Islamisitikë

A janë muslimanët majft të arsimuar?

786views

Në bazë të studimeve, edhe pse numerikisht ndër më të paktët në botë, hebrenjtë kanë më shumë vite të arsimimit formal nga të gjitha grupet fetare, më saktë, mesatarisht kanë 13.4 vjet. Në vendin e dytë janë të krishterët me 9.3 vjet të arsimimit formal, pastaj budistët me 7.9 vjet, kurse në vendin e fundit janë hindusët dhe muslimanët me 5.6 vjet të shkollimit. Pra, muslimanët kanë gati dy herë e gjysmë më pak vjet të shkollimit sesa hebrenjtë dhe gati dy herë më pak se të krishterët.

Ndoshta çdo musliman, i cili të paktën ka një njohuri themelore mbi madhështinë e qytetërimit islam dhe rëndësinë së tij në histori, të paktën një herë në jetë e ka pyetur veten: – Çka ka ndodhur me ne? Pse kemi mbetur prapa? Natyrisht, në 100 vitet e fundit, që kur muslimanët intensivisht janë duke menduar në lidhje me këtë çështje, janë gjetur një numër arsyesh, por askush nuk ka arritur ta sjellë një përgjigje konkrete dhe të kënaqshme për t’i kënaqur të gjithë. Një përgjigje e tillë unike ndoshta edhe nuk do të gjendet, pasiqë gjithmonë ka disa arsye për rrëzimin e një qytetërimi, në këtë rast të atij islamik. Por shumë intelektualë muslimanë do të thonë se niveli i (jo) edukimit të muslimanëve sigurisht është një fushë ku do të duhej të kërkohen përgjigje.

Sa dimë ne për nivelin e arsimimit të muslimanëve, dhe çka, në fakt, na thonë statistikat?

Është indikativ dhe ilustrues një studim kohëve të fundit i Qendrës amerikane ‘Pew’, i titulluar “Religjioni dhe arsimimi në mbarë botën”, që ka bërë kërkime të gjera në mesin e anëtarëve të rritur të komuniteteve të ndryshme fetare (me termin “të rritur”, Qendra ‘Pew’ i referohet personit i cili ka arritur moshën e 25 vjet). Studimi ka shikuar nivelin e arsimimit të tre brezave të njerëzve: brezi “i vjetër”, i lindur ndërmjet viteve 1936-1955; pastaj brezi “i mesëm” i lindur ndërmjet viteve 1956-1975; dhe brezi “më i ri” i lindur ndërmjet viteve 1976-1985. Pasiqë cilësia e arsimit por edhe kurrikulat janë të ndryshme nëpër botë, Qendra ‘Pew’ u përcaktua që ta përdorë numrin e viteve të shkollimit formal si tregues i nivelit të arsimimit.

Në bazë të studimit, edhe pse numerikisht ndër më të paktët në botë, hebrenjtë kanë më shumë vite të arsimimit formal nga të gjitha grupet fetare, më saktë, mesatarisht kanë 13.4 vjet. Në vendin e dytë janë të krishterët me 9.3 vjet të arsimimit formal, pastaj budistët me 7.9 vjet, kurse në vendin e fundit janë hindusët dhe muslimanët me 5.6 vjet të shkollimit. Pra, muslimanët kanë gati dy herë e gjysmë më pak vjet të shkollimit sesa hebrenjtë dhe gati dy herë më pak se të krishterët.

Nëse pasqyra fokusohet vetëm në muslimanët, është e qartë se muslimanët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara kanë një mesatare prej 13,6 vjet të shkollimit, ata në Evropë kanë 9.5, në Lindjen e Mesme dhe në Azi kanë 5.9 vjet, ndërsa muslimanët në Afrikën nën-Sahariane kanë vetëm 2.6 vjet të shkollimit formal.

Muslimanët e Afrikës nën-Sahariane – më saktë, dy të tretat e muslimanëve të rritur (65%) nuk kanë asnjë arsimim formal. Përveç kësaj, në të njëjtat kushte të dobëta dhe të pazhvilluara të jetës dhe punës, fqinjët e tyre të krishterë shpenzojnë dy ose më shumë vjet në shkollë. Muslimanët më të vjetër të Afrikës nën-Sahariane janë prapa fqinjëve të tyre të krishterë në mesatare prej 2.4 vjet të shkollimit, por statistika alarmante shtesë është se muslimanët e rinj të Afrikës nën-Sahariane kanë mbetur prapa fqinjëve e tyre të krishterë të së njëjtës moshë më shumë 3.6 vite. Imazhi i njëjtë i keq është në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, ku madje 42% e muslimanëve të rritur nuk ka kurrfarë arsimimi formal, sikurse edhe 32% e muslimanëve të rritur në Azi.

Se imazhi nuk është edhe aq i zymtë, flet fakti se muslimanët kanë përparuar me shpejtësi të madhe në dekadat e fundit, që do të thotë, se në fillim të shekullit të 20, statistikat ishin edhe më dekurajuese. Qendra hulumtuese ‘Pew’ përfundon se përqindja e muslimanëve të arsimuar formalisht është rritur për 25 % në tre brezat e kaluar që – shikuar nga një këndvështrim më i gjerë, është vërtetë shifër inkurajuese. Nëse e paraqesim në formë më ilustrative, do të shohim se një musliman i moshuar i cili jeton në Afrikën e Veriut apo në Lindjen e Mesme, ka një mesatare prej 3.6 viteve të shkollimit formal, ndërsa nipi i tij ka 7.6 vjet të shkollimit formal. Megjithatë, 36% e të gjithë muslimanëve të rritur në botë sot ende nuk kanë asnjë arsimim formal.

Këtu mund të nxirren disa përfundime.

1. Në një mënyrë janë të kuptueshme arsyet e prapambetjes katastrofale të muslimanëve në arsimim në krahasim me komunitetet e tjera fetare, për shkak se shumica e muslimanëve jetojnë në vendet e pa zhvilluara, koloni të mëparshme evropiane. Shtetet e tyre kombëtare të sapo formuara në fillim të shekullit 20, ishin të pa rregulluara, nga ana politike dhe e sigurisë të paqëndrueshme, shpesh të rrënuara nga konfliktet dhe uria. Ato luftuan me trashëgiminë kolonialiste, e cila, pas pranisë me disa dekada, me siguri ka lënë gjurmë të thella në shoqëritë muslimane.

2. Mospërputhjet e mëdha në nivelin e arsimimit mes, për shembull, hebrenjve dhe muslimanëve, nuk kanë të bëjnë fare me fenë, por me gjeografinë. Shumica e hebrenjve jetojnë në vende të zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, dhe për këtë arsye kanë më shumë mundësi për t’u arsimuar. Këtë pohim e konfirmon edhe fakti se pakicat muslimane që jetojnë në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore ose në Amerikë, gjithashtu gëzojnë një nivel të lartë të arsimimit. Njëlloj është rasti edhe me hindusët në Amerikë, të cilët janë ndër më të arsimuarit në atë vend, ndërkohë që bashkëfetarët e tyre në vendet e pazhvilluara si India, Nepali dhe Bangladeshi janë në fund të shkallës. Më konkretisht, një hindus i rritur i cili jeton në Indi ka një mesatare prej 5.4 vjet të arsimimit formal, ndërsa një hindus në Amerikë ka mesatarisht 12.9 vjet të arsimimit formal.

3. Muslimanët në vendet më të pasura të Gjirit Arabik kanë një nivel mbimesatar të arsimimit. Në vendet e tilla si Bahrejni, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Katari, gratë kanë përparuar më shumë se burrat në aspektin e arsimimit formal. Për shembull, në Katar, 51% e grave të rritura kanë arsimim të lartë, për dallim nga meshkujt që kanë 34%. Kjo do të thotë, se kushtet socio-ekonomike, mjedisi stabil dhe i qëndrueshëm, si dhe burimet në dispozicion – ndikojnë drejtpërdrejtë në nivelin e arsimimit, kurse arritja e arsimimit të lartë konsiderohet si kusht kryesor për realizimin e mirëqenies ekonomike dhe suksesit në jetë.

Hulumtimet gjithashtu tregojnë se pakicat fetare janë më të arsimuara sesa shumica fetare e shtetit ku jetojnë, veçanërisht nëse anëtarët e kësaj pakice fetare janë të lindur jashtë shtetit të tyre. Një nga arsyet e mundshme mund të jenë politikat ndaj emigrantëve të cilat e favorizojnë fuqinë punëtore me kualifikim të lartë. Një arsye tjetër, mund të jetë tendenca e tyre për tu afirmuar në shoqëri dhe për të përfituar nga burimet e ofruara nga ai shtet. Ky është rasti me muslimanët në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Rasti plotësisht identik është edhe me hebrenjtë, muslimanët dhe hindusët në Amerikë të cilët mesatarisht janë më të arsimuar se të krishterët amerikanë.
Hulumtimi tregon se gratë, kanë përparuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit në marrjen e arsimimit. Përparime më të mëdha janë bërë te gratë nga Gjiri i Arabisë, si Bahrejni, Katari, Kuvajti dhe Arabia Saudite. Arsye për këtë është pasuria e naftës dhe buxhetet e larta që janë ndarë për edukimin e shtetasve të tyre.

Nga ky hulumtim gjithashtu mund të shihet një rreth vicioz në të cilin sillen muslimanët – për shkak të varfërisë dhe konfliktit nuk mund të arsimohen, kurse për shkak të mos arsimimit mbeten të varfër dhe shoqëria e tyre ngecë. Muslimanët e vetëm që arritën të bëjnë një përparim të madh janë ata që emigruan në Evropën Perëndimore ose në Amerikë. Kjo në njëfarë mënyre i sqaron arsyet pse muslimanët e Sirisë, Irakut, Afganistanit dhe Afrikës janë të gatshëm edhe të mbyten në Detin Mesdhe, vetëm që të mund ta fillojnë një jetë të re në Evropë.

Harun Karçiq; http://algoritam.net/2017/08/27/da-li-su-muslimani-dovoljno-obrazovan/

Përshtati: Miftar Ajdini