Gaza, Turqia ndërton banesa për 2.250 palestinezë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ndërtuar 20 ndërtesa në Rripin e Gazës nga të cilat do të përfitojnë rreth 2.250 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Protokolli për projektin ishte nënshkruar në mars të vitit të kaluar nga Ministria palestineze e Zhvillimit dhe Vendbanimeve dhe TIKA, ndërsa është përgatitur për plotësimin e nevojave të strehimit pas shkatërrimeve që ndodhën në Gaza si pasojë e sulmit izraelit në vitin 2014. Projekti përbëhet nga 20 ndërtesa, ku secila ka nga 16 apartamente në sipërfaqe prej 100 metrash katrorë.

Mufid Hasajine, ministri palestinez i Zhvillimit dhe Vendbanimeve, për AA thotë se nga gjithsej 320 aparatmentet do të përfitojnë posaçërisht viktimat e luftës të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë në tërësi, personat me gjendje të vështirë ekonomike, personat pa të ardhura dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Personat për të cilët kemi vendosur janë viktima të luftës, persona të varfër pa të ardhura dhe ata të cilëve u janë rrënuar shtëpitë në vitin 2014, të cilët do të përfitojnë nga ky projekt. Ne kemi qenë transparentë gjatë caktimit të emrave”, theksoi Hasajine.

Në kuadër të protokollit, shpërndarja e banesave bëhet nga ana e ministrisë, në këshillim me TIKA-n. Sipas protokollit, përparësi do t’u jepet personave me shtëpi të shkatërruara, familjeve me mbi pesë anëtarë, personave me gjendje sociale, familjeve të jetimëve, dëshmorëve dhe familjeve pa të zotin e shtëpisë.

Hasajine theksoi edhe rëndësinë e projektit tjetër të TIKA-s, atë të paneleve diellore për shkollat dhe spitalet në Rripin e Gazës, rajon ky që ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike, madje deri në 20-21 orë në ditë.

“Panelet diellore që TIKA ka vendosur në Rripin e Gazës kanë shpëtuar jetën e shumë njerëzve. Në saje të këtij projekti, ne kemi shpëtuar jetën e shumë personave në sallat e operacioneve”, u shpreh Hasnije.

Ai foli edhe për Spitalin e Miqësisë Turqi-Palestinë, projekt i Turqisë në rajon, i cili është pranë finalizimit dhe i cili filloi të ndërtohet në vitin 2011 dhe mbaroi në vitin 2015.

Spitali, i cili llogaritet si spitali më modern në Palestinë, sipas Hasajine, pritet të hapet brenda dy-tre muajve.

Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë ka 180 krevate dhe pritet të jetë në shërbim për të gjithë Rripin e Gazës me një milion e 850 mijë banorë.

Ndryshe, TIKA zhvillon projekte të ndryshme në Rripin e Gazës, i cili mbahet i okupuar nga Izraeli që nga viti 2006. Izraeli ushtron trysni mbi organizatat humanitare për t’i penguar aktivitetet e tyre.

Më 12 shkurt të këtij viti, Izraeli arrestoi punonjësin e TIKA-s në Rripin e Gazës, Muhamed Murtexha, për të cilin më 21 mars u mor vendimi në gjykatë që të gjykohet në arrest.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply