Ibadat

A është musliman ai që nuk e fal namazin e xhumasë?

1.06Kviews

PYETJE: Esselamu alejkum!

Dua t’ju pyes se çfarë ndodh nëse e lëshojmë namazin e xhumasë. Nëse p.sh. e lëshojmë xhumanë dhe arrijmë ta falim para namazit të ikindisë, a do ta falim atëherë namazin e drekës? Ose nëse kurrsesi nuk arrijmë ta falim para ikindisë, atëherë a duhet së pari ta falim namazin e drekës (me kaza), dhe pastaj ta falim namazin e ikindisë?
Kam dëgjuar gjithashtu diku, se mosfalja e tri xhumave nxjerrin nga besimi (feja). Unë nuk jam i sigurtë nëse kanë thanë për këto tri xhuma radhazi, apo nuk duhet domosdo të jenë të njëpasnjëshme, vetëm kur të na mblidhen së bashku tri, atëherë ato na nxjerrin nga feja. Dua t’ju pyes, a ekziston vërtetë një dispozitë e tillë, dhe nëse po, si thuhet aty?

PËRGJIGJE: Alejkum selam!

Falja e namazit të xhumasë është detyrë e rreptë islamike (farzi-ajn) për çdo musliman i cili i plotëson kushtet e obligueshmërisë (është me moshë madhore, i mençur, i lirë, i shëndetshëm, ka mundësi të jetë i pranishëm, si dhe mos ta ketë statusin e musafirit).

Thotë Allahu i Lartësuar në Kur’an: “O besimtarë, kur të thirreni për namaz ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun (namazi i xhumasë), pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini!” (el-Xhumu’a, 9)
Urdhri imperativ nënkupton detyrimin e të urdhëruarit. Personi që e mohon detyrimin e xhumasë del nga feja. Ndërsa ai i cili nga pakujdesia e lëshon faljen e namazit të xhumasë, duke mos e mohuar obligueshmërinë e saj, bën mëkat të madh, por nuk mund të konsiderohet si i dalë nga feja, sikur edhe në rastin e namazeve të tjera. Mungesa e paarsyeshme dhe mosfalja e xhumasë është mëkat më i rëndë sesa mosfalja e namazeve të tjera. Pejgamberi (savs) në këtë drejtim thotë: “Nëse njerëzit nuk e ndërpresin mosfaljen e namazit të xhumasë, Allahu do t’ua vulosë atyre zemrat dhe do t’i lërë në gjumë të përjetshëm.” (Muslimi, Nesaiu, Ibni Maxhe, Ahmedi).
Në këtë kuptim është edhe ky hadith: “Kush i lë, pa asnjë arsye, tri namaze të xhumasë pa i falur, Allahu atij do t’ia vulosë zemrën.” (Nesaiu, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Hakimi).

Prandaj, muslimani është i detyruar të bëjë gjithçka që është në mundësinë e tij për ta kryer këtë farz. Qëndrimi i pakujdesshëm ndaj tij dhe mungesa e paarsyeshme, kryerësin e rrezikojnë të jetë i larguar nga mëshira e Allahut dhe t’i vuloset zemra. Në hadith nuk përmendet as kufri as dalja nga feja, por vetëm vërejtja dhe paralajmërimi për pasojat e rrezikshme të kësaj pakujdesie.

Nëse, për ndonjë arsye të justifikuar mungojmë nga namazi i xhumasë, jemi të detyruar ta falim namazin e drekës. Nëse një person nuk e fal namazin e drekës para skadimit të kohës së drekës, ai së pari do ta fal (me kaza) namazin e drekës, e pastaj e fal (me kohë) namazin e ikindisë. Por, nëse koha e ikindisë është në përfundim, atëherë më e rëndësishme është të falet ikindia në kohën e saj, e pastaj të falet dreka (me kaza).

Fetva-i emin ne BIH prof. dr. Enes Ljevakoviq

Përshtati: Miftar Ajdini