A lejohet të ndahet një pjesë e zeqatit për mirëmbajtjen e xhamisë?

Pyetja:

Esselamu alejkum profesor i nderuar, a mund të na tregoni se a lejohet që një përqindje nga mbledhja e zeqatit dhe të fitrave të ndalet edhe për mirëmbajtjen dhe nevojat e xhamisë, pasi që ka njerëz të caktuar të xhamisë që bëjnë mbledhjen e këtyre obligimeve, mbase edhe vet qendra përcaktohet si Bashkësi Islame. Pra bëhet fjalë për një xhami në diasporë, e cila ka si të vetmin burim ekonomik anëtarësinë e xhematit?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim.

I nderuar, sa i përket destinimit të Zeqatit respektivisht fondeve në të cilat duhet të destinohet zeqati, këtë çështje All-llahu xh.sh. e përcaktoi drejtpërsëdrejti në ajetin 60 të sures Et-Tevbe ku thotë: “All-llahu caktoi obligimin që lëmoshat (zeqati) t’ju takojë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat ( të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin e nga robëria, të mbyturve në borxhe (luftëtarëve), në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu i din gjendjet e robërve, punon sipas urtësisë së vet.” (Et-Teube, 60)

Nga ky ajtet Kur’anor qartë vërehet se Allahu xh.sh. jo vetëm që obligoi zeqatin por edhe përcaktoi fondet ku duhet të jepet zeqati, që nënkupton se kjo çështje nuk ngeli në dorën e njeriut. Gjithashtu, nga ajeti nënkuptojmë se, meqë përmendet kategoria e atyre që e tubojnë zeqatën, qartë nënkuptohet se çështja e zeqatat nuk ngelë dëshirë e vetë dhënësit të zeqatat, por është obligim islam që zeqati të tubohet në një vend, në një fond e më pas nga aty, në bazë të projekteve dhe planeve mirë të analizuara, duhet të shpërndahet në ato kategori që përmend Kur’ani Fisnik. Një gjë të tillë e ka dëshmuar edhe vetë praktika e Pejgamberit a.s. dhe e Hulefai Rashidinëve, të cilët autorizonin njerëz të veçantë për grumbullimin e zeqatat në Bejtu-l-mal (Arkën shtetërore), e më pas nga aty shpërndahej atje ku ndihej nevoja.

Këtë çështje e trajton Prof. Vehbi Zuhejli në veprën e tij “El Fikhul islamij ve edil-letuhu” 2/875, ku thotë: Janë dakorduar shumica dërmuese e fukahave islam nga katër shkollat juridike islame se nuk lejohet dhënia e zeqatit në fondacione të tjera përveç këtyre kategorive që i përmend ajeti i lartpërmendur. Pra nuk lejohet dhënia e zeqatit për ndërtimin e xhamive, urave, rrugëve, etj. Një elaborim pak më të detajuar e bën Imam Kasani në veprën e tij kur thotë se nocioni “fi sebililahi” përfshinë të gjitha kategoritë e mirësive që janë në rrugën e Allahut, andaj sipas tij mund të jepet zeqati për ndërtimin e xhamive. Në bazë të analizave të shumta që i janë bërë kësaj çështjeje, mendoj se destinimi i Zeqatit për mirëmbajtjen e xhamive nuk është veprim i lejuar, ngase mirëmbajtja e xhamive është obligim i tërë muslimanëve për të investuar në mirëmbajtjen e tyre, kurse qëllimi i zeqatit dhe sadekatul fitrit, parimisht, është për qëllime krejt të tjera nga kjo çështje.

Allahu i Madhërishëm e di më së miri!

Jusuf Zimeri

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm: