Islamisitikë

A ka folur për ne Pejgamberi a.s?

387views

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi dëshmorët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër;

Ebu Seid el-Hudri transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë:
“Kush shërbehet dhe ushqehet me ushqim të lejuar, e praktikon sunetin dhe nga të këqijat e tij janë të sigurtë njerëzit e tjerë, do të hyjë në xhenet.”

Të pranishmit i thanë: O i Dërguari i Allahut, të tillë ka shumë në mesin tonë.

Ai tha: “Në shekujt që do të vijnë pas meje, do të ketë shumë pak.”

Kanë kaluar shumë shekuj, 14, nga koha kur Pejgamberi (savs) këtë ua tha sahabëve.

Kur ju foli ai atyre, atëherë shumica e muslimanëve ishin larg nga harami, e jetonin sunetin dhe askujt nuk i bënin keq. Për shkak të përsosmërisë së gjeneratës së parë, e cila u rrit me Pejgamberin (savs), prej nesh kërkohet që t’i duam, t’i respektojmë dhe t’i marrim si model. Prej nesh kërkohet, që duke e shikuar jetën e tyre, të mësojmë se është e mundur të jetohet Islami, dhe se vetëm një jetë e tillë, jeta sipas rregullave të fesë, sjell lumturi, forcë dhe fitore.

Abdullah bin Amr bin As (r.a.) thotë: Pejgamberi (savs) na ka thënë:

“Shprehni respekt për shokët e mi. Duani ata, sepse ata janë më të mirët në mesin e të cilëve unë kam qenë. Besoni Allahut dhe konfirmoni misionin tim. Besoni në vërtetësinë e asaj që unë e kam sjellë nga Allahu, ndiqni atë dhe praktikoni. Pas sahabëve, brezi më i mirë është ai pas tyre (tabiinët). Ata do të besojnë në mua, do t’i ndjekin urdhrat e Allahut, pa më parë mua. Pas tyre, vjen brezi që do të ndjek shembullin e tyre, kurse pas tyre do të vijnë brezat që nuk do të kujdesen për namazin dhe do t’i ndjekin pasionet e tyre. Ata do të largohen nga ato që unë ju kam urdhëruar, e do t’i ndjekin dhe praktikojnë ato që ua kam ndaluar. Do ta shtrembërojnë fenë duke ju robëruar pasioneve dhe dëshirave, dhe do të tregohen para njerëzve me veprat e tyre. Do të betohen, edhe pa e kërkuar atë askush prej tyre. Kur diçka ju besohet, besimin do ta zhgënjejnë. Kur të flasin do të gënjejë, fjalët e tyre nuk do të jenë në përputhje dhe veprat e tyre. Prej tyre do të pezullohet dituria dhe butësia, e do të sundojë injoranca dhe imoraliteti. Do të zhduket turpi dhe besueshmëria në mesin e tyre, do të përhapet gënjeshtra, mashtrimi, mosrespektimi i prindërve, mosmbajtja e lidhjeve familjare, do të ushqehet shpresa për jetë të gjatë, do të jenë koprracë dhe të pangopur me këtë botë, do të përhapet zilia, zinaja, sjelljet e këqija, fqinjësia e keqe dhe njerëzit do të dalin nga feja sikur shigjeta që del nga harku. Fundi i botës do të vijë, kur në tokë do të mbesin njerëzit më të këqij. Nëse doni të banoni në xhenet dhe t’i gëzoni begatitë e tij, në mënyrë të vendosur përmbahuni sunetit dhe xhematit.
Ruhuni mirë nga risitë në fe, sepse çdo risi është mashtrim. Allahu i Madhërishëm asnjëherë nuk do t’i japë unitet umetit të Muhamedit në diçka që është mashtrim. Kush e lë nënshtrimin ndaj Allahut, e lë xhematin, i injoron urdhrat e Allahut dhe vepron në kundërshtim me ligjet e Allahut, do të takohet me Allahun duke qenë Allahu i zemëruar me të, dhe do ta çoj në xhehenem.” /Tenbihul gafilin/

Vëllezër të respektuar;

Nëse ne shikojmë në veten tonë, do ta kuptojmë qartë se Pejgamberi (savs) ka folur për ne.

Ka folur për njerëzit të cilët do ta lënë pas dore namazin, edhe pse e dinë se ai është farz dhe themel i fesë; ka folur për ata që do t’i ndjekin dhe do t’ju robërohen pasioneve edhe pse e dinë se ajo është rrugë e shejtanit; ka folur për ata të cilët kur e bëjnë ndonjë të mirë, duan ta theksojnë dhe ta përmendin, duan që të mburren, edhe pse e dinë se ajo e zvogëlon vlerën e veprave të mira, e dinë se ajo është shirk i vogël!

Pejgamberi (savs) ka folur për ata të cilët kur flasin, pa arsye betohen, që do të thotë se në fjalimin e tyre as vetë nuk besojnë; për ata që nuk kanë besueshmëri, edhe pse e dinë se nuk ka besim ai në të cilin nuk ka besueshmëri; për ata që gënjeshtra është e pranishme në bisedat e përditshme, dhe veprat e tyre nuk ju përputhen me fjalët.

Pejgamberi (savs) ka paralajmëruar zhdukjen e turpit edhe pse pasuesit e tij do ta dinë se turpi është pjesë e besimit; ata do ta dinë se kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe përsëri nuk do tu shprehin respekt; ata do ta dinë se ruajtja e lidhjeve familjare është detyrë e besimtarit, sepse në këtë mënyrë ruhet dhe forcohet bashkësia, por megjithatë lidhja familjare do të injorohet; Pejgamberi (savs) ka thënë se në shekujt në vazhdim pasuesit e tij do ta kenë zili njëri-tjetrin, do të kenë sjellje të këqija dhe do ta përdhosin fqinjësinë.

Vëllezër të dashur, nëse shikojmë përreth nesh, do të shohim se fjala është për ne!

Abdullah ibn Mesudi (r.a.) thotë se Pejgamberi (savs) e tërhoqi një vijë dhe tha:

Kjo është rruga e drejtë. Pastaj e tërhoqi një nga e majta dhe një nga e djathta dhe tha: Këto janë rrugë të gabuara, në secilën prej tyre është shejtani i cili thërret kah vetja e tij.

Pastaj lexoi: “Dhe, qe, kjo është rruga ime e drejtë; prandaj ndiqni, e mos shkoni rrugëve tjera që t’ju shmangin ato nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porositë Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” /el-En’am, 153 /

Për neve ka folur Pejgamberi (savs) edhe kur ka thënë se në shekujt që pasojnë do të mbretërojë injoranca dhe imoraliteti. Ne jemi dëshmitarë se në mbarë umetin e Pejgamberit (savs) nuk po respektohen kriteret dhe rregullat të cilat umetit do t’i siguronin progres dhe fitore. Në vend të dijes dhe moralit, kriteret tona janë përshtatshmëri dhe bindje.

Te shokët e Pejgamberit (savs) kjo nuk ka ekzistuar.

Nafi bin el Harith erdhi te halifi Omer (r.a.) me Asfanin të cilin Omeri më herët e kishte caktuar për guvernator të Mekës.

Omeri e pyeti: “Kënd e ke lënë në Mekë zëvendës tëndin?”

– E kam caktuar Ibn Ubze-n.

“Po kush është ky Ibn Ubze?” Pyeti Omeri.

– Njëri nga robërit tanë të liruar.

Me atë rast Omeri tha: “Ua ke caktuar si zëvendës tëndin një rob të liruar?”

Asfani i tha: “Ai i di më së miri rregullat dhe i di obligimet. Ai e lexon Librin e Allahut.”

Omeri (r.a.) tha: “A nuk ka thënë Pejgamberi (savs): Allahu me këtë dituri disa njerëz do t’i lartësojë, e disa do t’i ulë!” /Muslimi/

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që të ngrihemi dhe të bëhemi si gjeneratat e para të zgjedhura!

O Zot, na forco në rrugën Tënde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

Na bëj prej atyre që rrisin fëmijët e tyre në përputhje me rregullat Tua!

Na i pastro zemrat dhe gjuhët tona nga mendimet e këqija dhe nga fjalët e shëmtuara!

Na i falë mëkatet tona dhe të na ndero në xhenete, në shoqëri me pejgamberë, me njerëz të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!

Përktheu: Miftar Ajdini