Muftini

“60 vjet të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë (1957- 2017)”

614views

Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës u mbajtur tryeza shkencore me titull “60 vjet të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë (1957- 2017)”

Në këtë tryezë shkencore morën pjesë studiues e hulumtues shkencorë që trajtuan dhe analizuan botimet e BIRK-ut që nga viti 1957 e deri më sot.
Hapja e tryezës u bë me disa ajete kuranore, që i lexoi këshilltari i Myftiut, Vedat ef. Sahiti.
Këtë tryezë shkencore e nderoi pjesëmarrja e vetë Myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili bëri hapjen e punimeve të kësaj tryeze, duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe duke u dëshiruar suksese të mëtutjeshme në këtë tryezë dhe në punën e tyre shkencore.

Ai më pas theksoi se Zoti na urdhëron që të lexojmë dhe punojmë:

“Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë. Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo se Zoti yt është më Bujari.”

Kështu Bashkësia Islame e Kosovës në vitin 1957 arriti të botonte doracakun “Ilmihali i vogël” në gjuhën shqipe. Ky doracak edhe pse i vogël në vëllim dhe pa ndonjë titull të zmadhuar, për shumë arsye, hyri në histori. Së paripari përmbajtja e tij ishte shumë domethënëse, sepse ai bënte fjalë për kushtet e fesë islame që tani e tutje do të lexoheshin e mësoheshin edhe në gjuhën shqipe nga një shtresë e madhe e lexuesve, kurse së dyti ky ilmihal u bë guri themeltar i literaturës islame në gjuhën shqipe, dhe e treta sepse ky botim përligji edhe njëherë konstatimin se veprat e mëdha lindin nga gjërat e vogla ’theksoi,- theksoi Myftiu Tërnava.

Ai më pas theksoi:
“E gjithë kjo literaturë duke nisur që nga “Ilmihali” i vitit 1957, i cili më pas u pasua nga “Buletini”, “Takvimi”, “Edukata islame”, “Dituria islame”, tekstet shkollore të medresesë “Alaudin” dhe ato të FSI-së më vonë e deri te veprat kapitale siç është botimi i përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe dhe e gjithë literatura tjetër e botuar deri më sot fushash dhe disiplinash të ndryshme; është rezultat i punës, angazhimit dhe gatishmërisë së botuesit, autorëve, bashkëpunëtorëve, por edhe të lexuesve në përgjithësi. Që të gjithë këta meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë”.

Duke folur përkitazi me rrjedhat e tanishme të botimeve pas gjashtë dekadash tha se literatura islame te ne ka njohur një shtrirje të gjerë, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, kështu që sot në gjuhën shqipe kemi të botuar vepra nga fusha e disiplina të ndryshme, duke u nisur nga ato themelore e bazike fetare e doktrinare e deri te veprat kapitale nga fusha e hadithit, fikhut, tefsirit, akadidit, ahklakut etj.. Një ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës mbetet botimi i veprave nga trashëgimia, kultura dhe qytetërimi shqiptar islam, në këtë drejtim janë botuar vepra të cilat kujtojmë se ndriçojnë aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj pasurie.

Ai më pas nuk la pa përmendur penat që kanë dhënë kontribut të veçantë, si hfz. Bajram Agani, hfz. Ismailhaki Ustaibo, h.Jetish Bajrami, h. Sherif Ahmeti, Hasan ef.Nahi, hfz. Avni Aliu, h. Muhamet Islami, h. Adem Ternava, h. Rashid Osmani, h. Sadri Perstreshi, Hajrullah ef. Hoxha, haxhi Jashar Jashari, Ibrahim Spahiu, Safet Basha, Bajrush ef. Ahmeti, Qazim Qazimi, Feti Mehdiu, Qemajl Morina, Resul Rexhepi, Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini, Sabri Bajgora, Mujdini Ahmeti, Mehdi Polisi, Abdullah Hamiti, dhe një plejadë e tërë e autorëve dhe bashkëpunëtorëve, përmendja e të cilëve do të shkonte shumë gjatë.

Më pas, tryeza shkencore vazhdoi punimet në tri seanca, në të cilat studiuesit dhe punonjësit shkencorë paraqitën punën dhe të gjeturat e hulumtimeve të tyre shkencore në lidhje me këtë temë.

Në këtë tryezë shkencore morën pjesë edhe kryetarë të këshillave të BIRK-ut, punonjës të administratës së këshillave, hoxhallarë, studentë dhe mërgimtarë tanë që jetojnë në Evropë dhe në Amerikë./bislame/