Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë përgatitje për Kurban Bajramin

Derisa afrohet festa më e madhe muslimane, Kurban Bajrami, intensifikohen edhe përgatitjet e qytetarëve muslimanë, frekuentimi i të cilëve vërehet nëpër tregjet e qyteteve, veçanërisht në tregjet e bagëtive, si në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Tradicionalisht si në vendet tjera muslimane, edhe në qytetin e Shkupit tashmë disa ditë qëndron i hapur tregu i improvizuar i bagëtive, ku tregtarë nga vende të ndryshme merren me shitjen e bagëtive të imta dhe të trasha, në përputhje me rregullat islame.

Tregtarët thonë se, ndryshe nga viti i kaluar, interesi për bagëti është shumë i ulët, gjë që reflekton edhe në çmimet e bagëtisë. Ata thonë se vitin e kaluar çmimi për bagëti të imët ishte për një shumë prej 100 euro, ndërsa këtë vit për shkak të uljes së kërkesës, çmimet shkojnë nga 80 euro dhe më lartë.

Po ashtu edhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë njoftoi se organizon prerjen e kurbanit dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit, ndërsa shuma për një kurban është 120 euro.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri fillojnë përgatitjet disa ditë përpara festës së Kurban Bajramit, që nga blerjet e produkteve të ndryshme ushqimore e deri tek kurbani. Në Tiranë, kryeqytetin e vendit, ku janë edhe qendrat tregtare dhe numri më i madh i vendeve të tregimit të bagëtive, prej disa ditësh bëhen përgatitjet për blerjen e kurbanit.

Por përgatitjet për blerjen e kurbanit bëhen edhe në qytetet e tjera të vendit. AA ka vizituar Tregun e Bagëtive në Tapizë, një zonë midis Tiranës dhe Krujës, ku tregtarë të ndryshëm shesin bagëtitë që blejnë besimtarët dhe qytetarët për Kurban Bajramin.

Sipas tregtarëve çmimi për bagëtitë e imta varion nga 100-130 euro, ndërkohë interesi edhe këtë vit ka qenë si në vitet e kaluar, ndërsa çmimi i përcaktuar i kurbanit është 17 000 lekë (130 euro).

Nga ana tjetër organizohet edhe shpërndarja e kurbaneve ashtu edhe si në vitet e kaluara, ku do të realizohet nga organizatat humanitare shqiptare dhe të huaja, etj.

Në Kosovë edhe këtë vit, ashtu si vitet e kaluara qytetarët me rastin e Festës së Kurban Bajramit frekuentojnë tregjet ku bëhet shitja e kurbaneve.

Tregtarët bëjnë të ditur se çmimet e kurbanit shkojnë nga 130 deri në 250 euro dhe se edhe këtë vit kanë pasur shitje të mira. Kurse blerësit e kurbanit nëpër tregje tregojnë se vazhdojnë të bëjnë prerjen e kurbanit në mënyrë tradicionale çdo vit, duke theksuar se çdo musliman i cili i ka kushtet ka obligim kurbanin. Ata thonë se një pjesë të kurbanit të therur e shpërndajnë me persona në nevojë, një pjesë e ndajnë për familjarët dhe se një pjesë tjetër e ndajnë për veten.

Ndërkaq edhe tregjet tjera shihet se janë më të furnizuara me perime si dhe prodhime të tjera, ku tregtarët bëjnë të ditur se këto kohë, me rastin e Festës së Kurban Bajramit kanë më shumë shitje se kohëve tjera.

Ndërkaq si tradicionalisht, Kryesia e Bashkësisë Islame edhe këtë vit vazhdon traditën e mbledhjes dhe therjes së kurbaneve për familjet në nevojë, ku çmimi i një kurbani është 120 euro, ashtu sikur vitet e kaluara.

Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.

Rituali i kësaj feste fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply