A lejohet gënjeshtra në kampanjë zgjedhore?

Në zgjedhje, qofshin parlamentare apo komunale, garojnë edhe kandidatë të cilët njihen si fetarë. Me këtë kam për qëllim se shkojnë në xhami, agjërojnë dhe i kryejnë detyrat fetare. Tash parashtrohet pyetja: A mund që këta kandidatë, qëllimisht, të mos e thonë të vërtetën nëpër kampanja, ngase ndryshe nuk mund t’i përfitojnë votuesit? Nëse e dinë se nuk e flasin të vërtetën dhe se këtë e bëjnë vetëm për kampanjë, ngase kandidatët tjerë veprojnë njejtë duke plasuar premtime jo të vërteta, a do të jenë përgjegjës para Allahut për atë që nuk kanë folur drejtë? Si të veprojnë, që edhe mos shkelin mbi parimet fetare, edhe të jenë të pranuar te publiku?

Përgjigja:

Së pari, Islami kërkon prej pjestarëve të vet që të jenë të përkushtuar në Islam dhe të veprojnë sipas porosive të Islamit në të gjitha fushat e jetës, të jenë të sinqertë në çdo gjë dhe të largohen prej gjërave të ndaluara në çdo rast, duke mos bërë përjashtime, përpos se në gjendje të jashtëzakonshme të cilat në të drejtën islame njihen si “darurat”(domosdoshmëri), edhe atë konform rregullave të parapara dhe të përcaktuara në mënyrë precize në të drejtën islame.

E dyta: Gënjeshtra dhe mashtrimi i masës me gjëra jo të sakta dhe premtime jo reale është i ndaluar në Islam. Nga cilësitë e besimtarëve të vërtetë dhe të sinqertë, Allahu xh.sh. numëron edhe largimin nga gënjeshtra dhe dëshmia e rrejshme. Ai thotë: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet”. (El Furkan, 72). Allahu i Mëshirshëm, urdhëron largimin nga idhujtaria dhe të folurit e rrejshëm, e të renditja e këtyre dy gjërave në një ajet, tregon se sa mëkate të mëdha janë gënjeshtrat, premtimi i rrejshëm dhe dëshmia e rrejshme: “…pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rrejshme”. (El Haxhxh, 30).
Poashtu, në shumë hadithe flitet për ndalimin e rrenës, dhe në mes tjerash, për ta kuptuar sa serioze është çështja e rrenës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e paraqet rrenën cilësi të hipokritit e jo të besimtarit. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shenjat hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e realizon, dhe kur diçka i besohet tradhton”

Kur i kemi parasysh këto argumente dhe shumë tjera që nuk i kemi përmendur, është e qartë se muslimani nuk është e lejuar të gënjejë dhe t’i mashtrojë njerëzit me premtime të rrejshme në çdo situatë, përfshi këtu edhe kampanjën zgjedhore, ngase muslimani është musliman edhe në kampanjë, e jo vetëm jashtë kampanjës, dhe Islami nuk e pranon premisën se “Qëllimi e arsyeton mjetin”.
Kjo do të thotë se nëse muslimani gënjenë dhe e mashtron masën me premtime boshe për të cilat është i vetëdijshëm se nuk mund t’i realizojë, por vetëm për t’i fituar votat, normalisht se është përgjegjës para Allahut për thënie të rrenave dhe mashtrim të njerëzve, dhe ajo se janë thënë në kampanjë zgjedhore, nuk e liron njeriun nga përgjegjësia.

E treta: Njeriu për të qenë faqebardhë para Allahut dhe për mos t’i mashtruar njerëzit, dhe njëkohësisht ta fitojë mbështetjen e tyre, duhet të jep premtim se do të angazhohet seriozisht për realizimin e projekteve reale. Ai duhet të zotohet se do të bëjë ç’mos që t’i zgjidh problemet e tyre, e jo se do t’i zgjidh, ngase nuk mund të garantoj gjëra të cilat, ai vetë, nuk i ka në dorë të gjitha. Kjo do të thotë se nuk është ai i pari dhe i fundit në një shtet që të mund të thotë se do ta bëj, ngase ka edhe shumë faktorë tjerë në një shtet që mund ta pengojnë. Për atë, ai është përgjegjës për premtimet e rrejshme, por jo edhe për mos arritjen e rezultateve nëse është angazhuar sinqerisht dhe me të gjitha potencialet e veta për realizimin e tyre.
Për këtë, nëse ai premton se do të angazhohet seriozisht dhe do të mundohet me të gjitha forcat e veta që t’i realizon premtimet e veta, dhe këtë edhe e bën gjatë mandatit të tij, e ka plotësuar premtimin e dhënë. Nëse nuk ia arrinë, nuk konsiderohet mëkatar dhe mashtrues, ngase është angazhuar dhe është munduar, por nuk ka patur sukses. Prej muslimanit kërkohet të angazhohet seriozisht dhe ta bëjë punën, e jo domosdo të sjell rezultate, ngase rezultatet varen nga më shumë faktorë.

Allahu na forcoftë në të vërtetën.

U përgjigjë:
Dr. Bashkim Aliu

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm: