Globus

Ajeti nga Kurani i vendosur në hyrjen kryesore të Harwardit

289views

Universiteti Amerikan Harvard ka vendosur një ajet nga Kurani në hyrje të Fakultetit të Drejtësisë, duke e përshkruar këtë ajet si një nga citatet më të mira rreth drejtësisë në histori.

Ajeti i Kuranit nr. 135 i sures en-Nisa (Gratë), është vendosur në mur i kthyer kah hyrja kryesore, i cili iu kushtohet citateve më të mira që janë thënë për drejtësinë, transmeton e përditshmja arabe Ajel. Një student saudit, i cili studion në Harvard, e ka postuar në Twwitter foton e kësaj pllake, ku shihet i shkruar ajeti i theksuar.

“E vura re se ky ajet është vendosur në murin e Fakultetit të Drejtësisë, i cili e ka përshkruar si një nga citatet më të mira në lidhje me drejtësinë në histori”, ka thënë studenti Abdullah Jumma.

Universiteti i Harvardit është themeluar në Cambridge, Massachusetts, në vitin 1636, si institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në ShBA.

Ajeti të cilin e kanë cituar është ky:

»O besimtarë! Bëhuni ithtarë të së vërtetës, duke dëshmuar në emër të Allahut, ajo qoftë madje edhe kundër jush, ose kundër prindërve dhe të afërmëve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata, vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! E, nëse ju ngatërroni dëshminë ose tërhiqeni (nga të dëshmuarit), Allahu, me të vërtetë di ate ç’punoni ju.«

Përshtati: Miftar Ajdini