Opinione

A do ta marr Trampi për një natë thesarin e sundimtarëve arabë, që me shekuj e mblodhën?

Kur Hulagu Khan, në marshimin e tij pushtues, hyri në Bagdad, i vrau dijetarët muslimanë, tregtarët e pasur dhe gjyqtarët, pastaj ushtarëve të tij u tha:

“Lerëni të gjallë halifin el-Muste’sim, derisa të na i tregojë të gjitha vendet ku e ka fshehur thesarin e tij!“ Ashtu edhe ndodhi.

Halifi abasid El-Muste’sim (1242-1258) e udhëhoqi Hulagu Khanin me ushtarët e tij dhe ua tregoi se ku e kishte depozituar arin, argjendin dhe pasurinë tjetër, si brenda ashtu dhe jashtë pallatiti të tij, deri tek të cilët mongolët e kishin të pamundur të depërtonin pa ndihmën e tij. El-Muste’simi madje u tregoi dhe ua zbuloi edhe ato levat e arta të cilat i kishte zhytur në lumë, për të cilat askush tjetër nuk dinte përveç tij.

Atëherë Hulagu Khan me sarkazëm i tha: “Sikur këtë thesar të madh t’ua kishe ndarë ushtarëve të tu, ata do të kishin ruajtur dhe mbrojtur nga unë!“

Megjithatë, el-Muste’simi nuk qajti aq shumë për arin dhe argjendin, por më shumë qau për 700 femra të bukura (gra dhe robëresha) dhe për 1.000 shërbëtorë që i kishte në pallatin e tij. Për këtë shkak i bërtiti Hulagu Khanit, duke i thënë: “Mi lerë të paktën bukuroshet e haremit tim, të cilat as dielin as hënën nuk e kanë parë!“

Hulagu qeshi me fjalët el-Muste’simit dhe i urdhëroi ushtarët që ta mbështjellin me një qilim dhe ta godasin me shqelma deri në vdekje. Thuhet se edhe kuajve u kishin grahur që të ecnin mbi të.

Historianët pohojnë se atë që kishin mbledhur halifët abasid për pesë shekuj, Hulagu Khan, ua mori për një natë.

– A jemi dëshmitarë të përsëritjes së historisë?

– A e kanë marrë sot rolin e Hulagu Khanit dhe halifit abasid el-Muste’sim, Donald Trampi dhe Muhamed bin Selmani?!

– A do të thonë historianët, gjithashtu, se krejt atë që e kanë mbledhur mbretërit muslimanë të vendeve të Gjirit shekuj me radhë, Trampi (Amerika dhe Perëndimi) ua mori për një natë?

– Sikur sundimtarët muslimanë të shteteve të Gjirit ta shpenzonin atë pasuri përrallore për arsim, për kërkime shkencore;

– Sikur me të vërtetë t’i ndihmonin vendet muslimane përreth, sidomos Palestinën;

– Sikur në vend të koalicionit me armiqtë e dëshmuar dhe në vend të nxitjes së konflikteve ndërmuslimane – të formonin aleancë të ndershme dhe vëllazërore të vendeve muslimane (Arabia Saudite dhe vendet tjera të Gjirit, Turqia, Egjipti, Iraku, Jemeni, Siria, Jordania, Palestina) shtetet muslimane sot do të ishin më të fortat dhe më të përparuarat në botë.

Mirëpo, pushteti i tyre dhe lakmia e pangopur janë diçka, ndërsa Islami është krejtësisht diçka tjetër.

Abdusamed Nasuf Bushatliq

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)