Globus

Afrini pastrohet nga terroristët, fëmijët rikthehen në shkolla

371views

Falë operacionit “Dega e Ullirit” në kuadër të të cilit u zhvillua pastrimi i rajonit nga terrorizmi, fëmijët e fshatit El Xhaviz të Afrinit, të cilët nuk shkonin në shkollë nga presionet e YPG/PKK-së, pas afro dy vitesh përjetuan gëzimin e rikthimit në bankat shkollore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjallërohen” rrugët e Afrinit

Shkollat e dëmtuara në rajonin e Afrinit, rajon ky i cili falë operacionit të Forcave të Armatosura Turke (TSK), shpëtoi nga organizata terroriste, po rinovohen me mbështetjen e Turqisë duke u përgatitur në këtë mënyrë për procesin edukativo-arsimor.

Bashkia Keçiören, e cila një kohë të gjatë merret me aktivitetet e këtij lloji, rinovoi shkollën e dëmtuar nga terroristët në fshatin El Xhaviz, në largësi prej 5 kilometrash nga Afrini.

Në shkollën me kapacitet prej 160 nxënësve, së cilës i është rinovuar suvatimi dhe ngjyrat, ekipet kanë sjellë dhe materiale si banka, shkumës, tabela dhe kënde lojërash për fëmijë si dhe materiale shkrimi dhe veshje për fëmijët.

Pas një pauze afro dy vjeçare, fëmijët, të cilët nuk shkonin në shkollë për shkak të presioneve të YPG/PKK-së, iu bashkuan bankave shkollore. Në shkollën ku pas një kohe të gjatë u dëgjua zilja, fëmijëve në fytyrë u shihej gëzimi teksa shikonin materialet shumëngjyrëshe për shkrim.

Me flamuj të Turqisë në duar, nxënësit hynin me radhë në shkollën e rinovuar ndërkaq gjatë pushimeve, argëtoheshin në këndin e lojërave të vendosur në oborrin e shkollës.

Ekipet, në ditën e parë të shkollës, zbukuruan shkollën me tullumbace dhe flamuj turq.

Në deklaratën për AA, njëri prej mësuesve të shkollës, Uday Ibrahim, bëri të ditur se terroristët kanë ushtruar dhunë të ndryshme ndaj njerëzve duke penguar edhe procesin mësimor të fëmijëve.

Duke theksuar se njerëzit kanë hasur në vështirësi pasiqë organizata në rajon në vend të alfabetit arab ka bërë të detyrueshëm atë latin, Ibrahim shtoi se kjo ka qenë dhe shkak për moskomunikim.

“Ashtu si në shumë shkolla të Afrinit, edhe këtu si pasojë e presioneve të organizatës terroriste YPG/PKK, për afro dy vite fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë. Në vend të arabishtes, janë përpjekur që fëmijët t’i mësojnë në gjuhën kurde prandaj dhe popullata arabe e fshatit nuk deshi që fëmijët t’i dërgojnë në shkollë sepse e ndryshuan dhe alfabetin dhe gjërat që tregonin nuk ishin të vërteta”, tha Ibrahim.

Ai thotë se Turqia këtë vend e pastroi nga terroristët dhe i rinovoi shkollat. “E falënderojmë tërë Turqinë duke filluar që nga bashkia Keçiören. Zoti qoftë i kënaqur prej tyre. Shkollën e rinovuan nga fillimi, rinovuan muret dhe bënë kënd lojërash në oborr. Sollën dhe materiale shkrimi dhe veshje dhe fëmijët u gëzuan shumë. Pas një kohe të gjatë, u rikthyen në shkollë”, u shpreh Ibrahim duke theksuar se tanimë beson se ditët e këqija kanë mbetur pas.

“Përpiqemi të rinovojmë të gjitha shkollat”

Njëra nga nxënëset e shkollës, 11 vjeçarja Şeyma el-Hasan, tha se ishin të pikëlluar pasi nuk mundeshin të shkojnë në shkollë. “E falënderojmë Turqinë që e rinovuan shkollën, e hapën sërish dhe na shpëtuan nga terroristët. Dy vite nuk kemi mundur të shkojmë në shkollë dhe ndjenim hidhërim për këtë por deshi Zoti që kjo të mbarojë. Tani jemi shumë të lumtur”, tha ajo.

Nga ana tjetër, ndihmësi i prefektit të Bashkisë Keçiören, Tekin Başer, i cili nuk i la të vetëm fëmijët sirianë në ditën e parë të shkollës, deklaroi se përpiqen të rinovojnë të gjitha shkollat në rajon dhe rikujtoi në rëndësinë e arsimit dhe edukimit.

Başer tha se i solli paqe fakti që ishte dëshmitar i lumturisë së fëmijëve. Ai thotë se “Një kohë të gjatë këtu arsimi ishte i pezulluar. Shkollat kishin dëmtime të mëdha dhe ne punuam ditë e natë që të ribëjmë gjithçka”.

“Fëmijëve u sollëm veshje dhe materiale shkrimi. Falë Zotit që sot këtu ra zilja dhe fëmijët u kthyen në klasa e u takuan me shokët dhe shoqet e tyre. Do Zoti që këtu dhe gjithandej gjithçka të jetë më mirë. E falënderojmë ekipin tonë dhe të gjithë mbështetësit”, tha Başer.