/Gjeografia_e_Algjeris. Vladimir ZOTO Enciklopedi gjeografike e botës, fq:. 6.
(10) – http://sq.wikipedia.org/wiki/Algjeria.Vladimir ZOTO Enciklopedi gjeografike e botës, fq:. 7. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, fq:. 33. Logos-a 2009, Shkup. Dr. Shevki Ebu Halil; Atlesu Duveli -l- Alerni -1- islami, fq:. 51. Botimi i parë. Darul Fikr, l422h/2001 m, Damsk,

Mr. Samir B. AHMETI /islamgjakova/