Islamisitikë

A e keni përjetuar ndonjëherë me të vërtetë tregimin për Ibrahimin (a.s.)?

479views

Unë kurrë deri më tash nuk e kam ndjerë (përjetuar) tregimin për Ibrahimin (a.s.) deri sa e kam shikuar serinë e incizimeve të Visam Sherifit me titull ‘Dinastia e pejgamberit.’

Ne e dimë secilën pjesë të këtij tregimi. E dimë se asnjë pejgamber nuk është sprovuar siç është sprovuar Ibrahimi (a.s.). Dhe ne e dimë se ai konsiderohet ‘mik’ i Allahut.

Sot më në fund e kuptova.

Harrojeni, për një moment, faktin se ai ishte pejgamber dhe mendoni rreth tij vetëm si njeri. Për njeriun i cili vazhdimisht është lutur për fëmijë.

Për njeriun i cili priti 86 vjet për t’i lindur një djalë. Pastaj ai atë djalin e rriti. Dhe pas të gjitha sprovave që u gjenden përpara tij, atij iu tha që ta sakrifikonte djalin e tij.

Le të mos e përdorim fjalën sakrificë.

Allahu e urdhëroi atë që ta mbyste djalin e tij!

Ibrahimi (a.s.) nuk pyeti pse? Pse do që unë ta mbys djalin tim? O Allahu im, çfarë faji ka bërë djali im? Pse ma dhurove djalin pas 86 vjetësh, dhe pastaj kërkon nga unë që ta mbys?

Ai dëgjoi dhe u bind.

Por jo – duhet ta ndjejmë (ta përjetojmë) tregimin.

Ndaluni që ta kuptojmë tregimin. (…) Rikthejeni filmin.

Djali juaj është para jush. Djali për të cilin e keni lutur Allahun.

Sikur një titull për të cilin e keni lutur Allahun. Sikur një provim për ta kaluar që e keni lutur Allahun. Sikur për një burrë apo për një grua që e keni lutur Allahun. Sikur për një shtëpi apo për një automobil apo për një laptop që e keni lutur Allahun.

Dhe pastaj Allahu ju thotë: Digjeni atë! Allahu ju thotë që t’ia ktheni Atij dhe ta vazhdoni jetën pa të.

Allahu i kërkoi Ibrahimit që Atij t’ia kthejë djalin.

Mbyllni sytë dhe mendoni për një moment – personin që e doni më së shumti. Allahu ju thotë që ta therni atë. Ai nuk ju jep asnjë arsyetim apo justifikim. Është e thjeshtë – Unë jam Allahu.

Paramendoni se si e mprihni thikën dhe me lëvizje të shpejta e kaloni nëpër qafën e këtij personi. Personin të cilin e doni parezistueshëm. Personin të cilin e keni pritur me vite.

Për një moment, përpiquni ta përjetoni këtë. Pikërisht e keni humbur personin që e doni, personin për të cilin jeni lutur shumë, shumë vite.

Ibrahimi (a.s.) këtë e kishte bërë. Ai këtë e bëri, kurse Allahu prej tij e kërkoi këtë, dhe ai e bërë këtë.

Po ne? Ne po përpiqemi t’i falim namazet tona me kohë. Ne po përpiqemi të falemi mirë.

Ne bëjmë pyetje. Të bërit pyetje nuk është gabim. Pyet, gjeje përgjigjen, gjeje arsyen, hulumto.

Por shikoni se kënd e pyesni dhe me çfarë lloj toni.

– Pse unë ta veshi hixhabin?

– Pse duhet të falem pesë herë në ditë?
– Pse duhet ta shmangi shikimin nga pamjet dhe skenat e pamoralshme (pornografike)?

– Pse duhet të shmangem e të mos ulem me të afërmit e mi, miqtë dhe bashkëpunëtorët e gjinisë tjetër?

– Pse duhet të ndalohem nga dëgjimi i muzikës?

Sepse Ai është Allahu, kurse ju jeni qenie njerëzore. Ju është dhënë vullneti i lirë – nëse nuk ju pëlqen, mos ju nënshtroni.

Mosbindja juaj nuk do ta dëmtojë Atë.

Por, Ibrahimi (a.s.) do të jetë i pari që do të jetë i veshur në Ditën e Gjykimit.

Ai ishte i gatshëm që, në emër të Allahut, të heqë dorë nga çdo gjë që e donte.

Ne nuk mund ta japim kohën tonë, nuk mund të heqim dorë nga djali apo vajza, nuk mund të heqim dorë Bollywoodi ose Netflix, nuk mund të heqim dorë nga një pjesë e gjumit për namazin e natës.

Nga ne nuk është kërkuar që t’i kthejmë dhuratat që Ai na i ka dhënë.

Nga ne është kërkuar që të jemi mjaft mirënjohës.

Nga ne është kërkuar që tu japim sadakë të varfërve dhe jetimëve.

Nga ne është kërkuar shumë më pak sesa nga ata që ishin para nesh.

E megjithatë, ne japim shumë më pak se kaq.

O Allah, madje as nuk e di sesi mund të pohoj se unë të dua Ty, si mund ta kërkoj nga Ti gradën më të lartë të xhenetit, sepse unë nuk e meritoj as pluhurin nga këmbët e robërve të Tu nga e kaluara.

Por, po të lutem, më bëj më të mirë. Më bëj më të devotshëm. Më bëj më fetar. Më bëj të denjë për xhenetin Tënd.

Xhenis Mahnure; IslamBosna.ba;

Perktheu: Miftar Ajdini