8 shtatori, dita ndërkombëtare e shkrim-leximit

8 shtatori njihet si dita ndërkombëtare e leximit, apo shkrim-leximit siç thuhet shpesh. Në këtë shkrim, duke dashur që edhe ne, si redaksi e Portalit Breziiri.com, të mos e anashkalojmë këtë ngjarje, mendova që sadopak t’i kushtojmë një rëndësi modeste.

Fjalët e para të zbritura nga Allahu i Madhërishëm, përmes Melaqes, te Muhammedi a.s., në shpellën Hira, shpellë e cila simbolizon klasën, ishin Ikreja – Leximi, kalemi – lapsi dhe ilmi – dituria. Nga kjo kuptojmë se Ummeti i Muhammedit a.s., është ummet i leximit të vazhdueshëm, është ummet i shkencës dhe shpikjeve të reja.

“Ikre-ja” islame lindi dhe zhvilloi shkenca, risi e gjëra të dobishme për njerëzimin. Integroi, zhvilloi dhe riprodhoi filozofinë antike, logjikën, matematikën, astronominë, medicinën, pastaj shkencat e veta fetare: Tefsirin, Hadithin, Kelamin, Filozofinë islame, Sociologjinë, Fikhun, Usuli-fikhun, etj., etj. Nxori dijetarë eminentë, të cilët akoma vazhdojnë t’i shërbejnë njerëzimit me idetë dhe veprat e tyre kolosale. Kjo “ikre” botës i dha një plejadë emrash sikurse Abdullah Ibn Abbasin, Ibn Mesudin, Hasan el-Basriun, Ata’in, Ebu Hanifen, Esh’ariun, Maturidiun, Bak-kilaniun, Ibn Sinanë, Ibn Haldunin, Suhravardin, Gazaliun, Raziun, Rumiun, Afganin, Keutheriun, Sibaiun, Ebu Zehren, Mehmed Hanxhiqin, Gjozon, Sami Frashërin, Ali Korçën, Ymer Prizrenin, Sabri Koçin, Sulejman Gavoçin, Nasurudin Albanin, Hasan Masuricën, etj., etj… Këto të arrira dhe emra nuk janë ndryshe, pos rezultat i fuqisë së “ikre-së” islame.

Është një fakt i pamohueshëm se, falë kontributit shkencor dhe teknik të muslimanëve, Evropa e zbuloi veten dhe rriti ndikimin e saj në botë.

Kjo ishte atëherë kur ne lexonim dhe ecnim përpara me shkencën. Po sot vallë, çfarë ndodh me këtë Ummet të leximit, të lapsit dhe meditimit? Po e pyes veten dhe juve, sa faqe lexojmë në ditë, e sa libra lexojmë në muaj dhe në vit?Ku është Ummeti i Muhammedit a.s., ku janë sot ashabët e Kur’anit? Në ç’hall gjendet Ummeti sot? A nuk na ka kapluar pasioni për dynjanë, etja për famën, egoizmi dhe dashuria për paranë? A nuk vuajmë nga mungesa e librave në shtëpi, si dhe nga mungesa e librarive nëpër qytetet tona? Si i humbi diturisë vlera midis nesh?

Le t’i shohim vetëm këto fakte. Në të gjithë botën islame, nga 57 shtete sa janë, ekzistojnë rreth 500 univerzitete, kurse vetëm në SHBA janë rreth 6000 univerzitete, e të mos flasim për Indinë, shtet i cili posedon mbi 8000 univerzitete. Asnjë fakultet islam nuk gjendet në top-listën e 500 univerziteteve më të mirë dhe më prestigjioz në botë.

Përderisa Perëndimi lëviz nëpër gjithësi, hulumton thellësitë e deteve, studion gjenet njerëzore, zbulon teknika moderne të sundimit, shpik mjetet më të sigurta të komunikacionit,  si dhe ka zgjeruar ndjeshëm forcën e ndikimit me anë të mjeteve të komunikimit, ne si muslimanë akoma merremi me problemet e rrugëve dhe të urbanizmit. Halli ynë ka arritur deri aty sa që jemi bërë më shumë shfrytëzues se zbulues, ndërkohë që konstatojmë dhe komentojmë atë që shumë herët Allahu ynë i Madh e ka potencuar në Kuranin fisnik, kështu që, presim vetëm të vijë ndokush tjetër të zbulojë atë që do të duhej ta bënim vetë ne.

Me këto rreshta, të dashur vëllezër e motra, nuk deshëm t’ju lëndojmë e t’ju mbjellim pesimizëm, porse vetëm dëshiruam të zgjojmë dëshirën e përbashkët për të parë dhe kuptuar sa më drejtë se, vërtetë, në ç’gjendje ka rënë Ummeti ynë, i cili dikur shquhej për nga vlerat e mirëfillta të qytetërimit, sundimit, vizionit, shkollimit, moralit, familjes dhe të organizimit të shoqërisë.

Pra, le ta lexojmë dhe mësojmë fenë. Ta lexojme dhe mësojmë edhe botën rreth nesh. Dituria është kapitali më i madh dhe arma më e fuqishme në luftën kundër injorancës, varfërisë, smundjeve dhe prapambeturisë.

Sevapi është shumë i madh dhe derexhetë e të diturve, Kur’ani i ka promovuar që moti, duke thënë:

„All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni.”(El-Muxhadele, 11).

 

Përgatiti: Mehas Alija

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply